Tirana, ndaj Besës luhet trofeu i parë i sezonit

Tirana dhe Besa do të celin zyrtarisht sezonin e ri futbollistik, me finalen e Superkupës që do të luhet sot në orën 17.00 në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Në valle është trofeu i parë sezonal dhe dy skuadrat do ta kërkojnë atë me ngulm, kjo duke pasur edhe një formë të mirë fizike për shkak të pjesëmarrjes në kompeticionet europiane në verë. Bardheblutë kanë zhvilluar dje pasdite në "Skënder Halili" stërvitjen e fundit përpara kësaj sfide, teksa trajneri Starova ka ndarë edhe detyrat, duke qenë se e ka të qartë fizionominë e lojës së Besës. Ai i ndoqi kavajasit në takimin e ditës së enjte kundër Liteksit dhe ka një plus më shumë në krahasim me rivalin Dumitresku për përgatitjen e finales. Ndeshja do të ndiqet nga afër edhe nga trajneri i kombëtares Oto Baric, që pritet të ketë edhe një takim forma me Starovën për të sqaruar deklaratat e publikuara pak javë në media, ku u përfol për një kritikë të kroatit për mënyrën e vendosjes taktike të Tiranës në ndeshjen e luajtur në Slloveni ndaj Domzhales. Përsa i përket Besës, ajo vjen në këtë ndeshje pas sfidës në UEFA me bullgarët e Liteksit, që do të thotë se Dumitresku ka në dispozicion një ekip më të lodhur.
GazetaShqiptare