Flamurtari sfidon Hysin
Hysin të dielën e pret një udhëtim mjaft i vështirë, pasi në kryeqytet do të ballafaqohet me Flamurtarin, në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Për bardhezinjtë ky takim është shumë i rëndësishëm në luftën e tyre për titullin e kampionit. Ekipi nga Merdari është i vetëdijshëm se nuk guxon të gabojë në këtë sfidë, pasi vetëm me fitore do të mund të mbetet akoma në luftë për titull të kampionit, krahas liderit aktual dhe favoritit kryesor për ta fituar këtë trofe, Prishtinës.
“Pres që futbollistët e mi të angazhohen maksimalisht në këtë takim dhe përmes lojës së mirë të arrijmë t’i fitojmë tri pikë të reja”, ka thënë trajneri i Hysit, Fadil Ademi.
Mirëpo, bardhezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë objektivin, pasi edhe Flamurtari do të mundohet ta shfrytëzojë maksimalisht përparësinë e terrenit dhe ta fitojë këtë duel, me ç’rast gjasat e Hysit për ta rrëmbyer titullin e kampionit do të minimizoheshin dukshëm.
Kuqezinjtë nga Prishtina, të cilët sivjet janë shumë të rrezikuar, assesi nuk guxojnë të ‘kiksojnë’, sepse përndryshe do t’u vështirësohej rruga për mbijetesë.
“Kemi gabuar shumë deri më tani dhe ato gabime nuk guxojmë t’i përsërisim më. Andaj, nga fillimi e deri në fund të ndeshjes do ta japim maksimumin për të fituar. Fitorja na nevojitet jashtëzakonisht shumë”, ka pohuar sulmuesi i kësaj skuadre, Artan Gashi.
Njëherësh, Flamurtari në këtë takim do të mundohet ta korrigjojë gabimin e disa javëve më parë, kur para shikuesve të vet u mposht pikërisht nga Hysi.
Po të dielën, zhvillohen edhe katër takime të tjera të kësaj jave. Favoriti kryesor për ta fituar titullin e kampionit, Prishtina do të jetë mysafire e Drenicës, e cila po lufton për ekzistencë. Pa dyshim, kjo sfidë është mjaft e vështirë për bardhekaltrit. Kjo xhiro do të jetë shumë e rëndësishme edhe për tri skuadra të tjera që po luftojnë po ashtu për mbijetesë, Ballkanin, Vëllaznimin e Ferizajn. Të tria këto ekipe do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terreneve të tyre për t’i mposhtur Besën, respektivisht Lirinë e Trepçën.
Superliga – xhiroja e 24-t
E diel
Drenica – Prishtina
Ferizaj – Trepça
Vëllaznimi – Liria
Ballkani – Besa
Flamurtari – Hysi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00