E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari i Vlorës i rikthehet lavdisë së dikurshme

Durrës - Flamurtari i Vlorës është fituesi i edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë. Skuadra vlonjate arriti të mposhtë kryeqytetasit e Tiranës me rezultatin 2-1 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Goli i shënuar nga Zeqiri në minutën e tretë shtesë të takimit e dërgon për të tretën herë në qytetin bregdetar këtë trofe, i cili është i dytë për nga rëndësia pas kampionatit.

Tirana e drejtuar nga Agustin Kola ishte e para që kaloi në avantazh me anë të Dabullës në minutën e 42-të. Në pjesën e dytë futbollistët e Flamurtarit u futën më të motivuar në fushë. Goli i barazimit erdhi nga Mema pas një rrëmuje në zonën e Tiranës.

Në sekondat e fundit Zeqiri shtang kryeqytetasit dhe çon në dëlir të gjithë tifozerinë vlonjate me golin e fitores. Tifozët e ardhur nga Vlora ishin të shumtë në numër për të përkrahur skuadrën e lavdishme të Flamurtarit, e cila i rikthehet trofeve pas shumë vitesh.

Flamurtari është fitues për të tretën herë i Kupës së Shqipërisë. Fishkëllima e fundit e gjyqtarit kryesor nisi edhe festën e vlonjateve.

Futbollistët mbanin në krah kryebashkiakun Shpëtim Gjika, i cili është njeriu kryesor për rikthimin e Flamurtarit në majat e futbollit shqiptar.

“Kaq shumë sa sot nuk jam gëzuar as kur u zgjodha kryetar i Bashkisë së Vlorës”, u shpreh Shpëtim Gjika pas marrjes së trofeut.

Kupa u dorëzua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili njihet si një tifoz i zjarrtë i skuadrës së Tiranës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›