Virusi A/H1N1 mund të rrezikojë Premier Ligën Angleze
LONDER- Gripi i derrit duket se është kthyer në një problem serioz në Angli, ku disa futbollistë të Blekbërnit kanë rezultuar të prekur nga virusi A-H1N1. Por, trajneri i tyre Sem Allardajs ka bërë të ditur se tashmë mund të jenë në rrezik edhe lojtarët e Çelsit, që të shtunën ishin në kontakt direkt me këtë skuadër, në kuadër të ndeshjeve të javës së 10-të në Premier Ligë. Në fushë ishin 3 futbollistë të Blekbërnit që kishin simptomat e sëmundjes, ashti si Dejvid Dan dhe Kristofer Samba, që tashmë janë diagnostikuar dhe janë duke u mbajtur nën kujdesin e mjekëve. Daily Star flet edhe për një futbollist të tretë dhe dy anëtarë të stafit që mund të jenë prekur nga virusi i gripit të derrit. “Nuk kam asnjë dyshim se kjo sëmundje mund të ketë goditur futbollistët e Çelsit, pasi bëhet fjalë për një virus që përhapet shumë shpejt, - ka thënë trajneri i Blekbërnit Sem Allardajs. – Nëse edhe lojtarët londinezë janë prekur, atëherë faji është i drejtuesve të Premier Ligës, pasi ne i lajmëruam për atë që po ndodhte”, ka deklaruar më tej ai. Një zëdhënës i Premier Ligës ka bërë të ditur gjithashtu se për momentin hipoteza e shtyrjes së ndeshjeve nuk është marrë parasysh. Gripi i derrit te 3 lojtarë të Paris Sent Zhermen, bëri që ndeshja e të dielës në kampionatin francez mes kryeqytetasve dhe Marsejës, të shtyhej. Nëse raste të ngjashme do të shfaqen edhe në skuadra të tjera angleze, rrezikon që edhe aty një pjesë e ndeshjeve të shtyhen. Futbolli është nga sportet më të rrezikuar nga gripi i derrit, për shkak të kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve apo masivizimit të këtij sporti. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)