E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona kualifikohet për në finale

Ekipi spanjoll i Barcelonës u kualifikua në finale falë golit të Andres Iniestës në minutën e 93. Megjithëse ndeshja përfundoi në barazim 1-1, Barcelona kualifikohet pas barazimit 0-0 në Kamp Nou.

Në fakt blutë e Londrës ishin ata që luajtën shumë më mirë përgjatë gjithë ndeshjes dhe nuk i lanë fare hapësira sulmit vrasës së Barçës. Mesi dhe lojtarët e sulmit të Barçës u dubluan në markim mjaft mirë nga ekipi i Hidink. Pas golit të bukur të Esien në minutën e 9 të pjesës së parë, Çelsi qe më i qartë dhe sulmoi në mënyrë konstante portën e mbrojtur nga Valdes. E kur ndeshja po shkonte drejt fundit dhe lojtarët e Çelsit po mendonin të hakmerreshin në finale ndaj Mançesterit, në minutën e 93, Iniesta me një gjuajtje të bukur në afërsi të zonës shënoi duke ekzaltuar katalanasit dhe trishtuar londinezët.

Megjithatë, protagonisti i vërtetë i takimit ishte arbitri Ovrebo, i cili nuk dha të paktën 3-4 penallti për ekipin londinez si dhe me pa të drejtë nxori me karton të kuq Abidal në minutën e 73 të takimit.

Tani, Barcelona do ketë kohë të përgatitet deri më 27 maj për finalen e Romës. Ndërsa të gjithë futbolldashësit do duhet të presin edhe tre javë për të parë një spektakël të garantuar pasi dy ekipet më të forta dhe me futbollin më spektakolar të Evropës, Mançester dhe Barcelona, do të përballen për të kurorëzuar mbretëreshën e kontinentit.

Çelsi –Barcelona 1-1
Shënues: Esien 9’, Iniesta 93

Çelsi: Çeh; Bosingva, Aleks, Terri, A. Kol, Esien, Balak, Lampard; Maluda, Anelka, Drogba (Beleti). Tr. Hidink.
Barcelona: Valdes; Alves, Jaja Ture, Pike, Abidal; Keita, Busket (Bojan), Ksavi; Iniesta (Gudjonsen), Mesi, Eto (Silvinjo). Tr. Guardiola
Arbitër: Ovrebo (Norvegji)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›