Gjurullti teatër

Salla e Teatrit Dodona në Prishtinë i plotëson goxha mirë kërkesat e një salle të vogël teatri. Ulëset janë mjaft komode dhe të numëruara qartë, bashkë me rendet. Pra, një situatë perfekte për rend e qetësi.
Por, fatkeqësisht, ndodh e kundërta. Në Teatrin Dodona, të dielave, kur jepen shfaqjet për fëmijë, krijohet aso lloj tollovie sa ideja e të qenit në teatër humbet në zhurmë e djersë.
Për arsye që vështirë kuptohen biletat për shfaqjet e fëmijëve shiten të panumëruara, dhe në këtë mënyrë automatikisht krijohet tollovia e të zënit të vendeve sipas parimit: “kush të mundet i pari”.
Duke qenë të panumëruara, biletat shiten edhe përtej numrit të ulëseve që i posedon teatri, e që ndoshta edhe është qëllimi i mosnumërimit të tyre, që si rrjedhojë krijon tollovi dhe mbingarkesë.
Një tjetër aspekt i çuditshëm është se biletën, e cila kushton vetëm një euro, janë të obliguar ta paguajnë vetëm fëmijët, por jo edhe përcjellësit e tyre të rritur. Kështu që, shumë prindër i mbajnë fëmijët në prehër.
Numri i shikuesve në këtë teatër shpeshherë i afrohet dyfishit të paraparë, duke pasur parasysh nga dy veta të ulur në një ulëse, plus ata që qëndrojnë në këmbë për shkak të shitjes së pakontrolluar të biletave.
E, si mund të ketë qetësi në një situatë të tillë?! Si mund të dëgjohet ajo që thuhet në skenë?! Si mund të ketë teatër?
Veç kësaj, teatri nuk ndjek as ndonjë politikë të ndarjes në grupmosha. Andaj, jo të gjitha shfaqjet mund të kuptohen e të jenë interesante për të gjitha grupmoshat.
Shfaqjet që mundohen të paraqesin një ngjarje, më shumë të bazuar në tekst e më pak në veprime, janë vështirë të kuptueshme për fëmijët nën moshën 5-vjeçare, dhe si të tilla vështirë që tërheqin vëmendjen e tyre. Prandaj, duke mos arritur në involvohen, këta fëmijë vetëm sa ia shtojnë zhurmën e sikletin sallës. Një shfaqje tjetër, më shumë e bazuar në veprim (si psh “Tomi dhe Xheri”) do të ishte më e përshtatshme për ta.
Të gjitha këta elementë të lartpërmendur, që Teatri Dodona nuk e ka parë të udhës t’i adresojë, vetëm sa e dëmtojnë punën e aktorëve e regjisorëve që punojnë Dodonë. E ky teatër ka aktorë e regjisorë që atij ia kanë kushtuar tërë kohën, dhe si të tillë meritojnë një ambient më të organizuar, që e çmon punën e tyre si duhet.
Nga ana tjetër është publiku, domethënë fëmijët që krijojnë kontaktin e parë me teatrin, dhe që në këtë mënyrë krijojnë kulturën e absorbimit të artit. Nëse Teatri Dodona vazhdon me këtë avaz të parregullsisë, atëherë këta fëmijë do të kenë të njëjtën qasje e sjellje në teatër sikurse në pazar.
E keqja më e madhe është se interesimi për shfaqjet në Teatrin Dodona është shumë i madh (për shkak të mungesës së alternativës), kështu që kjo gjurullti nuk lë hapësirë për kurrfarë justifikimi - i çfarëdo natyre qoftë ai.
Të udhëhequrit e një teatri kërkon kreativitet, vizion e organizim dhe është një përgjegjësi jo e vogël. Është tjetër çështje që sot shoqëria kosovare ka probleme më të mëdha dhe që s’mund t’i kushtojë sa duhet vëmendje edhe kësaj fushe, duke i vënë para përgjegjësisë njerëzit e caktuar.
Duke e njohur udhëheqjen e Teatrit Dodona, duhet cekur se atyre nuk u mungon dëshira dhe dashuria për teatër, por ajo duhet çelur rrugë dhe kërkuar forma e mundësi tëavancimit dhe krijimit të rregullit dhe të ngritjes së cilësisë së ndjenjës së të shkuarit në teatër.
Është çudi se teatrot tona janë ankuar gjithmonë për mungesë publiku. Por, Dodona mund të ankohet për gjithçka, por jo edhe për publikun që e ka, dhe të cilin duhet mirëmbajtur.