Nasho Jorgaqi promovon librin ‘Koha e kujtimeve’

"Me librin e fundit ‘Koha e kujtimeve’ ku përshkruani personalitetet më të spikatura të botës kulturore, letrare e artistike, kujtimet marrin vlera të veçanta, pasi kthehen në model me reflektime rrezatuese për të gjithë krijuesit", tha sekretari i Unionit të Shkrimtarëve Fier, Petraq Kote.
Ndërsa studiuesi Petrit Ruko u shpreh se "letërsia e kujtimeve është një nga letërsitë më të lexuara, më tërheqëse në tërë historinë e letrave".
Nasho Jorgaqi ka lindur në qytetin e Fierit në vitin 1931, ku edhe ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij. Ai është nderuar me një sërë çmimesh në vite; në vitin 1974 është lauruar me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë, me Urdhrin "Naim Frashëri i Klasit të Dytë e Tretë". Në vitin 1998 Qendra Ndërkombëtare Kulturore e Kembrixhit e përfshin në librin ‘Njerëz të shquar të shekullit XX’.
Në vitin 2000 fiton ‘Medaljen e artë’ nga Instituti Amerikan i Biografive, ndërkohë që në vitin 2001 dekorohet me urdhrin ‘Mjeshtër i Madh’ dhe shpallet ‘Nderi i qytetit’, nga këshilli bashkiak.