Flukse të larta udhëtarësh dhe mjetesh në porte dhe pikat e kalimit kufitar

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Flukset e larta të udhëtarëve vijojnë në portet dhe pikat kufitare të vendit në kulmin e sezonit turistik, ku me mijëra qytetarë dhe automjete kanë hyrë e dalë nga Shqipëria gjatë orëve të fundit.
Në Portin e Vlorës, vetëm gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijnë rreth 2700 pasagjerë me tre tragete të linjës Brindizi-Vlorë, ndërsa numri i automjeteve që pritet të hyjnë në port llogaritet në rreth 700.
Për përballimin e fluksit dhe për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, Policia Kufitare ka shtuar sportelet e kontrollit, nga 8 në 12.
Mes udhëtarëve që mbërrijnë në Vlorë ka edhe një numër të konsiderueshëm turistësh italianë, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Një pjesë e tyre qëndrojnë në Vlorë, ndërsa të tjerë vijojnë udhëtimin drejt destinacioneve turistike të jugut.
Flukse të shtuara janë regjistruar edhe në Portin e Durrësit. Gjatë paradites së sotme kanë mbërritur katër tragete, me 5359 pasagjerë dhe 1564 automjete, ndërsa gjatë mbrëmjes pritet mbërritja e dy trageteve të tjera.
Në pikën e kalimit kufitar të Morinës, vetëm në orët e para të mëngjesit janë regjistruar mbi 19 mijë udhëtarë dhe rreth 4 mijë automjete.
Fluks i lartë është evidentuar edhe në Kakavijë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 12 273 kalime, prej të cilave 8523 udhëtarë në hyrje dhe 3750 në dalje. Në këtë pikë kufitare janë regjistruar gjithashtu 3735 mjete.
Fluksi i automjeteve në drejtim të Shqipërisë nga Greqia ka sjellë radhë të gjata në anën greke të kufirit, ndërsa koha mesatare e pritjes për kalimin e Kakavijës arrin rreth dy orë.
Në Kapshticë janë regjistruar 8630 hyrje dhe 3769 dalje, ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 6174 shtetas dhe kanë dalë 5070.
Në total, vetëm në Kapshticë dhe Qafë Thanë janë regjistruar 14 804 hyrje dhe 8839 dalje, ose 23 643 lëvizje në të dyja drejtimet.
Autoritetet kufitare kanë shtuar masat dhe sportelet e kontrollit në pikat me fluks të lartë, me synim përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve dhe lehtësimin e lëvizjes gjatë kulmit të sezonit turistik.
/e.i/r.e/