Florian Sorgo, një lloj ndjenje prej austriaku

Artisti austriak Florian Sorgo i gjen periferitë brenda qendrave të mëdha urbane.
Ai punon me rrethanat e rastësishme dhe emocionet që përcjellin “objets trouvés”.
Sorgo ka krijuar një manifest për këtë.
Për dy muaj, Tirana u bë qyteti ku ai përpunoi dyshimet për mënyrën si jetohet, si bëhet art sot dhe si spekulohet.
Intervista e plotë
Elsa Demo: Mirë se erdhe Florian. Je prej dy muajsh këtu. Si ka qenë kjo kohë për ty?
Florian Sorgo: Falemnderit. Më pëlqen Tirana. Ka shumë për të parë. Kam qenë edhe vitin e shkuar, vetëm për një ditë. Këtë herë përvoja dymujore ka qenë më e thellë.
ED: Ti udhëton shumë, ke qenë dhe në Amerikën e Jugut, në Argjentinë.
FS: Udhëtimi është një mënyrë për ta njohur më mirë botën. Nëse fiksohesh në një vend dhe qëndron në shtëpi, e humbet perspektivën e së tërës. Nga ana tjetër, udhëtimi është një mjet kërkimi për praktikën tënde artistike, e cila ndryshon kur shkon diku tjetër. Idetë ndryshojnë.
ED: E kishe kërkuar këtë rezidencë artistike apo t’u ofrua si mundësi?
FS: Ka një rezidencë në provincën e Stirias në Austri, që pak a shumë është e fokusuar tek Ballkani. Më mungonte Tirana dhe kështu që e kërkova rezidencën në Tiranë.
ED: Zakonisht, e ke ti mundësinë për t’i zgjedhur vendet ku do të punosh?
FS: Bëhen thirrje të hapura, unë u përgjigjem dhe nëse zgjidhem, krijohet mundësia. Por Stiria ka një program, po ashtu në vende të tjera në Austri krijohen mundësitë për artistët të udhëtojnë jashtë.
ED: “Midsagge” quhet ekspozita. ǒdo të thotë?
FS: Në fakt ka një titull tjetër ekspozita: “Kjo lloj ndjenje”. Unë kisha ndjesinë e dyshimit, ndjesi e cila më shoqëron në përgjithësi, dhe sigurisht nuk ka të bëjë me Tiranën, përkundrazi, u ndjeva mirë që erdha. Është dyshim për botën, për krijimin artistik dhe jo vetëm. Kështu që vendosa të punoj me këtë temë. Ishte diçka e re për mua që m’u shfaq kur erdha këtu, nuk e kisha menduar më përpara.
ED: Më pëlqen kur thua: “Dyshimi të gllabëron.”
FS: Kjo mund të projektohet në çdo qytet. Fotot e ekspozitës vërtet janë realizuar në Tiranë, por nuk janë dhe nuk mund të përfaqësojnë Tiranën dhe nuk jam unë ai që mund të flas për këtë. Ndjesitë dhe emocionet e mia nuk flasin për Tiranën. Janë fragmente emocionesh që kam përjetuar këtu e që mund t’i kisha përjetuar edhe tjetërkund.
ED: Copëza të realitetit si emocione?
FS: Po. Them që përmes imazheve që kap kur endesh nëpër qytete apo peizazhe, mund të gjurmosh shenja dhe më pas të shprehësh ndjesi. Për shembull, hendekët në fotot e mëdha nuk tregojnë diçka të tillë, por shprehin ndijime. Kjo është ideja e ekspozitës.
ED: Kur e fitove vetëdijen që kjo metodë ishte mënyra e duhur për të kapur gjurmët e realitetit dhe për t’i përcjellë ato vizualisht ose në një mënyrë vizuale-të shkruar, sepse janë të lidhura në punën tënde: teksti dhe ana vizuale.
FS: Ka nisur disa vite më parë kjo mënyrë e njohjes së qyteteve, fillimisht në Beograd dhe në Buenos Aires më pas, siç mund ta shohësh në librin tim. Ndryshoi disi në Tiranë. Në atë libër nuk është fjala për emocionet, po për kompozimet që gjej në qytet. Tani puna ime është e fokusuar tek ndjeshmëria që dua të përcjell. Pra ka pësuar një njëfarë zhvendosjeje. Nuk kam punuar dhe aq me mediumin e fotografisë më parë sesa me tekstin. Në libër fotografia dhe teksti i përqasen qytetit dhe përhumbjes në të.
ED: U zbavita me librin sepse m’u duk që funksiononte me një kod, me një kod metaforik ndoshta, nuk e di, nuk jam e sigurtë kur e them këtë. Por pasi pashë fotot e para, fillova “të interpretoj” të tjerat, të luaj me titujt, si mund t’i emërtoja ndryshe nga titujt që kishe zgjedhur ti, për shembull: “Ndjesi të trazuara për një ngjarje që nuk ka ndodhur” ose “Çdo njeri ka nevojë për dikë për t’u mbështetur”. Me fjalë të tjera ç’është një kompozim për ty?
