Fluksi i udhetareve. Mijera kalojne Kapshticen e Morinen
6500 emigrantë shqiptarë dhe 3500 automjete ku përfshihen edhe ato të transportit të mallrave kanë hyrë në tokën shqiptare nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Kapshticë vetëm këtë fundjavë.
Ndërkohë që gjatë 5 ditëve të para të javës që sapo u mbyll mbërritën në Shqipëri 35.000 emigrantë. Fluksi i mbëritjes së tyre filloi që ditën e parë të muajit gusht, ndërkohë që pritet që në mes të këtij muaji të fillojë edhe largimi i tyre.Ndërkohë nga vendi ynë kanë udhëtuar drejt tokës greke 3200 persona kryesisht për pushime në plazhet e shtetit fqinj.Për tu përballuar me numrin e udhëtarëve në anën shqiptare të kufirit punohet me 8 sportele, ndërsa në atë greke me 3.
Procedurat e kontrollit në pikat e kontrollit shqiptar janë më të zgjatura pasi shënohet çdo hyrje-dalje si dhe kontrollohen të gjitha pasaportat në sistemin TIMS ndërsa në pikat e kalimit në Greqi bëhet vetëm vulosja e pasaportave.
Edhe në pikën e kalimit kufitar me Kosovën, në Morinë ka patur një shtim të lëvizjeve. Kështu vetëm gjatë fundjavës kanë hyrë në territorin e vendit tonë 22 mijë shtetas me 5000 automjete, ndërsa kanë dalë më shumë se 16 mijë shtetas me 3 mijë automjete.
Edhe në këtë pikë të kalimit kufitar punohet me 8 sportele ndërsa në Qafë Morinë, Tropojë dhe Qafë Prushi, të Hasit, punohet me nga 5 sportele pasi numri i udhëtarëve nuk ka qenë shumë i lartë. Në 7 ditët e para të këtij muaji në pikat e kalimit kufitar, të qarkut të Kuksit kanë hyrë rreth 150 mijë persona, në muajin Korrik kanë hyrë 350 mijë ndërsa në muajin Qershor 122 mijë persona .
Olgera Muka