Fobia “Berisha” edhe pas vetëdorëheqjes, i tmerron “fitimtarët”
“Doktrina socialiste fsheh keq një “vullnet” për pushtet duke mohuar jetën; duhet të jenë njerëz të dështuar ata që shpikën një doktrinë të tillë” - Fridrih Niçe
Rama dhe Meta më 23 qershor rrëmbyen “fitoren” me doktrinën që fsheh keq “vullnetin” për pushtet, i pari duke mohuar realitetin dhe mashtruar njerëzit, i dyti duke blerë votat sipas moralit të pamoralshëm politik. Aktruan të gëzuarin dhe lumturuarin kur media jepte numrin e votave që i bënin fitues me diferencë të madhe nga koalicioni i djathtë. Njerëzit e mençur prapa të dukshmes lexuan ankthin dhe makthin e tyre: si mund të mbahet pushteti me vota të blera dhe mashtrime. Megjithëse kryeministri u vetëdorëhoq edhe si kryetar i PD, fobia “Berisha” i tmerron “fitimtarët”, madje edhe hija e tij. Ëndrra të frikshme shohin dy kokat e fitores, fitore i thënçin, dikush e quajti si ajo Pirros.
Imazhi i fantazmës së Qoftëlargut pushton subkoshiencën e trazuar. Të frikësuar mezi marrin frymë: “Mos u trembni, të dashurit e mi! Ndjeva shqetësimin tuaj dhe erdha t’ju uroj për fitorjen! Ju përgëzoj dhe çmoj që keni rrokur dhe aplikoni thelbin e filozofive të mia dhe keni vënë në tabelën e qitjes armikun Berisha… Pasardhës besnikë! Sali Berisha është armiku im dhe i komunizmit. Është edhe armiku juaj dhe i të majtëve. Mos u bëni budallenj dhe ta konsideroni komunist siç e keni quajtur gjer më tani. Ai u priu dhjetoristëve me atë Azemin e tmerrshëm dhe shkatërruan mua dhe komunizmin tim. Po të ishte komunist i vërtetë nuk e bënte këtë. Më poshtëroi e zburrëroi. Do t’u shkatërrojë edhe ju nëse e nënvleftësoni. Fobia “Berisha” duhet të jetë akoma më e madhe. Populli thotë frika ruan vreshtin. Është shumë i rrezikshëm. Ua thom uun… Nuk mateni dot me të, me karagjozllëqe, mohime totale e me blerje votash ashiqare. Këtë e di turma që u vjen pas. As me punë nuk e mundni, as me dije. Keni mohuar gjithçka edhe këto tetë vitet e fundit që ka patur suksese. Kjo do t’ju hajë kokën. Gjërat shihen qartë. Budallain dhe të varfrin i gënjeni me para, por të vërtetën nuk jua injektoni dot.. Jua thom nga përvoja ime. E patë se ç’më bëri me mua populli kur u zgjua… Më tërhoqi zvarrë. Revolta popullore dirigjohej nga Saliu. Këto nuk ua thom të friksoheni, por të jeni të guximshëm dhe të padukshën në punët e fshehta si lidërship. Mos dilni ballëpërballë, ndërseni të çartallosurit antiberishë: politikanë, gazetarë dhe median e majtë. Këtu derdhni paratë. Nuk ju kritikoj për këtë se jeni në rrugë të mbarë, por ju thom të vazhdoni në këto shina, të aplikoni mënyra e taktika të ndryshme duke u frymëzuar nga unë, por përdorni edhe taktika të reja. Thelbi të jetë i njejtë ndërsa format dhe manovrat të ndryshme sipas kohës. Mos harroni armët e përdhosjes, bëhuni rrugeçër, aventurierë e gangsterë, edhe kriminelë në situata specifike, edhe jevgjitë bëhuni, mos leni gjë pa i thënë armikut Berisha edhe pse u vetëdorëhoq. I vlerësoj me notën dhjetë disa politikanë dhe gazetarë që derdhin tonelata fjalësh të ndyra, të pista mbi të, paçka se janë gënjeshtra; pagujini më mirë se ç’i keni paguar, se të mençurit nuk i korruptoni dot, janë me integritet, ua thom uun… Kurajo Blushin e madh e Blushin e vogël që janë vazhdues të denjë të filozofisë sime për luftën e kllasave. Kundërshtarin politik Sali e shohin vetëm si armik. Sa bukur e nxijnë. Asgjë të mirë nuk thonë për të. Kanë dhe stil të lartë në të shkruar. Bravo u thom. Populli ha çfarë t’i japësh. Është kope. Unë e shaja Niçen që thoshte kështu, por ajo që bëja unë ishte lojë dhe askush s’e kuptonte. Unë u kisha hedhur njerëzve trutë e gomarit, më besonin për gjithçka. Ndërsa të birin e Kiços, Spartakun, nuk e kurajoj. Ka qenë i çartallosur që fëmi. Më keq është tani. Flet kundër meje, është antienverist siç thonë demokratët dhe bën krushqi me pasadhësit e mi besnikë. Është njeri jashtëstandarteve. Njeri i ligjit që nuk zbaton ligjet. Ligji jam unë i thotë rradakja e tij delirante. Se mos e bëni ministër drejtësie…Gjinushi e Ruçi janë qen besnikë, populli thotë qen bir qeni. Mbajini pranë, jepuni nganjë kockëzë ta lëpijnë, se ju duhen t’i ndërseni, lehin si qen-ujk. Kujdes nga Gjinushi!.. kafshimin e ka me helm prapa shpine e para barkut.
