Rama s’gjen karar, as me të huajt, as me të vendit

Me afrimin e zgjedhjeve, shtohen edhe shenjat e shformimit të karakterit të lidershipit opozitar. Ai s’po gjen karar as me të huajt e as me shqiptarët, pasi në të gjitha rrethanat ankesat s’e shpëtojnë nga humbja, verdikti i vetëm i 23 qershorit
Në uebsajtin zyrtar të Partisë Socialiste dje shkruhej se “situata në Preshevë dhe domosdoshmëria që zgjedhjet e ardhshme të mbyllin kapitullin e farsave elektoralë në Shqipëri ka mbledhur në një takim në selinë rozë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Trojkën e Ambasadorëve”. Në fakt, ky takim me trojkën i kërkuar prej kreut të PS ka qenë një ngjarje plot sinjale kuptimplota për opozitën.
Së pari Edi Rama e ka nisur takimin jo me të tre ambasadorët njëkohësisht. Në orën e përcaktuar të PS për bisedimin me tre ambasadorët, Edi Rama është takuar si fillim me ambasadorin e OSBE-së Volfarth, ndërsa ambasadori amerikan dhe ai i Bashkimit Europian patën një vonesë prej 20 minutash, sipas tyre, shkak ishte axhenda e ngjeshur.
Mirëpo në gjuhën e diplomacisë edhe vonesat kanë simbolikën dhe mesazhet e tyre. Në fund të takimit, që zgjati për rreth një orë, në emër edhe të dy kolegëve të tij foli ambasadori i OSBE-së Eugen Vollfarth, i cili u bëri thirrje partive politike që të vijojnë dialogun dhe të merren seriozisht me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të zhvillohen sipas standardeve. Me këtë mesazh të shqiptuar prej ambasadorit të OSBE-së, trojka e ambasadorëve të SHBA-ve, BE dhe OSBE-së shprehet qartë se duhet më shumë seriozitet dhe nuk është më e gatshme të dëgjojë sa herë ankesa për përgatitjen e zgjedhjeve.
Kreu i opozitës, Rama që në takim vinte nga njëra anë si bllokues i vendimmarrjes së KQZ-së për ndarjen e mandateve dhe në anën tjetër shprehej i pakënaqur me faktin se është Parlamenti do duhet të vendosë për shpërndarjen e mandateve sipas zonave zgjedhore. Mirëpo me vonesën simbolike, trojka e ambasadorëve shprehej se nuk është me e gatshme të dëgjojë pafund shprehje që është “momenti i mbylljes së një kapitulli të stërzgjatur farsash elektorale”. Kapitujt e farsat elektorale mund të shkruhen në librat “Kurban” të Ramës, por jo në një takim serioz me trojkën e ambasadorëve. Alibia e vjedhjeve të zgjedhjeve janë të pakëndshme për ambasadorët që merren me gjera serioze. Rama s’po gjen karar as me të huajt e as me shqiptarët, pasi në të gjitha rrethanat ankesat s’e shpëtojnë nga verdiktin i 23 qershorit.
Ndërkaq pesë muaj përpara zgjedhjeve Partia Socialiste është në hall të madh elektoral. Edi Rama po përpiqet të shpikë sondazhe “pro” vetes së tij për të bashkuar partinë dhe larguar sindromën e humbjes së zgjedhjeve. Kjo sindromë humbjeje është munduar të shërohet me ilaçe radikale, ku patëm 6 muaj bojkot të kuvendit, takime “gju me gju me popullin” për transparencën e votës, me slogane të tipit “hap kutinë”, më pas demonstrata çdo ditë, autobusë e furgonë militantësh nga rrethet, qofte falas, çirrje nëpër konferenca, votim-rikonfirmim për kryetarin e votë-vjedhur, grevë urie, darkë te restorant “Krokodili”, demonstratë guerile kundër kryeministrisë, mosvotim ligjesh, destabilizim permanent, bllokim të tre ligjeve të integrimit, negociata e prapë bllokime në KQZ. Sido që të jetë në këto pesë muaj përgatitje, një gjë është e sigurt: me afrimin e zgjedhjeve, shtohen edhe shenjat e shformimit të karakterit të lidershipit opozitar.