SHBA: PS të mbështesë nismat e qeverisë për reformat e integrimit

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu i kërkon drejtpërdrejt kryetarit të PS-së, Edi Rama që opozita në Kuvend, të japë mbështetjen për të gjitha ato nisma ligjvënëse që kërkohen nga Komisioni Evropian. Ultimatumi nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme prej opozitës, por koha po mbaron dhe shumë shpejt Edvinit i duhet të bëjë një zgjedhje
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi të premten se, “pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është forma më e mirë për të plotësuar reformat e rëndësishme për vendin”. Me ftesë të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, ambasadori i SHBA-së dhe shefja e re e sektorit politik dhe ekonomik të ambasadës amerikane, Jenifer H. Moore bënë dje paradite një vizitë në selinë rozë. Pas takimit ambasadori Arvizu tha për gazetarët se, “Patëm një diskutim shumë të mirë. Zhvilluam një dialog të hapur. Folëm për shume gjëra. Unë nuk dua të jap detaje nga axhenda e bisedës, por si gjithmonë është shumë mirë që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm. Ne kemi një dialog të shkëlqyer. Rama është gjithmonë i hapur me mua dhe unë gjithashtu jam i tillë me të. Të dyve na interesojnë zhvillimet e ardhshme të këtij vendi dhe unë ndjehem mirë për këtë”, tha Arvizu. I pyetur më tej për sesionin e ri parlamentar ambasadori amerikan tha se kishte folur për këtë çështje me Ramën në terma të përgjithshme, por ai vlerësoi si konstruktive kthimin e opozitës në Kuvend. “Unë mendoj se është vërtetë konstruktive. Parlamenti është vendi kryesor ku diskutohen reformat dhe axhenda kombëtare, ku bëhen ligje, por kjo është vetëm njëra anë. Po kaq e rëndësishme është edhe zbatimi i ligjeve. Unë u njoha nga Edi Rama me axhenden parlamentare të PS. Unë pata një ndjesi të mirë pasi ai është pro integrimit reformave. Unë nuk e di sesi do të procedohet, është vendim i tij, i PS, por e rëndësishme është që ne ishim në të njëjtën linjë”, deklaroi më tej ambasadori Aleksandër Arvizu, pas takimit me kryesocialistin Edi Rama. Ndërkohë sipas një deklarate zyrtare të PS-së, Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj Kombëtare, si edhe me qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me disa shqetësime me interes kombëtar e publik. Sipas deklaratës, “ambasadori Arvizu shkëmbeu me kryetarin e opozitës një sërë pikëpamjesh përmes një dialogu miqësor, ku nënvizoi rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë ecuria e procesit demokratik në funksion të integrimit të vendit dhe mbështetjen e qeverisë së tij për ecurinë e këtij procesi”. Bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë, që parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër. Një ditë më parë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i kërkoi nga deputetët e Partisë Socialiste, ku i kërkonte deputetëve të saj të bëheshin pjesë me votë e reformave të rëndësishme që kanë lidhje me afrimin e mëtejshëm të vendit me Bashkimin Europian. Socialistët ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare megjithatë referencat e daljeve të fundit të krerëve të saj kanë bërë të qartë orientimin e grupit përmes një kursi të ri politik.
...