E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/ Musa Skura shpallet “Dëshmor i Atdheut”

24-01-2013 / Gazeta 55

Qeveria 50 milion ndihmë financiare familjes

Në kryesinë e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, Komisioni Qendror për Statusin “Dëshmor i Atdheut”, i mbledhur me një vendim të posaçëm, ka shpallur “Dëshmor i Atdheut” Komisarin e Policisë së Shtetit, Musa Bajram Skura. Qeveria ka vendosur dje të miratojë ndihmën financiare prej 5 000 000 lekësh për familjen e Musa Skurës, ish- punonjës i Policisë së Shtetit, vrarë në krye të detyrës. Sipas vendimit të qeverisë, “Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit” Qeveria gjithashtu ngarkon Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi që hyn në fuqi menjëherë pas miratimit. Ditën e djeshme, familjen Skura e vizitoi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura, u qëllua në befasi nga disa trafikantë armësh, gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e datës 13 janar, në vendin e quajtur “Përroi i Kecit”, në fshatin Suç të Matit. Ai qëndroi për dy ditë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirugjikale. Mjekët thanë se u detyruan ti hiqnin shpretkën dhe njërën veshkë, ndërsa nga plumbat ishin dëmtuar rëndë edhe tre organe të tjera. Dy ditë pas ngjarjes, kreu i krimeve të Burrelit u dërgua për një ndihmë më të specializuar në spitalin “Padre Pio”, të Foggias në Itali, por fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Dje, ministri i Brendshëm Flamur Noka ka vizitoi familjen e komisarit të Matit të rënë në krye të detyrës, Musa Skura, duke premtuar ndihmë e mbështetje për familjen, Noka nënvizoi se Skura është shpallur Dëshmor i Atdheut. “Ju shpreh ngushëllimet e kryeministrit Berisha. Shteti do të ndihmojë familjen dhe fëmijët. Musa Skura është shpallur Dëshmor i Atdheut, ndërsa homazhet për të do zhvillohen nesër te Shtëpia Qendrore e Ushtrisë në Tiranë”. “Musa Skura është një hero i drejtësisë. Ai meriton të nderohet në mënyrën më të mirë dhe për këtë banesa e tij e fundit do të jetë pranë heronjve të tjerë, në Varrezat e Dëshmorëve, këtë ia bëra të ditur edhe familjes, e cila, që prej ditës së djeshme ka hapur dyert e mortit dhe po vuan humbjen e të dashurit të tyre”, u shpreh Noka.
Pritet që trupi i Skurës të mbërrijë nesër nga Italia (ora 08.00-09.00), në Durrës dhe pas ceremonisë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë (ora 11:00-12:30) do të përcillet në varrezat e dëshmorëve. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, (ora 12:30 deri në 13:30).

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›