E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks ne Kakavije e Kapshtice

Në pikën kufitare të Kakavijës është regjistruar të shtunën një fluks emigrantësh, të cilët kthehen në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit.

Sipas njoftimeve të fundit, në orët e para të mëngjesit kanë hyrë në vend rreth 5500 emigrantë nga Greqia.

Burime pranë shërbimeve doganore bëjnë të ditur se të dyja doganat në pikat kufitare, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo greke, po punojnë me kapacitete të plota.

Kakavija është një pikë kufitare kyce për emigrantët që kthehen në Shqipëri nga shteti helen dhe shpesh herë aty nuk mungojnë edhe radhët e gjata.

Këto të fundit regjistrohen kryesisht kur refugjatët kthehen në vendet e mërgimit për t’iu rikthyer punës pas pushimeve dimërore ose verore.

Nuk janë të pakta rastet kur dogana greke, edhe në momente piku udhëtarësh, preferon të punojë me kapacitete të reduktuara dhe jo me kapacitete të plota.

Kur krijohen radhë të gjata, justifikimi i saj i preferuar mbeten defektet në kompjuter, të cilat bëjnë që karvani i makinave të arrijë në disa kilometra.

Ndërkohë, fluks emigrantësh që kthehen në Shqipëri është regjistruar edhe në pikën kufitare të Kapshticës, ku që prej pasdites së djeshme kanë hyrë rreth 4 mijë persona.

Autoritetet doganore në këtë pikë njoftojnë se për momentin nuk ka radhë problematike dhe se pala greke po punon deri tani me katër sportele. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›