Kurajoj edhe disa gazetarë si stefanët, vangjelët, bushatët e Nanot; po edhe minxhozët e nazarkot; edhe atë kuqalashin kosovar Haxhiajn edhe Anilën e Evën dhe nihilistin e dëshpëruar Lubonja (i riu, sigurisht), që vuan mosrealizimin e vetvetes edhe pse nuk e di se kush është dhe mohon gjithçka e cilindo: mohon Skëndërbeun e Isamil Qemalin, mohon edhe mua; Zogun mirë bën që e mohon. Edhe Saliun mirë bën, ujët e zi le t’i nxjerrë. Dhe tani një këshillë kam për ju, dy kokat e PS që kërkoni karriken e kryeministrit. Mos na delni koka sorrash a korbash të zi! Duhet një kokë për kryeministër që secili e synon. Jua thom troç, e shoh me rrezik këtë punë: njeri mund t’ia hajë kokën tjetrit. Ti Ilir je si urithi nën toke që vepron natën…Ndërsa ti djali i Kristaqit, flet bukur si personazh surrealist dhe i teatrit të absurdit; po megjithse as vetë nuk e di çfarë thua, turmat i hipnotizon. Kjo është vlera jote. Kujdes nga ky shkurtabiqi. Bëra shaka, nuk dua t’iu fus xixat…Këshilla më e vlertë që do t’u jap është kjo që po ju thom tani: të mos thoni kurrë, Saliu çdo gjë na e la në zero, arkën e buxhetit bosh, financat trokë, njëmilion të papunë, zero kjo e zero ajo; me këtë gjuhë keni folur prej katër vitesh, ia keni shpuar tipanin e veshit popullit; ai do t’iu thotë nuk na duhen këto, ju dhamë votën duam ato që na keni premtuar, këtë gjendje ju e dinit apo na keni mashtruar dhe gjeni sebepe justifikuese se nuk jeni të aftë të realizoni gënjeshtrat që na paskeni thënë. Nëse janë të vërteta ato zerot, përse e morët përsipër këtë barrë. Disa gënjeshtra me bisht që tani po i kaloni në vitin 2017. Ja, kështu do t’u thonë votuesit. Ua them këto të jeni të matur të kujdesshëm, të mos nxitoheni. Më kanë thënë se akoma pa marrë pushtetin kërcënoni qeverinë në detyrë të mos punojë sipas programit të saj gjer ditën që do t’u dorëzojë pushtetin. Madje keni kërkuar një qeveri kujdestare, madje jepni dhe urdhëra të bëjë kështu e ashtu, e të mos bëjë këtë e atë. Kjo jo vetëm ju bën qesharak, por kështu siç po veproni e tregoni veten tuaj si udhëheqës arrogantë që nuk zbatoni ligjin dhe kushtetutën për të cilat keni akuzuar Berishën, jeni bërë antiberishë.
