Flamurtari pezullon 6 futbollistë titullarë
VLORE- Klubi i Flamurtarit ka pezulluar 6 futbollistë titullarë pas rezultateve të dobta të këtij sezoni. Mungesa e impenjimit apo thyerja e disiplinës ka qenë shkaku i kësaj mase të marrë nga drejtuesit pas ndeshjes së barazuar 1-1 me Shkumbinin. Edhe pse e nisi kampionatin me një fitore ndaj Tiranës, skuadra vlonjate ka dhuruar një ecuri vërtetë të dobët, duke u renditur në zonën e ftohtë të Superligës. Lojtarët e pezulluar janë Shpëtim Moçka, Halim Begaj, Bledjon Guga, Orjad Beqiri, Marius Ngjela dhe Marko Bashiç. Këta dy të fundit janë larguar përfundimisht nga ekipi, ndërsa futbollistët e tjerë janë duke u stërvitur me skuadrën e të rinjve. Flamurtari ka marrë vetëm 7 pikë pas 8 javëve të para, duke regjistruar dy fitore, një barazim dhe 5 humbje. Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë sezonin e shkuar, kjo skuadër e nisi kampionatin me synimin për të fituar titullin kampion.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)