Mjekët e shkollave, si pajisje gjithçka në një
Mjekët e shkollave do të jenë shumë funksionalë dhe do të shërbejnë më shumë për këshillim, informim dhe edukim sesa kontroll për dhëmbët e prishur. Për më shumë, ata duhet të mendojnë seriozisht për orë suplementare, si dhe orë të përfshira brenda një lënde të caktuar të detyruar, ku të flasin dhe sensibilizojnë nxënësit e shkollave, kryesisht për edukatë shëndetësore dhe qytetare. Të gjitha këto rregulla, të cilat do të nisin zbatimin në vitin e ri shkollor, pasi për dy ditë nxënësit marrin pushimet verore, janë përfshirë në “paketën promovuese të shërbimit shëndetësor në shkolla. Orë të caktuara dhe me më shumë rëndësi do të zhvillohen edhe me mjekë specialistë të ftuar në rolin e lektorit. Paketa promovuese përmban 12 çështje të punuara sipas një modeli, me mbështetje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku cilësohen qartë për çdo çështje aktivitetet edukuese dhe mjekësore, si të mjekut, infermierit, stomatologut dhe psikologut.
çështjet e edukimitPuna edukuese do të jetë kryesisht për dhunën, e lidhur ngushtë me familjen dhe shoqërinë. Po ashtu, pjesë e informimit me përparësi do të jenë aksidentet dhe traumat, veçanërisht informimi dhe edukimi mbi Kodin Rrugor. Shëndeti mendor dhe mirëqenia psikologjike, zhvillimi, rritja dhe ushqyerja e shëndetshme janë çështje të tjera që do të bëhen “vatra” diskutimi. Mjekët e shkollave do të duhet të japin më shumë të dhëna dhe të edukojnë nxënësit, lidhur me fëmijët me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuar dhe sëmundje të caktuara.
Lidhur me edukatën mjekësore të gjithsecilit, nxënësit duhet të marrin informacion të gjerë dhe ta mësojnë përmendësh, për sa u takon sëmundjeve kronike si astma, diabeti, sëmundje të lëkurës, çrregullime të shikimit dhe dëgjimit. Parandalimi i sëmundjeve ngjitëse, shëndeti i gojës, shëndeti seksual dhe ai riprodhues, HIV/AIDS janë tema që do të bëhen rutinë për nxënësit e arsimit parauniversitar. Paketa informuese do të përmbajë edhe çështje lidhur me aktivitetin fizik, duhani, alkooli dhe abuzimi me drogat.
Paketa informueseSipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo paketë eliminon problemin e fragmentarizmit dhe heterogjenitetit në shërbimin shëndetësor që ofrohet në shkolla, duke e bërë atë uniform në të gjithë vendin dhe duke bërë të mundur një orientim të drejtë lidhur me problemet që ka kjo moshë dhe shoqëria në tërësi. Promocioni mbetet prioritet absolut dhe tashmë komuniteti shëndetësor dhe ai i mësuesve në shkolla unifikohet në një të vetëm. Ndërsa raporti midis drejtuesve në shkolla dhe mjekëve kthehet në një binom të pazëvendësueshëm. Mjekët në shërbimin shëndetësor në shkolla tashmë kanë të qartë detyrat e tyre dhe edukimi për mospërdorimin e duhanit, alkoolit dhe drogave por edhe kujdesi ndaj HIV-AIDS dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme do të kenë vëmendje madhore e të vazhdueshme.
#