Gërdeci dita 7-të-Një javë pas tragjedisë

Dje u gjetën gjymtyrë trupash njerëzorë dhe u identifikuan në morg tre të tjerë. Konfuzion për numrin e viktimave që zyrtarisht shkuan në 21. Protestë në Gërdec
TIRANË- Gjetja paraditen e djeshme e dy trupave njerëzorë në kraterin e krijuar nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, çon zyrtarisht në 21 numrin e viktimave të tragjedisë së rëndë të ndodhur një javë më parë, ndërkohë që tre trupa viktimash u identifikuan mbrëmjen e djeshme. Në fakt, dje nuk u gjetën dy trupa të plotë njerëzish. Pamjet makabre që në fillim u zbuluan nga punonjësit e ushtrisë dhe më pas u konstatuan dhe nga ekspertët mjeko-ligjor, ishin vërtet të rënda. Gjymtyrë e pjesë trupash njerëzorë të gjetur në rastet e fundit kanë çuar në dyshimin nëse në fakt janë gjetur 21 viktima, apo më pak. Askush nuk mund ta thotë i sigurt se pjesët e gjetura dhe të dërguara në morg janë pjesë gjymtyrësh të trupave të ndryshëm, apo në raste të ndryshme janë gjetur pjesë trupash të së njëjtës viktimë, çka do të thotë se mund të jetë më i vogël numri real i viktimave të gjetura. Trupat e gjetur dje sipas burimeve të gazetës “Korrieri” ishin mjaft të dëmtuar dhe kjo e bën të pamundur identifikimin e tyre të menjëhershëm. Tre nga gjashtë trupat e viktimave të Gërdecit që gjenden në morgun e Tiranës, u identifikuan mbrëmjen e djeshme, në sajë të analizave të ADN-së. Sipas burimeve spitalore, mësohet se behet fjalë për trupin e Endri Dvoranit, Arben Hasës dhe Zelie Cakës. Këto analiza janë bërë në Qendrën e Diagnostikimit Molekular pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënën Tereza”. Ndërkohë, tashmë janë edhe 3 trupa të tjerë të cilët kanë mbetur të paidentifikuar, edhe pse aktualisht po vazhdojnë perpjekjet për identifikimin e tyre, në sajë të analizave të ADN-së. Deri tani numri i viktimave të nxjerrë nga rrënojat e shpërthimit tragjik të Gërdecit ka shkuar në 21. Ndërsa dje për 10 familjeve të viktimave të tragjedisë iu dhanë kontributet e para nga qeveria. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se një fond prej 20 milion lekë të vjetra iu shpërnda secilës prej familjeve që humbën të dashurit e tyre në datën famëkeqe 15 mars. Ndërkohë, gjatë paradites së djeshme një protestë përfshiu zonën e Gërdecit. Banorë të zonës, rreth 1 javë pas shpërthimit që i shkuli nga shtëpitë e që deri tani dyshohet se mori jetët e 21 personave, protestuan hapur për gati 10 minuta. Në fokus të kërkesave të tyre ishte gjithçka që ndodhi mesditën e 15 marsit, por edhe gjatë kësaj jave. Ata u mblodhën në oborrin e një ish-vile të fshatit, shumë pranë vendit të shpërthimit. Protestuesit shprehën për disa minuta pakënaqësitë e revoltën e tyre për dëmshpërblimet e shtëpive dhe aktiviteteve tregtare. Më pas u shpërndanë, ndërkohë që e gjithë zona e Vorës e fshatrat e saj ruhen nga forca të mëdha policore. Rreth 300 forca të policisë së strukturave të ndryshme prej ditësh tashmë kryejnë shërbimet në zonën e prekur nga tragjedia për të shmangur çdo të papritur.