E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari fiton Kupën. Heroi Hair ZeqiriPas tri finaleve të humbura me Tiranën (1983, 1984 e 1996), Flamurtari rikthehet pas 18 viteve me një trofe, duke llogaritur edhe kampionatin e fituar në vitin 1991.

Një gol inteligjent “in extremis” i 20-vjeçarit Hair Zeqiri (92’) vulosi fitoren 2-1 Flamurtarit ndaj Tiranës në finalen e edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit kroat të vlonjatëve, Branko Paniç, trofeun e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend, njëherësh edhe i treti në historinë 86-vjeçare të Flamurtarit, pas atyre të fituar në vitin 1985 e 1988.

Pas tri finaleve të humbura me Tiranën (1983, 1984 e 1996), Flamurtari rikthehet pas 18 viteve me një trofe, duke llogaritur edhe kampionatin e fituar në vitin 1991.

Pas 94 minutave lojë në asnjanësin “Niko Dovana”, heronjtë kuqezi kanë të drejtë t’u gëzohen 100 mijë eurove tëe vendosura si shpërbim për fitimin e Kupës së Shqipërisë nga  presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, por dhe një vendi në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm.

Tirana, që për herë të dytë rresht humbet një finale të Kupës së Shqipërisë, ashtu siç bëri edhe një vit më parë në “Ruzhdi Bizhuta” me Vllazninë (0-2), tani i duhet të luftojë fort për titullin kampion në tri javët e fundit të kampionatit, për të mos mbetur ashtu si një sezon më parë pa asnjë trofe.

Pas disa përpjekjeve të dështuara me Migen Memellin, Saimir Patushin e Daniel Xhafën, Tirana arriti të gjejë golin në minutën e 42-të. Kapiteni Devi Muka ekzekutoi një goditje të lirë në afërsi të këndit të flamurit, harkimi ishte i lartë në zonë, dhe aty mbrojtësi 29-vjeçar Rezart Dabulla kërceu fuqishëm mbi Çaushajn, duke shënuar me kokë golin për Tiranën.

Me fraksionin e parë të mbyllur në avantazh dhe një kualitet më të mirë lojtarësh, trajneri Agustin Kola, besoi se mund ta kishte nën kontroll lojën, kur me fillimin e pjesës së dytë hodhi në fushë mesfushorin Gjergji Muzaka në vend të mbrojtësit Tefik Osmani, për të hedhur më pas në vend të Saimir Patushit, Jetmir Sefën.

Në minutën e 65-të, Zeqiri i shpëtoi mbulimit të Dabullës, më pas shmangu edhe ndërhyrjen e Abrahamit, Nallbani doli nga porta, lojtari i Flamurtarit i dhuroi pasin e artë sulmuesit Devis Mema, dhe ky i fundit i lirë para kuadratatit të portës, bëri punën më të lehtë, duke shënuar golin e barazimit 1-1, çka hapi dhe ndeshjen.

Kur të gjithë prisnin të luanin shtesat, në minutën e 92-të takimit Hair Zeqiri galopoi fuqishëm drejt zonës bardheblu, duke poshtëruar Nallbanin me topin e kaluar mes këmbëve, e vulosur përfundimisht rezultatin 2-1 e fitimin për herë të tretë të Kupës së Shqipërisë nga ana e Flamurtarit.

TIRANA-FLAMURTARI 1-2
Shënues: Dabulla 42’/ Mema 65’, Zeqiri 92’
Finalja e Kupës së Shqipërisë. Edicioni i 57-të
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës,
E mërkurë, 6 maj 2009, ora 16:00

TIRANA: Nallbani; Dabulla, Osmani (46’ Muzaka), Pezo, Abraham, Agolli, Devolli, Patushi (78’ Sefa), Muka (kap.), Xhafa, Memelli. Trajner: Agustin Kola

FLAMURTARI: Moçka; Begaj, Paniç (kap.), Veliu, Kuqi, Strati (54’ Shehaj), Beqiri, Zeqiri, Alvizh (70’ Brajkoviç), Çaushaj, Mema. Trajner: Eqerem Memushi

Gjyqtar: Bardhyl Pashaj, Ergin Doda, Denis Rexha. Gjyqtar i katërt: Sokol Rexhaj

1’- Topin e parë e luajti Flamurtari, skuadra që e ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë. Finalja e 11-të që luhet prej skuadrës vlonjate, nga këto 8 të humbura.

4’– Portieri veteran i Tiranës, Blendi Nallbani, reagoi mirë pas një silure të braziliano-kroatit Robert Alvizh nga goditja standarde, duke e devijuar atë në goditje këndi.

14’- Ilirjan Çaushaj u shfaq i vetëm përballë Nallbanit, mesfushori i Flamurtarit hezitoi, e më pas pasoi për Devis Memën, por sulmuesi korçar i vlonjatëve, nuk ndodhej në vendin e duhur. Flamurtari shpërdoroi një mundësi të mirë shënimi.

15’– Devi Muka i shpëtoi bukur mbulimit të Begës në të anën e djathtë të sulmit bardheblu, harkoi në zonë për Memellin, ky i fundit goditi me kokë, në qëndër të portës, por portieri i Shpresave të Shqipërisë, Shpëtim Moçka, reagoi në mënyrë perfekte.

32’- Çaushaj është edhe protagonisti i gjysëmorëshit të parë të takimit. Mesfushori i Flamurtarit shënjestroi shpesh nga larg portën e Nallbanit, por disa nga goditjet e tij ishin jashtë kuadratit dhe të parrezikshme.

33’- Mesfushori bardheblu Saimir Patushi goditi nga rreth 22 metra me të majtën, por Moçka në stërzgjatjen e tij në krahun e djathtë i mohoi golin Tiranës, duke grushtuar topin.

36’- Çaushaj lëshoi një korridor të bukur për Alvizh, braziliano-kroati i ndodhur në të majtë të zonës së rreptësisë, nuk goditi, por preferoi të pasonte, ndërhyri Dabulla, duke e devijuar në goditje këndi.

42’ – Dabulla çoi shifrat në 1-0. Kapiteni Devi Muka ekzekutoi një goditje të lirë në afërsi të këndit të flamurit, harkimi ishte i lartë në zonë, dhe aty mbrojtësi 29-vjeçar Rezart Dabulla kërceu fuqishëm mbi Çaushajn, duke shënuar me kokë golin për Tiranën.

54’- Çaushaj dha një top për zëvendësuesin Ardit Shehaj, ky i fundit goditi bukur nga rreth 20 metra, por Nallbani reagoi mirë. Ngacmimi i parë i Flamurtarit në pjesën e dytë.

65’ - Zeqiri i shpëtoi mbulimit të Dabullës, më pas shmangu edhe ndërhyrjen e Abrahamit, Nallbani doli nga porta, lojtari i Flamurtarit i dhuroi pasin e artë sulmuesit Devis Mema, dhe ky i fundit i lirë para kuadratatit të portës, bëri punën më të lehtë, duke shënuar golin e barazimit. 1-1. Portreti i presidentit vlonjat Shpëtim Gjika shprehu gëzim të jashtëzakonshëm në tribunën “VIP”.

92’- Hair Zeqiri galopoi drejt zonës bardheblu, duke poshtëruar Nallbanin me topin e kaluar mes kemëbve, e vulosur përfundimisht rezultatin 2-1 e fitimin për herë të tretë të Kupës së Shqipërisë nga ana e Flamurtarit.

E Merkure, 06 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›