E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flash: Rekord i ri botëror – gol për 9 sekonda

Sulmuesit të ri brazilian, Fabinho, i janë dashur vetëm nëntë sekonda që të shënonte gol dhe ta thyente rekordin e vendosur nga turku, Hakan Sukur, në Kampionatin Botëror të futbollit, në vitin 2002.
Në Kampionatin Botëror të futbollit U-17, që ka filluar të shtunën në Korenë Jugore, Fabinho e shënoi këtë gol super të shpejtë, në ndeshjen që ka zhvilluar kombëtarja e tij kundër Zelandës së Re.
Sulmuesi brazilian e ka thyer kështu rekordin e vendosur nga Sukur, i cili në vitin 2002 në ndeshjen për vendin e tretë në Kampionatin Botëror, kishte shënuar gol kundër Koresë Jugore, për vetëm 11 sekonda.
Pos Fabinho, në këtë ndeshje kanë shënuar edhe gjashtë futbollistë të tjerë të Brazilit, për fitoren e thellë prej 7 me 0.

Emerson dhe Cicinho jashtë ndeshjes së Super Kupës
Mesfushori, Emerson, dhe mbrojtësi i djathtë, Cicinho, janë harruar nga skuadra e Realit për ndeshjen e dytë, kthyese, të Super Kupës së Spanjës kundër Sevillas, pas spekulimeve për largim të tyre.
Emerson ka shprehur pakënaqësinë e tij në mediat italiane, rreth kolapsit të kalimit të tij në Milan, derisa edhe braziliani Cicinho, është lidhur me kalim të mundshëm tek Sevilla ose Roma.
"Në Madrid nuk jam i kënaqur, ju duket e pabesueshme dhe fyese kur lojtari i Real Madridit flet se dëshiron të largohet. Ndoshta dikush e ka të vështirë ta kuptojë, njerëzit mund të mendojnë se jam i cmendur. Por, nëse Real dëshiron të më mbajë unë do t'i plotësojë detyrat e mia, nuk jam fëmijë", ka thënë Emerson për Gezetta dello Sport.
Ndeshja kthyese e Super Kupës së Spanjës, mes fituesit të La Liga (Real Madrid) dhe fituesit të Copa del Rey (Sevilla) do të zhvillohet nesër (e diel) në Bernabeu, derisa ndeshja e parë, e luajtur vikendin e kaluar, përfundoi me rezultat 1-0 në të mirë të Sevillas.

Torres: Titulli i Premier Ligës prioritet i Liverpoolit
Sulmuesi i ri Fernando Torres thotë se klubi do të koncentrohet në fitoren e titullit në Premier Ligë, të cilin për herë të fundit e fitoi në vitin 1990. Torres pritet të bëjë debutimin në Anfield, në ndeshjen kundër Chelseat, që zhvillohet të dielën.
Fitorja, ose humbja e pamenduar, mund të përcaktojë tonin e gjithë fushatës së Liverpoolit në Premier Ligë. Torres konfirmon se menaxheri, Rafa Benitez, dhe lojtarët e tij janë të gjithë të fokusuar në arritjen e suksesit në ligën vendore.
"Është e habitshme, unë erdha duke menduar për Ligën e Kampionëve, por në ekip cdokush mendon për Premier Ligën", ka thënë Torres për "The Sun". "Kjo pasi që shumica e tyre fituan në Stamboll por nuk kanë fituar titull. Sigurisht, as unë. Klubi ka kaluar 17 vite pa e fituar dhe cdokush beson se këtë vit mund ta fitojmë".
Torres, që erdhi nga Atletico Madrid, për rreth 30 milion euro, rreth ndeshjes me Chelsean shton: "Ndeshja kundër Chelseat në Anfield është loja për të cilën kam qenë më së shumti i emocionuar të luaj që kur kam nënshkruar për Liverpool. Duket si një ndeshje e Ligës së Kampionëve".

Telegrafi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›