Flet avokati i Ergys Agasit, Haxhia: Klienti im është jashtë çdo përgjegjësie juridike, pa funksion shtetëror, nuk ka prekur fondet publike

Avokati i biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës pas 8 muajsh arrati, ka zhvilluar sot një takim me klientin e tij në qeli dhe më pas ka folur për mediat.
Maksim Haxhia deklaroi se pala mbrojtëse kërkon të njihet me dosjen e plotë, pasi pa të nuk mund të ngrejë pretendime të bazuara.
Takimi mes avokatit dhe Agasit ka zgjatur rreth 30 minuta në ambientet e Bllokut të Sigurisë “Mine Peza”. Seanca gjyqësore për konfirmimin e masës së sigurisë “arrest me burg” pritet të mbahet në ditët në vijim.
“Ky është një takim i parë, ku përgatitemi për procesin që është në ditët e afërta, lidhur me verifikimin e masës dhe kushteve të masës së sigurimit që është arresti me burg. Zhvillova një takim sot me klientin tim Ergys Agasi. Kuptohet që ne si palë mbrojtëse duam që të njihemi me dosjen. Pa e pasur atë, nuk kemi si të ngremë pretendimet. Është e turpshme që edhe pas kaq shumë kohësh, edhe pse kemi bërë kërkesë dhe i jemi drejtuar ILD, na është mohuar një e drejtë, sepse pa dosje nuk mund ngremë pretendime,” tha Haxhia.
Ai shtoi se Agasi mohon çdo përfshirje në financat publike.“Zoti Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon dhe është fakt që nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka qenë në funksionet e autoriteteve që menaxhojnë financa publike. Nuk ka marrë pjesë as në tendera publike. Media e ka zmadhuar problemin,” u shpreh avokati.
I pyetur nga se përse Agasi nuk ishte dorëzuar më herët nëse është i pafajshëm, avokati Haxhia reagoi me tone kritike ndaj procedurës.
“Problemi është sepse këta të fusin në burg, pastaj e di atë historinë që të marrin, të presin këmbën, pastaj ta numërojnë: i ke apo s’ke dy? Kupton apo jo? Dhe kjo është një praktikë e vendosur, që në fillim të fusin në burg, pastaj bëjnë hetim. Ndërkohë që duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetimet, të mbledhin provat dhe pastaj t’i drejtohen gjykatës në raport me veprën, me rrezikshmërinë apo jo të personit dhe me gjithë ngarkesën në publik, për të kërkuar një masë të përshtatshme, me të gjitha ato orientime që ka dhënë gjykata.”
SPAK ka sqaruar se Agasi është nën hetim që prej vitit 2025 dhe ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Në të njëjtën dosje akuzohet edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i arrestuar në Francë, ndërsa drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi është lënë në “detyrim paraqitje”.
/rtsh.al/