E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Do rikrijojmë ëndrrën tonë të Dhjetorit

Nga Enton Palushi

Kur dukej se gara elektorale e sivjetme do ishte me tri grupime, dy nga e majta, dhe vetëm një nga e djathta, ngjarjet po rrjedhin ndryshe. Tashmë, grupimi i njohur dhe si Poli i Lirisë po konfigurohet si një aleancë e fortë dhe serioze që duket se ka synime të qarta për zgjedhjet e qershorit.

Ky grupim ka prezantuar dje si një figurë kryesore të listës së tyre zgjedhore, ish-kryeministrin, Aleksandër Meksi.

Ky i fundit deklaroi se, angazhimi në politikë përkrah kësaj aleancë vjen për shkak se është momenti për të ndërtuar Shqipërinë që kanë ëndërruar shqiptarët në fillim të viteve ’90, kur dhe rrëzuan sistemin monist. Meksi do jetë në krye të listës zgjedhore për qarkun e Tiranës.

“Përfshirja ime sot në politikën aktive me Ju, miq të mi të vjetër, bëhet pikërisht për të rikrijuar ëndrrën tonë të Dhjetorit, një parti evropiane, shtëpi e të gjithë demokratëve dhe antikomunistëve shqiptarë, jo vetëm të një klani dhe rrethit të tyre miqësor e klientelist, të bashkuar “pa dallim ideje”.

Do të angazhohemi të jemi një forcë opozitare kundrejt çdo tentative regjimi, do të luftojmë për të kontribuar në zhvillimin demokratik ekonomik dhe njerëzor të vendit sipas modeleve euroatlantike për t’u rreshtuar sa më parë në Bashkimin Evropian si të barabartë, të zhvilluar dhe të qytetëruar”, - tha Meksi.

Monopolet

I njohur si një njeri me eksperiencë të madhe në ekzekutiv, Meksi ka prekur disa nga pikat e programit të Polit të Lirisë.

Shpesh në fjalën e tij spikaste fjala monopol. Duket se kësaj situate në ekonomi i druhet më shumë ish-kryeministri demokrat.

“Po kështu, do të ndërhyhet në legjislacionet përkatëse për të zhdukur monopolet në medikamente, tekste mësimore, telekomunikacione dhe ndërtim e gjetkë, dhe duke krijuar lehtësira për vendasit”, - tha Meksi, i cili ka sqaruar edhe me detaje planin e tyre për ekonominë.

“Do të reformohet sistemi fiskal sipas përvojës evropiane (ligjeve të së cilës duhet t’iu përafrohemi dhe përshtatemi), duke mënjanuar pasojat e reformave voluntariste, pabarazinë dhe favorizimin ndaj bizneseve dhe grupeve të caktuara, abuzivizmi, por edhe duke i bërë luftë efikase evazionit fiskal dhe kontrabandës. Kështu do të vihen rregulla të reja për përmasat dhe llogaritjen e tatim-fitimit, tatimit mbi të ardhurat personale, taksës së pronës dhe mbi mënyrën e pagimit të TVSH. Njëherazi do të rishqyrtohen detyrimet fiskale për prodhimet monopol, si dhe pagat dhe çmimet e referencë së bashku me njohjen e shpenzimeve të nevojshme, një arbitraritet që i ka kaluar koha. Do të kërkohen masa për të favorizuar investimet prodhuese dhe punësimin. Këto dhe masa të tjera të shoqëruara me regjistrimin e të gjitha pasurive në zotërim do të ndihmojnë për formalizimin e ekonomisë dhe për kryerjen sa më parë të amnistisë fiskale ligjore që do të ketë rrjedhoja pozitive për ekonominë shqiptare.

Krahas këtyre duhet të rregullohen me norma ligjore përqindjet e interesit të kredive dhe sigurimi i likuiditetit për kredi duke i dalë përpara edhe krizës, që bëjmë sikur nuk e kemi”, - tha Meksi.

Pronat

Një çështje që duket se do përdoret fort nga Poli i Lirisë do jetë dhe ajo e pronës. Në këtë aleancë janë bashkuar përfaqësuesit e shoqatave dhe një partie që përfaqëson pronarët e tokave, të cilëve iu është mohuar kjo e drejtë.

“Poli i Lirisë angazhohet të paraqesë propozime konkrete të realizueshme për çështjen e parë brenda vitit 2009 dhe për të dytën hartimin e masave brenda vitit ku të evidentohen përfundimisht pronat shtetërore për kompensim dhe njohja e pronave që të mund të përcaktohen rrugët e zgjidhjeve e afatet për kompensimin monetar”, - tha Meksi.

Ndërsa për reformën në drejtësi, ish-kryeministri premtoi shmangien e strukturave paralele.

“Do të punojmë për reformën në Drejtësi dhe atë të Institucioneve duke shmangur strukturat paralele, mbi bazën e modeleve të vendeve demokratike perëndimore. Duhet të ndalen ndryshimet e ligjeve, të strukturave e deri ndërhyrjet në Kushtetutë, sipas interesave të momentit duke bërë të nesërmen të kundërtën, e aq më tepër kur këto ndryshime prekin frymën demokratike dhe atë të ekonomisë së tregut, që janë në themel të shtetit të së drejtës”, - u shpreh Meksi.

E djathta

Forcat politike të grupuara në koalicionin Poli i Lirisë pretendojnë të jenë rregullatori i qeverisjes së djathtë në një mandat tjetër të saj pas 28 qershorit. Pas katër vitesh anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave dhe kandidat për deputet i Partisë Demokratike, në këto zgjedhje Apollon Baçe kandidon për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, si një i zhgënjyer në serinë e votuesve të djathtë, që po tërhiqen nga kjo forcë politike. Sipas tij, për Polin e Lirisë, korrektimi i qeverisjes nga grupimet alternative majtas e djathtas është domosdoshmëri, për të pasur më së pari trajtim të drejtë, si të qytetareve, ashtu dhe të zyrtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›