E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks udhëtarësh në portin e Durrësit

Autoritet portuale bëjnë të ditur se në portin më të madh të vendit gjatë javës në vazhdim parashikohet një lëvizje më e madhe e udhëtarëve dhe automjeteve.

Sipas të dhënave statistikore në terminalin e trageteve, nga 1-7 gusht kanë mbërritur 34 928 udhëtarë me 9 269 makina nga portet e Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali), ndërsa 15 595 të tjerë me 3 453 makina janë nisur drejt të njëjtave porte të vendit fqinj.
     
Burimet nënvizuan se, në pikën e kontrollit kufitar punojnë me kapacitet të plotë 35 sportele, ndërsa është bashkërenduar veprimtaria e autoritetit portual, drejtorisë së policisë së kufirit dhe asaj të doganës, për të shmangur plotësisht vonesat e udhëtarëve që mbërrijnë me tragete në Durrës.
     
Sipas specialistëve, gjatë këtij sezoni veror është rritur ndjeshëm numri i udhëtarëve shqiptarë, të cilët falë liberalizimit të vizave nisen për pushime pranë të afërmve të tyre, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vendet e Evropës perëndimore.
     
Nga statistikat e autoritetit portual, mësohet gjithashtu se që nga fillimi i muajit korrik 2011, tragetet kanë transportuar 164 653 udhëtarë, me 37 626 autovetura gjithsej. /Start/

                                                                                             2011-08-08 13:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›