E Diel, 1 Nëntor 2026

Florenc Hoxha: Nuk do të lejojmë ndërtime pa leje, kemi prishur 30 të tilla, në listë edhe 300 të tjera

03-09-2011 / Gazeta 55

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bashkiake të Tiranës, apel qytetarëve të Tiranës

Rreth 30 ndërtime pa leje janë shembur në më pak se një muaj nga Policia Bashkiake, e cila ka bllokuar qindra godina të tilla dhe tentativa për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në territorin e Tiranës. Rruga “Ismail Strazimiri”, e njësisë bashkiake nr. 10, ku një muaj më parë u evidentua një ndërtesë e paligjshme pesë katëshe, u kthye në gjendjen e mëparshme. Pas konstatimit të ndërtimit, Policia Bashkiake në fillim bllokoi punimet, bëri akt-kontrollin dhe mori masat për shembjen e ndërtesës si dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, gjatë inspektimit që bëri dje, në zonën ku rreth 1 muaj më parë nisi aksioni për prishjen e një ndërtese 5 katëshe pa leje, u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin dhe të mos ndërtojnë pa leje.
“Një muaj më parë, këtu, kjo hapësirë publike ishte zënë me një ndërtesë 5 katëshe pa leje. Sot, falë vullnetit të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake për të zbatuar ligjin, gjithçka është kthyer në gjendjen fillestare. Ne gjejmë rastin t’i bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të Tiranës, që të mos ndërtojnë pa leje dhe të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake, sa herë që konstatohen raste të tilla”, u shpreh Hoxha. “Pallati pa leje ishte bërë shqetësim për komunitetin dhe banorët e zonës e denoncuan rastin, në Policinë Bashkiake, pas thirrjes që bëri Bashkia, ku i kërkoi qytetarëve që të bashkëpunonin me autoritetet, për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës po zbaton Ligjin. Jemi të vendosur dhe ligji do të sundojë në territorin e kryeqytetit. Kemi konstatuar dhe bllokuar mbi  300 raste të tjera të ndërtimit informal. Zbatimi i ligjit do të jetë i vazhdueshëm dhe do të kthehet në rutinën e përditshme të punës”, bëri me dije Drejtori i  Përgjithshëm i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha.
Ai u bëri thirrje sërish qytetarëve përmes së cilave u shpreh se, “Ju bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve, të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake si dhe u bëjmë thirrje qytetarëve, të mos ndërtojnë pa leje. Ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse ligji i shërben qytetit, i shërben qytetarëve”. Në përfundim të fjalës së tij Hoxha ritheksoi se aksioni do të vazhdojë, deri në kthimin në gjendjen fillestare të hapësirave në qytet. Policia Bashkiake do të kujdeset, edhe për pastrimin e territorit nga inertet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›