Flora, unë jam me ty
Gjatë gjithë pasdites së djeshme, lajmi se Flora Hanelli i është drejtuar kandidatit të PD-së për kreun e bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashës, me fjalët vrasës, maskara, është komentuar online si asnjë lajm më parë në një kohë aq të shkurtër. Është hera e parë që Lulzim Bashës i thonë vrasës në publik. Ka javë të tëra që Basha del sheshit, e nuk kish ndodhur kjo gjë. Do duhej të kish ndodhur ditë për ditë e gjithë ditën e ditës, do duhej ti kishin ulëritur vazhdimisht vrasës, vrasës, vrasës, e të mos e linin të vinte vërdallë e të çaprashiste lidhur me planin e tij të administrimit komunal të metropolit, por kjo nuk ka ndodhur, ashtu si nuk ka ndodhur që të ketë dalë një njeri për ti thënë në sy Sali Berishës të njëjtën gjë. Më në fund doli një grua, një pedagoge e Universitetit të Tiranës, dhe e bëri. Me Bashën.
Ne nuk e dimë që ai është vrasës, dhe prandaj është e tepruar ti thuhet vrasës, mund të dëgjohen zëra të krahut të pushtetit, që medemek kanë shumë për zemër verdiktin e institucioneve, dhe jo pandehmat e njerëzve të mllefosur. Atëherë, le ta marrim shtruar (sështë hera e parë që e marrim shtruar). Më 21 janar u vranë katër veta. Ishin në bulevard në momentin që janë vrarë. Ishin pjesëmarrës në një protestë të dhunshme kundër pushtetit, por nuk ka asnjë provë që ata të kenë ushtruar ndonjë dhunë mbi dikë (edhe sikur të kish prova të tilla, nuk është se do justifikoheshin vrasjet; theksoj faktin që ata skanë qënë fare pjesë e dhunës për të nënvizuar pafajësinë e tyre të skajshme, e jo për të përligjur vrasjen e tyre). Për më tepër, në momentin që u vranë nuk ishin më as protestues; thjesht po bënin sehir fashitjen e protestës, që përkoi në mënyrën më të çuditshme me tërbimin e Gardës së Republikës; më në fund, nuk ishin të armatosur.
E mirë, e morëm vesh, e pastaj? Pse qënka e thënë që të ketë gisht Lulzim Basha në këtë histori?, mund të pyesin berishianët që medemek e kanë qejf garantizmin. Hm, sado xhan ta kemi Lulzim Bashën, nuk mund të harrojmë që ai ishte ministër i Rendit publik. Nuk e di ai kush dha urdhër? Nuk ka dëgjuar gjë? Nuk e ka dhënë ai vetë urdhërin? Le të na gjente vrasësit, atëherë! Si ministër rendi na e kish borxh të gjente shpejt e shpejt autorët e vrasjes së katër qytetarëve në mes të ditës e nën vëzhgimin e një mizërie kamerash televizive e kamerash survejimi të varura në muret e kullës së kryeministrisë. E nëse as këtë se ka bërë dot, ai do duhej të jepte dorëheqjen. Por ky as këtë nuk e bëri. Në vend të këtyre, bëri tjetër gjë. Pikërisht kur shqiptarët ishin të tmerruar nga çfarë u panë sytë përpara kryeministrisë, ai urdhëroi, lejoi apo nuk ndaloi policinë të ushtronte dhunë mbi protestuesit e tjerë që mbetën pa u vrarë, doli e na foli për protestues të kapur me kartëmonedha të së njëjtës prerje në xhepa, na shpërbleu me rroga vrasësit, na kundërshtoi urdhër-ndalimin e prokurorisë për gardistët, doli e u mbajti iso sendërgjive idiotike të kryeministrit mbi një gjoja putsch të kryer me thika me helm, stilolapsa-pistoletë, me kallashnikovë të ngarkuar në një makinë, me protestues të trajnuar për të ushtruar dhunë e vrarë në rrethinat e Tiranës, e nën komandën e treshes president-kryeprokurore-kryetar i opozitës, doli e dëshmoi në komisionin parlamentar më të çmendur që ka njohur historia e parlamentarizmit botëror, etj, etj. Lulzim Basha nuk ka folur asnjë fjalë për katër të vrarët. Si ka përmendur kurrë ata qytetarë të pafajshëm, të cilëve iu mor jeta për krimin se ishin opozitarë. E sikur të mos ishin mjaft këto të pabëra, ka pranuar dhe kandidimin për kreun e bashkisë së Tiranës me moton të parët janë qytetarët.
Ka dhe më. Vijon të sillet me arrogancë edhe sot e kësaj dite. Madje, si bandit në stilin e mentorit të tij. Sipas pjesëmarrësve në takimin e djeshëm me studentët, i qënka kthyer profesoreshë Florës me fjalët: Ta tregoj unë vrasësin më 9 maj. Si ta marrim këtë frazë? Unë e marr ashtu si është, dmth si një kërcënim, e prandaj më ngjethet mishi.
E më vjen ta pyes: Ia tregon ti? Po çfarë do ti tregosh? Pse nuk e çon deri në fund kërcënimin? Do ta pushosh nga puna? Do të hakmerresh në forma të tjera? Apo do ta vrasësh? Lul Basha, duhet ta shpjegosh këtë frazë të ndyrë! Ashtu siç duhet të pranosh rolin që ke luajtur më 21 janar, dmth ose rolin e atij që urdhëron të shtihet mbi turmë, ose rolin e atij që ka asistuar në mënyrë pasive në dhënien e urdhërit; ose rolin e atij që i ka ikur vetja aq shumë nga kontrolli, sa pranon të futet e përfshihet në një skemë fajesh e krimesh të kryera nga të tjerë. Deri atëherë, unë besoj të njëjtën gjë që beson dhe Flora Hanelli: Ti je vrasës, Lulzim Basha!
