Fluks pushuesish në pikat kufitare/ Vlora, Durrësi, Kakavija e Morini numër të lartë hyrje-daljesh

Teksa jemi në javët e fundit të muajit gusht, duket se turistët nuk po ‘largohen’ dot nga bregdeti i Shqipërisë.
Qytetarë të shumtë, pushues e turistë të huaj që zgjodhën Jugun këtë vit për të kaluar pushimet kanë mbushur plot portin e Vlorës.
Vetëm të shtunën, në portin e Vlorës janë përpunuar rreth 1400 pasagjerë dhe 320 automjete, të cilët mbërritën nga Brindizi në drejtim të Vlorës, si dhe janë larguar rreth 3200 pasagjerë dhe 600 automjete në drejtim të Italisë.
Autoritetet portuale po punojnë me kapacitete të shtuara, me qëllim shmangien e vonesave.
Sipas raportimeve nga porti i Vlorës, korriku shënoi një rritje të numrit të udhëtarëve me 15 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që gushti pritet të ketë të njëjtën ecuri.
Sa i përket portit të Durrësit, gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 3875 udhëtarë dhe 847 automjete. Të premten dolën 6858 udhëtarë dhe 1603 automjete ndërsa mëngjesin e së shtunës hynë 1308 udhëtarë dhe 380 automjete. Priten edhe 3 tragete të tjerë me rreth 1500 udhëtarë dhe 450 automjete.
Gjatë muajit korrik, mbërritën 123 mijë turistë vetëm në këtë port.
Sa i përket Kakavijës, të shtunën kanë hyrë dhe dalë rreth 11 mijë udhëtarë, ku në hyrje u regjistruan rreth 4800 persona dhe në dalje rreth 6 mijë të tjerë. Ndërsa numri i automjeteve që hynë dhe dolën nga kjo pikë kufitare arriti në rreth 3300.
Autoritetet policore po punojnë me gjashtë sportele, katër në hyre, dy në dalje ndërsa një sportel mbahet rezervë, nëse fluksi do të vijojë të rritet.
Ndërsa në Mori të Kukësit, autoritetet bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit kanë kaluar kufirin drejt Shqipërisë më shumë se 30 mijë persona dhe 10 mijë automjete.
Gazetare: Flutura Tota
/RTSH/