FS: Është e njëjta gjë si për të tjerët. Siç e the ti, sheh diçka në qytet dhe nëse do mund ta shohësh jo si kompozim dhe ta përdorësh artistikisht për të treguar një histori, edhe pse nuk e ke strukturuar ti vetë. Kështu kam vepruar me gjithë punët që prezantohen në libër, duke menduar për tituj të tjerë. Të njëjtën gjë ke bërë edhe ti.
ED: Nuk është spekulim ky?
FS: Jo. Është ritregim nëpërmjet kompozimit ose mënyrës se si i përshtat objektet, kur vendos t’i sjell në formën e një kompozimi që mund të ketë një emër, titull apo nëntitull që i ndryshon narrativën. Është shumë impulsive dhe inkurajuese. Kushdo mund ta bëjë, nuk është një teknikë individuale.
ED: Vjen ideja e para dhe kompozimi më pas?
FS: Jo. Duke shëtitur në qytet, gjej objekte që dikush tjetër i ka vendosur aty ose janë vendosur rastësisht.
ED: Ti nuk ndërhyn.
FS: Jo, nuk ndërhyj, nuk ndryshoj gjë, as marr gjë me vete, thjesht fotografoj dhe i vendos një nëntitull. Kur gjej diçka që më flet, që më lë mbresë, atëherë e përdor si vepër arti dhe titulli ndihmon për t’i dhënë një narrativë.
ED: Mbresa që merr, ka të bëjë me harmoninë e kompozimit, pra çfarë prekin tek ty objektet apo kompozimi i tyre?
FS: Kjo është me interes, sepse këtu nuk hyn ideja klasike e harmonisë, por është një mbresë që krijohet aty për aty. Unë as nuk e kërkoj një lloj kodi special harmonie, është thjesht një mënyrë për ta njohur qytetin përmes imazheve dhe kompozimeve që më godasin. E kam të vështirë ta shpjegoj, por besoj se i ndodh çdokujt kur e sheh që të thërret ose kur dëgjon diçka që të prek, dhe ti merr me vete pikërisht atë pjesë ndikuese që ka edhe rëndësi për ty dhe e përdor si pjesë të tregimit tënd.
ED: Ky është manifest? (Tregoj librin “Found Compositions”) Nga çdo fjali e tij mund të ngresh pyetje të tjera. Për shembull, në njërën pikë thuhet: “Elemente mund të jenë objektet, konteksti dhe diçka jetëshkurtër.” Dhe te kjo e treta ti fut dritën. Mund të më japësh një shembull ku element është drita?
FS: Për shembull, nëse i marrim si kompozim tavolinën me gotën e ujit, do të llogaritësh edhe hijet që edhe pse nuk janë të qarta, por kalimtare e të ndryshueshme, e megjithatë janë pjesë e kompozimit. Edhe tingulli mund të jetë pjesë përbërëse, por unë përdor vetëm fotografinë. Kjo është një arsye që unë nuk mund të marr kurrgjë me vete, sepse nuk mund të bart dritën apo hijen e atij kompozimi.
ED: Pika e tretë thotë: “Kompozimi është i braktisur.” Çfarë do të thotë kjo, që ti e lë aty ku e gjen “veprën” tënde, e lë siç ishte?
FS: Siç ishte dhe nuk e di ç’do ndodhë me të, dikush mund ta flakë. E natyrisht ajo është një punë që nuk e ka krijuar artisti, ajo ekzistonte më parë dhe dikush tjetër mund ta vinte re si kompozim. Ndoshta ka njerëz që mund t’iu bëjnë përshtypje si krijime të veçanta. Prandaj unë nuk vë dorë për ta marrë me vete, po edhe ngaqë nuk kam vend ku t’i vendos. Libri i dëshmon punët përmes fotografive, por asgjë prej tyre nuk kam marrë me vete.
ED: Në këtë kuptim, çdo objekt është i mundshëm për të qenë “vepër e gjetur”?
FS: Çdo aranzhim objekti mund të jetë, dhe jo vetëm objekte sepse siç e thamë, mund të llogaritim edhe elemente si drita, por në parim, po. Nëse e ndjen dhe nxitesh për ta dëgjuar vizualisht apo emocionalisht atë lloj kompozimi, po, patjetër është ose mund të jetë kompozim.
ED: Në ekspozitën në Tiranë “Kjo lloj ndjenje – skica për dyshimin”, më bën përshtypje zhvendosja jote nga rrugët e gjëra në të ngushtat, nga bulevardi në qoshet e Tiranës, me muret e pasme të mykura, me zogjtë që heshtin… është një pamje krejt tjetër e qytetit nga ajo që i ofrojmë turizmit, turistëve nga mbarë bota.
