Flota e Gazës: Izraeli liron një pjesë të aktivistëve të huaj
Izraeli ka deportuar mbi 120 nga 700 aktivistët e huaj që u mbajtën pas sulmit që iu bë të hënën flotiljes së aktivistëve të huaj që kërkonte të hynte në Gazë për të shpërndarë ndihma te popullsia vendase e ndodhur në një bllokadë shumë të rreptë. Aktivistët janë dërguar në Jordani dhe rreth 506 persona të tjerë pjesa më e madhe turq pritet që të deportohen së shpejti. 9 aktivistë, 4 prej të cilëve turq, humbën jetën ndërsa komandot izraelitë sulmuan një nga anijet e flotiljes agimin e së hënës. Ky veprim shkaktoi një valë të gjerë protestash dhe reagimesh të ashpra ndaj Izraelit. Ndërkaq, ka nga ato vende që kanë shkuar edhe më tej në veprimet e tyre pas asaj që ndodhi si Turqia, Parlamenti i së cilës ka bërë thirrje për rishikim të marrëdhënieve me Izraelin. Deklarata e miratuar në Parlament ka bërë gjithashtu thirrje për kompensime nga ana e Izraelit për viktimat, duke i kërkuar këtij vendi edhe kërkesën e një faljeje publike për veprimin. Disa nga parlamentarët e partisë në pushtet kërkuan një deklaratë me tone më të ashpra dhe më të fuqishme duke kërkuar edhe ngrirje dhe pezullim të lidhjeve tregtare me Izraelin. Në fakt, nëse kjo do të ndodhte të dy vendet do të kishin probleme. Tregtia mes të dy vendeve është shumë e zhvilluar dhe në një situatë shumë të mirë dhe me një vlerë prej rreth 3 miliardë eurosh në vit. Mes Turqisë dhe Izraelit ka shumë ndërmarrje bashkëpunimi dhe kompani që kanë biznese të fuqishme. Kryeministri turk, Erdogan, akuzoi Izraelin menjëherë pas ngjarjes se është kryer “një masakër e përgjakshme”. Ndërkaq, identiteti i të vrarëve turq është ende i panjohur. Ankaraja thirri ambasadorin e saj në Izrael të hënën, ndërsa gazetarët izraelitë thonë se familjet e diplomatëve hebrenj në Turqi janë njoftuar që të lënë vendin. E ndërsa e gjithë bota i ka dënuar sulmet e befta dhe të dhunshme të komandove hebreje të hënën ndaj aktivistëve të paqes, ministri hebre i Mbrojtjes i ka falënderuar komandot publikisht, ndërsa i ka vizituar në bazën e tyre. “Ne jetojmë në Lindjen e Mesme në një vend ku nuk ekziston mëshira për të dobëtin dhe nuk ka shanse të dyta për ata që nuk e mbrojnë veten e tyre”, ka deklaruar ai për shtypin ndërsa po vizitonte komandot.
120 aktivistët pro-palestinezë kanë mbërritur në Jordani të mërkurën dhe janë pritur nga mbështetësit e tyre me duartrokitje dhe përqafime. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes izraelite rreth 300 aktivistë të tjerë janë nxjerrë nga burgu i Bershebës dhe janë çuar me autobusë në aeroportin Ben Gurion për të lënë Izraelin. Vetëm një numër i kufizuar arabësh e izraelitësh që ndodheshin në flotiljen e ndihmës do të përballen me akuza. Izraeli kapi gjithsej 682 persona së bashku me anijet. Sipas analistëve, Izraeli beson se lirimi i aktivistëve do të bëjë që të hiqen disa nga presionet e mëdha nën të cilat ndodhet aktualisht Izraeli në arenën ndërkombëtare.
#