Flamuri teston deputetët me lista false
Flamuri dje ishte në panik. Ai burri e mori me tërbim në telefon në mëngjes dhe i kërkoi që kur të shkonte në Durrës, t’i gjente muret me parulla kundër Polit të Lirisë.
- Çfarë parullash të shkruajmë? - tha Flamuri.
- Shkruj ç’të duash. Ja, shiko gazetën e Fahriut. Shkruaj: “Poli i Lirisë, Poli i Urisë, Poli i Rakisë, Poli i Vetmisë, Poli i Pasigurisë”, gjej gjithë fjalët që rimojnë me fjalën Lirisë. Lidhu me Fahriun, po munde.
- Mirë, - tha Flamuri dhe nisi punën. Mori në telefon PD e Durrësit. I dha disa nga parullat që i dha ai burri dhe i porositi të shkruajnë muret nga ku do kalojë ai.
S’kaluan pesë minuta dhe e mori prapë.
- Flamur, ke dëgju gjë ti kush do kalojë tjetër me Polin e Lirisë përveç atyre të qeverisë së parë?
- Nuk e di, doktor, por shumë nga këta deputetët që s’i kemi më në lista mund të shkojnë. Më duket se po ua mbajnë vendin hapur ata.
- Ashtu, mos u mërzit, se unë e dorëzoj i fundit listën. S’kanë ku të shkojnë. Dëgjo Flamur. Do thërrasësh gjithë deputetët, do t’iu kërkosh të firmosin një deklaratë, ku janë dakord të bëhen deputetë. U thuaj, na duhet për verifikim. Ata do mendojnë se do t’i bëjmë deputetë. Pastaj ne çojmë listën.
- Unë për vete e kam bërë, - tha Flamuri.
- Jo, ti s’ka nevojë Flamur, po shiko të tjerët.
- E kuptova, - tha Flamuri. - D.m.th., nuk do jem deputet, tha me vete. Harxhova dhe peticionin kot nga Kukësi.
Filloi të mendonte se si t’i zhbironte ata që do shkonin me Polin e Lirisë. Vendosi të bëjë një listë false deputetësh. E nisi nga Shkodra.
Shkodra: Jozefina Topalli, Astrit Bushati, Ramiz Çoba, Arenca Trashani, Paulin Sterkaj…. Kaq njëherë, tha me vete, se s’i dihet a fitojmë më.
Zbriti në Lezhë. S’dinte nga ta niste të parin. I kujtohej vetëm emri i Preç Zogajt. E vuri të katërtin atë për të qenë brenda. Pastaj të tretin e la për një femër, për të dytin e të parin s’po kujtohej. Pal Dajçin s’po e vë, tha. Futi Edi Palokën dhe një të ri të panjohur.
Shkoi në Dibër. Dhe aty keq. E vuri të katërtin Rrahim Kalecin. Pastaj eci poshtë tek e treta, Natasha Shehu, tek i dyti e i pari ngeci prapë. Këtë Sali Shehun s’po e vë, tha. Të parin po vë Eqeremin, që është këshilltar i atij burrit.
Iku dhe Dibra. Në Tiranë ishte listë e madhe. Duhej së paku deri te 14, ku ka shanse të fitojë PD. Gjeti pesë emra femrash, i futi shpejt e shpejt, çdo të tretën prej tyre. I pari ai burri, i dyti Bujar Nishani, e treta Bregu, i katërti s’po i dilte. Po fus këtë Flor Mimën, tha, se nga Kosova vjen, duhet ta plotësojë kriterin. Kështu vazhdoi më tej, derisa i plotësoi të katërt.
Në Elbasan e kishte më lehtë. Futi Lulin të parin dhe Fahriun të shtatin. Në mes e mbushi me Bylykbashin, një ish-prefekte me mbiemrin Hasekiu, dhe dy emra të tjerë kot.
Kështu vazhdoi me Korçën, Fierin, Vlorën, Beratin dhe Gjirokastrën.
I mbaroi listat dhe i la mbi tavolinë. Thirri disa gazetarë aty, pastaj bëri sikur harroi derën hapur dhe iku për nja dy orë.
U kujtua, kur e thirri ai burri.
- Flamur, kam pas shumë telefonata nga njerëz të PD të mërzitur që më thonë: “Ne e meritojmë të bëhemi deputetë.” Di gjë ti kush u ka thënë këtyre që nuk do bëhen?
- Më thuj emrat doktor, se të them unë.
Filloi t’ia lexonte Berisha.
- E gjeta, - tha Flamuri. - Këta janë gati të ikin te Poli i Lirisë. Duhet t’i gënjejmë patjetër deri në zgjedhje. Kam bërë unë një listë false dhe e kanë marrë për të vërtetë, ndaj janë shqetësuar.
- Jo, Flamur, ti paske bërë listë të vërtetë, se unë s’kam për t’i kandiduar. Po bëre mirë që ma the mos të dorëzojmë listat.