FS: Unë jam në nivelin empirik të njohjes së Tiranës dhe ajo po ndryshon shumë. Mjafton një krahasim me vitin e shkuar dhe me çfarë dëgjoj nga bisedat me njerëzit. Është ky bum turistik që mund të jetë me rëndësi për qytetin, por që e bën atë të vështirë për t’u marrë vesh. E kam të vështirë të flas në këtë drejtim, sepse qyteti më rrëshqet dhe këtë e them në kuptimin e mirë të fjalës.
ED: Pra, kjo është esenca e ekspozitës tënde: qyteti dhe kryeqyteti, si dy dimensione të ndryshme.
FS: Qyteti i ekspozitës ishte më emocional, kryeqyteti është diçka tjetër. Duke ecur nëpër Tiranë e shoh qytetin me sytë e mi, është si gjëegjëzë për mua.
ED: Vura re se je lexues i mirë. Të pëlqen letërsia?
FS: Po, tepër.
ED: Melvili? E ke cituar dy herë në libër me “Bartëlbinë” dhe “Mobi Dikun”, Më thirr Ishmael.
FS: Hera e parë që dikush e vëren këtë. Së dyti, për mua letërsia është forma më e lartë e artit. Është më e drejtpërdrejtë, deri-diku, se arti vizual që mund të jetë më i koduar. Po ashtu letërsia është jetëgjatë dhe u shkon në thellësi argumenteve. Në këtë pikë do ta përqasja me muzikën. Letërsia dhe muzika janë… Në fakt nuk e kam kërkuar pjesën nga Melvili, thjesht më doli para. Por “Kopisti Bartlëbi” është një libër i rëndësishëm për mua.
ED: Pse?
FS: Sepse për të bërë diçka, nuk duhet të ndihesh i detyruar dhe nuk duhet t’ia ndjesh nevojën. Bartëlbi nuk bën pazar me integritetin e tij. Ai është i vërtetë me veten, kjo është me rëndësi si për artin edhe për njeriun në përgjithësi që, nëse nuk e duron dot diçka, duhet të thotë “jo!”.
ED: Çfarë po ndodh me artin bashkëkohor sot? Nëse mund të japësh një opinion për skenën austriake dhe me çfarë ke parë në Tiranë?
FS: Skena për mua nuk ka shumë rëndësi. Nëse arrij të bëj art, e bëj dhe sigurisht, çdo artist duhet të mbijetojë financiarisht, jo të gjithë kuptohet, disa nuk kanë nevojë. Unë nuk ndihem shumë i përfshirë në skenën e artit bashkëkohor në Austri dhe atje ka hapësira të ndryshme ku artistët shfaqen dhe dalin nga skena. E kam të vështirë të flas për këtë.
ED: Në një periudhë më afatgjatë, e sheh veten duke bërë këtë që po bën tani?
FS: Nuk mund ta them. Prandaj ekspozita ishte për dyshimin. Asnjëherë nuk i dihet, nëse e ndjen se ke për të bërë diçka ndryshe, bëje. Por në jetë vjen një moment kur të duhet të ndryshosh perspektivë.
ED: Të jep ankth dyshimi? Çfarë përfiton prej tij?
FS: Provokon ndryshimin, sepse duhet të reflektosh për shkaqet e dyshimit, si të punosh me të. E shoh më shumë si një mundësi. Sigurisht nuk është e lehtë kur dyshon për diçka, por ja vlen të mendosh pse dyshon dhe ndoshta të ndryshosh drejtim, të korrigjosh drejtimin ku po shkon.
ED: Ndihesh i afërt me artistë paraardhës që kanë punuar me “objets trouvés”?
FS: Objets trouvés është një temë me rëndësi prej 100 vjetësh. Sigurisht që ka artistë të shquar që kanë punuar me këtë temë, artistë të cilët kanë ndryshuar historinë e artit dhe janë të rëndësishëm për historinë e artit, por unë jam i interesuar për joartistët dhe se si e shprehin ata perceptimin vetjak për vendet e reja që zbulojnë apo për mjedisin rreth tyre.
ED: Çfarë do të merrni me vete nga Shqipëria?
FS: Kam shumë kujtime, kam vetëm një çantë të vogël me vete, pra nuk do të marr shumë gjëra. Kam marrë disa dhurata për miqtë e mi, ndoshta do të marr një shishe raki.
ED: Do doje të riktheheshe?
FS: Sigurisht. Më pëlqeu shumë qëndrimi në Shqipëri.
ED: Falemnderit shumë.
FS: Falemnderit ty.
Përgatiti: Elsa Demo
/rtsh.al/