E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flokëkuqja e Hollywoodit

“Për ne flokëkuqet është e vështirë të bësh para në Hollywood”, këto janë fjalët e një prej aktoreve që tanimë është kudo: në filmat western, të animuar, madje edhe në një film për Bin Laden. Ajo nuk flet kurrë për jetën e saj private, sepse sipas saj është diçka që nuk i përket askujt tjetër.

Kur një gazetar skandinav që e ndiqte hap pas hapi Jessica Chastain për t’i bërë një intervistë e pyeti: “Desha t’ju pyes nëse gjyshja që ju shoqëroi në mbrëmjen e ‘Oskar’, ishte nga nëna apo babai”, ajo iu përgjigj “është një pyetje shumë private”.

Jessica Chastain, sipas një përcaktimi që ajo i ka bërë vetë vetes është “aktorja e panjohur që shumë shpejt do t’i bëjë për vete të gjithë”. Do të jetë gjithandej, me dy filma që priten të dalin së shpejti dhe katër të tjerë në “përpunim” e sipër. Të gjithë do thonë sa e zonja që është (prej vitesh nuk ishte parë një talent i tillë), ndërsa janë të shumtë ata që e krahasojnë me Meryl Streep në fillimet e saj.

“Time” e ka renditur tashmë mes 100 personave më me influencë në botë në klasifikimin e 2012-s dhe një pjesë e biografisë që shkruhet për të në Wikipedia u referohet komenteve për moshën e saj, sepse ajo kurrë nuk e ka treguar as atë. Kur e pyet se përse e ka ngritur kultin e privatësisë në këtë mënyrë ajo përgjigjet: “Nuk është se kam frikë nga bota përreth, por jam shumë e vendosur të mbroj njerëzit që dua. Familja ime nuk ka lidhje fare me kinemanë dhe unë dua të jem e lirë të kthehem tek ata për Krishtlindje pa gjetur te dera paparacët që më presin me padurim.

Thashethemet janë të zakonshme në botën tonë. Dua të qëndroj larg tyre”. Ndoshta për këtë arsye është shumë e rezervuar në atë që bën: “Kam shumë shoqëri. Me të ndaj ambiente jo shumë publike. Për më tepër takohem edhe me djem, madje kam edhe të dashur, por kurrë në publik nuk puthem apo të eci dorë për dore me të. Sigurisht që kur të takoj dikë me të cilin do dua të ndaj jetën mund ta bëj”.

Për sa i përket pyetjes që gazetari skandinav i bëri se me cilën gjyshe ishte e shoqëruar në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve “Oskar” ajo thotë: “I thashë familjes time të tregohej shumë e kujdesshme me shtypin. Edhe gjyshja bëri të njëjtën gjë. Kur në tapetin e kuq e pyesnin se nga vjen, ajo përgjigjej: “Nga Kalifornia Veriore”. Asnjë nga miqtë e vëllezërve të mi (në familje janë 5) nuk e di që jam aktore”. Jessica tregon se miqtë e qytetit të saj të lindjes në veri të Kalifornisë i sheh gjithmonë e më rrallë edhe pse i mungojnë shumë. “Jeta është e bërë kështu. Jemi të gjithë larg njerëzve me të cilët kemi ndarë shumë gjëra. Për fat të mirë ekziston “Skype” që më ka ndryshuar jetën.

Nuk ka asgjë më të bukur se sa lotët përmes Skype me shoqen tënde më të mirë, kur të dhemb zemra nga ndonjë histori e shkuar keq. Jesicca tregon shumë pak për veten, është e rezervuar në çdo fjalë që thotë. Megjithatë, nuk ngurron të pranojë se ka studiuar në të famshmen Juilliard. “Kam studiuar aty, jam rritur në një qytet pa teatro, pa kinema. Dhe filmin tim të parë e kam parë kur shkova në Nju Jork për të studiuar në Juilliard. Është e pabesueshme të përshkruash sa shumë pasion ka në ato korridore.

Për herë të parë pashë shumë njerëz të ngjashëm me mua që vinin të gjithë nga qytete të vogla dhe kishin të njëjtën ëndërr si unë”. Për sa i përket ëndrrës për t’u bërë aktore ajo tregon se e kishte kuptuar shumë shpejt pavarësisht se në familjen e saj, mamaja kuzhiniere dhe babai zjarrfikës nuk kishin lidhje me kinemanë.

“Në moshën 7-vjeçare e kuptova se do bëhesha aktore. Shkova me gjyshen në teatër dhe aty ndjeva diçka të veçantë. Prindërit më kanë ndihmuar me aq sa kanë pasur mundësi, por më shumë ia kam dalë mbanë vetë. Edhe pse në Los Angelos askush nuk e dinte në fillim se ç’do bëhej me mua”. Filmi i saj i parë, edhe pse shumë pak mund ta dinë ka qenë “Tilde Salome” me të madhin Al Pacino. “Unë jam me flokë të kuqe, diçka e rrallë në Hollywood.

Praktikisht vetëm unë dhe Julianne Moore jemi të tilla. Është shumë e vështirë sot për njerëzit e “rrallë” që të çajnë. Aq më tepër në Hollivud”. Në fund, sigurisht asnjë fjalë për projektet e reja. Kur e pyet se po punon me regjisoren e famshme Kathryn Bigelow për një film mbi Osama Bin Laden përgjigjet: “Kathryn më dërgoi një e-mail ku shkruhej: “Mos thuaj asnjë fjalë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›