Ju këshilloj të përqëndoheni te dorëheqja e tij, zhvleftësojeni atë si diçka që e bën kushdo, si detyrim nga vota e popullit, paçka se ju i bletë votat. Mos pranoni kurrë që Saliu të quhet Burrë Shteti, pavarësisht se ti i biri i Kristaqit nuk e dhe dorëheqjen dhe kjo ta themi midis nesh është negative. Problemi që ke me vdekjen që të lësh emër në histori, siç vepron ti, të le pa emër. Akti i dorëheqjes është fenomen që e bëjnë vetëm burrat e shtetit. Saliu e bëri këtë, vendosi standart të ri për rrotacionin që siç më ka thënë Ramizi, është parim substancial i demonkracisë pluraliste, por ju mos u ndalni te kjo, akuzojeni si lider partie me autoritet të përbindshëm që ka dhunuar opozitën bllokuese çka indirekt e zhvleftësoni si Burrë Shteti. Dhe, me këtë rast, thoni për mua se isha Burrë Shteti. Keni dhe Nexhmien atje që ju ndihmon. Ka shumë që ju ndihmojnë. Edhe Kokëdhima vdes për mua. Të vjetrit më duan të tërë.. edhe ata që ua kam bërë nënën... Po edhe ca të rinj më duan, ata që Sala i quan djemt e bllokut. Këto bashkë me Kokëdhimën të ma vendosin bustin aty ku e kisha për inat të Berishës. E fundit që dua t’ju thom të dashurit e mi, është ajo fjala e vjetër sa bota: përçaj dhe sundo. Futuni si kalë troje brenda PD. Celsi është: goditje në thembrën e Akilit që do të thotë demotivim i dy konkuruesve për kryetar të PD-së duke i prekur në sedër se do të komandohen nga Berisha dhe do jenë hieja e tij. Sulmoni mbarë e prapsht bashkë me gazetarët besnikë të PS-së, LSI-së dhe mediot e majta që keni pushtuar. Po arritët këtë, davanë e keni fituar, përçarja është e sigurtë. Fillon lufta brenda llojit. Nuk e marrin veten dot më. Gazetarët e kanë filluar shumë bukur këtë luftë duke kërkuar të bëhen analiza për shkaqet e humbjes së thellë të PD-së. Këtu përdorni gjithë aftësitë tuaja. Por siç duken bathët jeni të vonuar. Dy kandidatët për kryetar të PD janë të aftë, të vendosur, të guximshëm dhe me vizion: ata nuk e hedhin poshtë traditën siç ke bërë ti, djali i Kristaqit, përkundrazi po gërshetojnë traditën më pozitive me vizionet e reja, çka kjo duhet të jetë fobia juaj. E di, se kjo të ka tërbuar, por është momenti të jeshë më gjakftohtë, të veprosh nën rrogoz, të mos e marrin vesh se kush je, të mos u kundërvihesh si më parë kur ishe në opozitë, se po u revoltuan të djathtët, ju mori lumi, mund të keni fatin tim tragjik…duhet një trimëri e dhjetë hile”.
Këtu imazhi i fantazmës në kokat e tyre të dimensioneve të ndryshme, zhduket. Dilema, shqetësime, turbullira, konfuzione, ankthe e makthe kërleshen në subkoshiencë dhe shfaqen në forma fantazmagorike sa e kanë tronditur e çoroditur kryeministrin e ardhshëm Edi Rama akoma pa hipur në fronin e lartë; ndërsa Ilir Meta,- makina e blerjes së votave, as që do t’ia dijë. Me filozofinë e tij paraja shpon detin dhe malin ka korrur suksese, falë amoralitetit të tij në shkallë të epërme. Turmat kope, janë aleatët e tij të fitoreve me para kesh.
Megjithatë të dy bënë sikur e përshëndetën dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Madje Edi Rama për çudi pati një çast kthjelltësie duke i njohur edhe disa merita si lider i demokratëve dhe në rrafshin e reformave, por ky qe vetëm një moment, për shkak të etheve të forta që e mbërthyen si do ta realizonte programin surrealist. Ky shqetësim i natyrshëm jetoi i kthjellët vetëm një çerek dite, menjëherë kokën e tij e pushtoi hutimi, mjegullnaja, kaotizmi dhe frika; në vend që të mendojë për formimin e qeverisë jo me ithtarë po me specialistë të zotë, për strukturat administrative me sa më pak shpenzim; në vend që të vras mendjen për ligje të reja që sigurojnë pavarësinë e pushteteve të pavarura në legjislativ, ekzekutiv, drejtësi dhe media; në vend që të vendos për abrogimin e ligjit enverist Partia mbi të gjitha; në vend që të mendojë si të miratojë ligjin e rrotacionit katërvjeçar në parti dhe pushtet, ligjin që KQZ-ja të jetë krejtësisht e pavarur nga partitë; në vend që të orientohet si do t’i realizojë premtimet elektorale e të tjera e të tjera, sulmon me stilin e vjetër të opozitës (kur defakto është mazhorancë) qeverinë Berisha në detyrë, që vazhdon punën normalisht gjer më 7 korrik sipas kushtetutës. Ky njeri antiligj, antishtet, neodiktator, do të jetë kryeministri i ardhshëm. O kolltuk të rëntë një tënjë/ kaq të ëmbël kush të gdhendi/ vjen djalli e zë rrënjë,/ cili vinç e shkul nga vendi?! (Sipas poetit bohem e rebel Pano Taçi)