Roma amerikane

Biznesmeni amerikan, Thomas DiBenedetto kompletoi marrëveshjen e shumëpritur për blerjen e klubit italian të futbollit, Roma duke përfunduar udhëheqjen 18-vjeçare të familjes Sensi. Roma është bërë klubi i parë nga Serie A me pronar të huaj.
“Jemi shumë të lumtur”, tha DiBenedetto, i cili është partner i New England Sports Ventures, kompania që ka në pronësi Liverpoolin dhe klubin e bejsbollit, Boston Red Sox. Sipas medieve italiane, grupi për 67 % të klubit pagoi rreth 70.3 milionë euro. DiBenedetto dhe grupi i tij posedon 60 % të konsorciumit të ri, ndërsa banka italiane UniCredit mban 40 % të mbetura.
“Aspekti i biznesit ka qenë shumë i rëndësishëm, por e dua Romën dhe dua të bëj diçka të madhe për këtë qytet. Jam krenar për origjinën time italiane dhe për këtë arsye do të bëj gjëra të mëdha. Nuk kam pritur kaq shumë vëmendje. Kam qenë në njohuri për pasionin e madh nga romakët dhe kjo ka qenë njëra prej arsyeve për atë që kam bërë. E ndaj këtë pasion. Kurrë nuk kam luajtur futboll, por babai im luajti në American Soccer League”, shtoi ai.
Bisedimet duket se nuk kishin qenë aspak të lehta.
“Kam qenë disa pika të komplikuara, por asnjëherë nuk kam menduar të dorëzohem. Isha i vendosur t’i kaloj pengesat dhe falë durimit të bankës dhe partnerëve tanë, ne i tejkaluan këto vështirësi”, u shpreh ai.
Biznesmeni amerikan ka ide të qarta rreth të ardhmes së klubit. Francesco Totti dhe Daniele De Rossi janë futbollistët kryesorë të ekipit, ndërsa edhe vijnë nga Roma, andaj DiBenedetto kërkon edhe më tepër talentë të qytetit.
“Me rregullat e reja rreth fer-plejit financiar, do të vihet rëndësi më e madhe te futbollistët e rinj. Dua të sjell futbollistët më të mirë nga Roma, ndërsa shumë prej tyre tashmë i kemi në ekip”, theksoi ai. DiBendetto ishte pyetur edhe për mesazhin mikpritës të pronarit të Milanit, Silvio Berlusconi, i cili i kishte thënë se në Serie A nuk ka përfitime.
Ai u përgjigj: “E falënderoj Berlusconin për fjalët e tij. Synimi im është të kemi të njëjtin sukses në Romë siç kishte ai në Milan”. Shitja e Romës ka zgjuar vëmendje të madhe nga mediet në Itali. Corriere dello Sport me qendër në Romë në ballinën e saj të shtunën shkruante: “Roma amerikane: po!” “DiBenedetto, i gatshëm për lansimin e një super projekti”. Ndërsa Il Messagero shkruante: “Roma e re është amerikane. Brenda një muaji, DiBenedetto do të bëhet president”. Gazzetta dello Sport në ballinë mbante titullin “Nënshkrimet janë bërë. Roma amerikane. Gati 40 milionë për të shpenzuar në afatin kalimtar”.