Rikthehet ”Nuse vetëm për letra” komedia e Leka Bungos mirëpritet nga publiku artdashës korçar

Pas interesit të treguar nga publiku artdashës korçar, shfaqja “Nuse vetëm për letra” rikthehet në Teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi”.
Një komedi brilante e regjisorit të mirënjohur Leka Bungo e cila trajton një ngjarje reale ku në qendër të veprës ishte një familje e cila shfrytëzonte martesa fiktive për të siguruar të ardhura, ndërsa personazhet paguanin për të siguruar letra për të qëndruar në SHBA.
Asistent regjisore ishte Lola Meta dhe në rolet kryesore interpretuan aktorët e mirënjohur të teatrit si Guri Koço, Zamira Kita, Astrit Hasani, Blerta Belliu e krah tyre edhe aktorët e rinj Juxhin Plovishti në rol kryesor, si dhe Franc Bregu, Kristi Baçe e Besfort Berberi.
“Personazhi i Ketit është një personazh që unë e kam punuar me shumë dashuri, sepse është një personazh që ka shumë situata, ka dinamika, kolegët që janë në krah janë fantastik. Leka Bungo është një njeri nga i cili ke çfarë mëson, për shumë arsye sepse ai mban një CV të jashtëzakonshme. Eshtë një figurë që përtej personazheve që ai ndërton me shumë dashuri dhe me sqimë është dhe një njeri me një zemër shumë të bukur”, tha aktorja Blerta Belliu.
“Jam ndjerë sikur të kem punuar dy shfaqje më herët me të dhe kam kaluar shumë mirë dhe e falënderoj për të gjitha indikacionet dhe punën që e ka bërë me ne dhe ka qenë një punë e shkëlqyeshme”, tha aktori Besfort Berberi.
Dinamika e ngjarjeve e përcjellë mjeshtërisht me notat e humorit, mbajti mbërthyer publikun artdashës në sallë.
/RTSH/