E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fluks udhëtarësh në Kapshticë dhe Qafë-Thanë, emigrantët nisin kthimin pas pushimeve në atdhe

Fillimi i muajit gusht ka sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të kalimeve në pikën kufitare të Kapshticës, ndërsa shumë emigrantë shqiptarë, që kaluan pushimet verore në vendlindje, kanë nisur rikthimin drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë, kryesisht në Greqi.

Policia Kufitare ka marrë masat për të përballuar fluksin, duke garantuar një proces kalimi sa më të qetë dhe të shpejtë në kufi.

Sipas burimeve zyrtare nga autoritetet kufitare, lëvizja ka qenë e vazhdueshme, por e menaxhuar mirë, pa krijuar radhë të gjata apo vonesa të konsiderueshme në përpunimin e dokumentacionit.

Ndërkohë, edhe pika kufitare e Qafë-Thanës po përballet me një fluks të lartë hyrjesh dhe daljesh, kryesisht nga shtetas të huaj që kalojnë tranzit nga Maqedonia e Veriut drejt bregdetit shqiptar, si dhe nga qytetarë shqiptarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm në tri ditët e fundit përmes kësaj pike kanë kaluar mbi 30 mijë udhëtarë. Fluksi pritet të mbetet i lartë deri në fund të muajit gusht.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›