E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletorja e Majës, romani i zi

Në romanin e fundit të saj, shkrimtarja Isabel Allende flet për botën e errët të drogës, ku të tre fëmijët e bashkëshortit të saj kanë vuajtur nga varësia e lëndëve narkotike.

Është kjo ajo që Isabel Allende tregon në romanin e fundit, një “roman i zi” për botën e drogës. “Po, sepse tre fëmijët e burrit tim e kanë kaluar këtë ferr”. “Nëse do të më pyesnin se çfarë po bëja në orën tre të pasdites në shtëpinë time kaliforniane, do t’u thosha se përkthej në anglisht librin tim të fundit, ‘Fletorja e Majës’. Por është një përjashtim, sepse unë të shtunave nuk punoj. Por atë ditë ishte ditëlindja e djalit tim, Nicholas, ditë kur unë gatuaj gjithmonë pjatën e tij të preferuar charquican, d.m.th, mish viçi me perime, patate, kunguj dhe misër”.

Pas 25 vjetësh jetë amerikane, tashmë duhet të jeni ambientuar? Nuk keni më nostalgji për Kilin?

Fati im është se duhet të jem gjithmonë e huaj. Njerku im ishte një diplomat, kam ndryshuar shpesh kolegë, shkolla dhe miq. Pastaj për shkak të grushtit të shtetit kilen, jetova si refugjate në Politikën e Venezuelës dhe tani jetoj si emigrante në Kaliforni. Por edhe kur kthehem në Kili, edhe atje ndihem pak e huaj.

“Fletorja e Majës” është një lloj ‘romani i zi’, bashkëkohor: protagonistja ka probleme me drogën dhe alkoolin, arratiset nga Kalifornia për të mos pasur probleme me shpërndarësit e tjerë. Varësia ndaj substancave narkotike është një problem që ju e njihni mirë...

Të tre fëmijët e bashkëshortit tim kanë qenë të droguar. Më i madhi, që tani është 47 vjeç, ka kaluar një jetë shumë të trishtuar. Nuk ka gjetur kurrë një punë fikse, ka përfunduar shpesh në burg dhe e bija vdiq në moshën 28-vjeçare për të njëjtin problem. Më i vogli ka jetuar në rrugë, duke pirë heroinë për dhjetë vjet. Me pak fjalë, i kam parë vetë pasojat e kësaj varësie të tmerrshme, nga faza fillestare deri tek vdekja, dhe shumë pak mundësi për të shpëtuar.

Para se të martoheshit, bashkëshorti juaj ju pati thënë se me çfarë mund të përballeshit?

Po, por nuk kisha eksperiencë për këtë, ndaj mendova se do ta zgjidhnim ashtu siç kilianët thonë: me rregulla dhe dashuri. Isha arrogante dhe e paditur. Prindërit janë thuajse impotentë: droga është kudo.

Ky roman, me pak fjalë, ka për qëllim t’u tregojë të rinjve përmes një rrëfimi, se droga mund t’i shkatërrojë?

Është një libër për të rritur, që flet për të rinjtë. Jam e rrethuar nga adoleshentë në familje, mbi të gjitha nipërit, që prej kohësh më kërkonin të shkruaja një libër që fliste për brezin e tyre. Në romanet e mia nuk ka mesazhe, unë shkruaj vetëm sepse më intereson dhe dua ta eksploroj një temë deri në fund. Pastaj, kush jam unë për të dhënë mesazhe?

Çfarë mendon për depenalizimin?

Jam plotësisht dakord. Kundrejt sjelljeve armiqësore ndaj narko-trafikantëve duhet të investojmë në edukimin e të rinjve, në rehabilitimin përmes sportit, muzikës, kulturës. Maja ja del mbanë, sepse është e shëndetshme falë bazave që gjyshërit i kanë dhënë.

Na tregoni pak për gjyshërit tuaj?

Kur isha tre vjeç, babai im u largua dhe pastaj nuk e pashë më kurrë. Mamaja u kthye në shtëpinë e prindërve dhe unë u lidha shumë me gjyshin: ishte një bask i ashpër, shumë i kursyer me puthjet dhe përkëdheljet, por më dha siguri dhe qëndrueshmëri.

I shkruani ende çdo ditë mamasë suaj 91-vjeçare?

I kam sirtarët plot me letra, nga një për çdo ditë. Aty brenda është jeta ime, ajo e mamasë sime, pra jeta jonë. Çdo 12 muaj ajo më kthen letrat që i kam dërguar. I jam betuar se nuk do të publikoj asgjë dhe i kemi premtuar njëra-tjetrës se do t’i djegim kur njëra nga të dyja do të vdesë, por nuk mendoj se do ta bëj. Kur ajo nuk do të jetë më, mund të lexoj për çdo ditë të jetës sime nga një letër të saj. Pastaj unë do vazhdoj të dërgoj letra edhe në një adresë që nuk ekziston, me shpresën se ajo do t’i lexojë. Nuk e di nëse ekzistojnë shpirtrat, por me siguri mund t’iu them se ndihem shumë afër vajzës sime, Paula.

Vajzës që ju humbët 28 vjeçe në 1992-shin e të cilës i keni dedikuar një libër me të njëjtin titull...

Ka foto të saj gjithandej nëpër shtëpinë time. Nuk kalon asnjë ditë pa marrë ndonjë letër që flet për të. Ekziston një fondacion me emrin e saj. Sa herë që firmos ndonjë çek për të ndihmuar dikë, më duket sikur është vetë Paula që firmos. Po, ajo është gjithmonë me mua. Nuk mund ta besoj se me vdekjen e një personi zhduket gjithçka, diçka duhet të qëndrojë, ndoshta në të tjera forma.

Bashkëshorti juaj, William Gordon, është avokat, e tani edhe shkrimtar?

Po, ka nisur të më konkurrojë. Erdha këtu me një valixhe, për ta provuar të qëndroja një javë, që më pas u bënë dy e pastaj gjashtë muaj. Kur pata nevojë për lejen e qëndrimit, i thashë se nëse donte që të qëndroja, duhej të martohej me mua. Dridhej nga frika. Më tha se duhej të mendohej pak. Iu përgjigja se kishte kohë deri ditën tjetër në mesditë për t’u menduar. Ditën tjetër më tha: OK, martohemi. Historia jonë zgjat prej 25 vjetësh dhe fakti se edhe ai po bëhet shkrimtar nuk më shqetëson aspak.

E sigurt? Në përpalljen me ju ai humb që në fillim.

Ka pasur gjithmonë dëshirë të shkruaj. Kur u njohëm dhe më tregoi historinë e mrekullueshme të jetës së tij, i kërkova që ta shkruaja në një libër. Më vonë, kur i reduktoi ritmet e punës, nisi të shkruante romane policeskë, të ambientuar në San Franciskon e viteve ‘60. Ka ecur vërtet mirë.

Dy shkrimtarë në një çati, mos janë shumë? Aq më tepër që njeri mban mbiemrin Allende...

Jetojmë në majë të një kodrine me pamje magjepsëse në gjirin e San Franciskos, në një shtëpi të madhe të rrethuar nga pemë. Unë punoj në një dhomë të vogël në fund të kopshtit, sepse duhet të jem krejtësisht në vetmi për shumë orë me radhë. Përkundrazi, William është hiperaktiv. Bën shumë gjëra në të njëjtën kohë. I tregojmë njëri-tjetrit se çfarë jemi duke bërë, por nuk i lexojmë kurrë. Mes nesh funksionin kështu. Ai ende nuk ka ndonjë emër të madh, por nuk ka zili dhe është i lumtur për suksesin tim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›