Kuze siguroi ‘kumarxhinjtë’

Në bazë të materialit audio, të cilat tashmë i ka publikuar edhe Top Channel, një person i ashtuquajtur “Portugezi” i propozon kreut të një prej katër grupeve, me emrin Markos Karamberis, të luajë shuma të mëdha parash në dy ndeshjet miqësore të Kombëtares shqiptare të verës së kaluar, ndaj Argjentinës dhe Malit të Zi.
Për këtë, “Portugezi” i thotë bashkëbiseduesit të tij se kishte marrë ‘garanci’ nga Josip Kuze, i cili në atë kohë drejtonte ekipin kuqezi.
“Fola me trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë. Natyrisht, ai më mori vetë. Kishim ca kohë pa folur. Më tha ç’bëhet etj... I them të kërkoja të dielën se kisha një ndeshje të të jepja dhe nuk munda të të gjej, që ta kapje...Më thotë, po pse si do e bëje...e nejse…dhe i them...ç’bëre, ndonjë gjë me ndonjë miqësore? Më thotë: Luajmë miqësore në qershor në Argjentinë. Po, shkojnë të luajnë Argjentinë – Shqipëri, por në gusht më thotë se do luajmë me Malin e Zi në Tiranë. Aty, më thotë, mund të bëjmë çfarë të duam. Aty mund të luajmë shumë fort Marko”, thotë pos të tjerash “Portugezi”, gjatë bisedës së tij me Markos Kamberin.