E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Historia e Alepos, qytetit të mbushur me histori, të cilin Assad-i po e kthen në rrënoja

01-08-2012 / Gazeta 55

Aleppo, qyteti më i madh i Sirisë, është kthyer në një fushëbetejë vendimtare për luftën civile që ka përfshirë Sirinë. Helikopterët dhe tanket qeveritare po e shndërrojnë qytetin të mbushur me histori në rrënoja. Assad-i duket se nuk ka mëshirë as për trashëgiminë kulturore siriane që mbart qyteti i Alepos. Me një histori më të lashtë se Damasku, Alepo konsiderohet të jetë një nga qytetet më të vjetra në planet, dëshmitar i ngritjes dhe rënies së perandorive, i pushtuar nga pushtues të panumërt dhe i shkatërruar deri në themel nga tërmetet. Me shtëpi të vjetra gëlqerore dhe me rrugët me harqe, Alepo ka merituar mbrojtjen nga UNESKO.
Nga origjina e saj të hershme, Aleppo ishte një qytet ku njerëzit korrnin pasuri. Pllakat e saj me shkrim kuneiform, të cilat datojnë katër mijë vjet më parë, flasin për një vendbanim të quajtur “Halabu” – e më pas Aleppo -  i cili ishte që atëherë një qendër për prodhimin e rrobave. I pozicionuar jo shumë larg nga Deti Mesdhe në njërën anë, dhe nga lugina e lumenjve madhështorë Tigër dhe Eufrat në anën tjetër, qyteti e gjeti vendin të vendosur në kryqëzimin e rrugëve të lashta tregtare. Seleucids-ët, një dinasti greke, zhvilluan më tej zonën, ndërkohë që sot, arkitektura e shtëpive mban “firmën” romake, ndërsa planifikimi urbanistik është helenistik.
Pas ardhjes së Islamit dhe gjatë epokës së mesjetës, Aleppo u bë një qendër e Rrugës së Mëndafshit, ku kalonin pasuritë e Kinës dhe Indisë. Kur një nga shtrigat tek Makbethi i Shekspirit flet për gruan e një marinari: "Burri i saj, në Aleppo ka shkuar”-  publiku angleze në atë kohë duhet të kishte dijeni për madhështinë e këtij qyteti joshës.
Identiteti i së shkuarës dhe kozmopolitin i Alepos është i gdhendur në arkitekturën e saj. Xhamia e Madhe e qytetit dhe Kështjella që gjendet mbi një kodër në zemër të Alepos, janë dëshmi të periudhës mesjetare Turko-arabe. Në shekullin e 20-të, qyteti mbeti një shtëpi për besime të ndryshme fetare. Aty ka pasur gjithmonë një komunitet të lulëzuar hebre, i cili për gjashtë shekuj ka ruajtur me zell një nga kopjet më të famshme të Biblës hebraike, i njohur sot si Kodeksi Aleppo. Në periferi të qytetit, gjendet Kisha e Shën Simeonit, një rrënoje bizantine e shekullit të V, e supozuar të jetë ndërtuar në vendin ku Simeoni, një shenjtor i krishterë asketik, u ul për 37 vjet mbi një shtyllë, ashtu siç historiani britanik i shekullit XVIII e cilësoi, “Jeta Qiellore”.
Por, ndërsa historia Alepo pësonte ndryshime si pasojë e përzierjes së kulturave, qyteti nuk mund të ishte një bastion i paqes. Qyteti ishte vija e parë e frontit për kryqëzata. Në vitin 1119, një ushtri e përbërë nga alepponët, kurdët dhe fiset arabe asgjësuan një forcë të tërë kryqtarësh, në një betejë e cila do të mbahej mend nga kronistët latinë si “Sanguinis Ager- "Fusha  e gjakut". Shekuj më pas, shkëlqimi i Aleppo-s filloi të joshte dinastitë e ndryshme ndërluftuese, turke, arabe dhe mongole. Në 1400, kryekomandanti Mongol, Timur, mësyu qytetin. Një kronist e përshkroi sulmin "si një brisk mbi flokë" dhe si sulmi " i karkalecave mbi një fushë të gjelbër".
Perandoria Osmane do ta sundonte Alepon për katër shekuj, ndërkohë që gjatë fillimit të shekullit XX, do të sundohej nga francezët. Administratorët kolonialë francezë u përpoqën të konsolidonin kontrollin e tyre dhe u ndeshëm me nacionalizmin e sapolindur sirian, në tre qendra të mëdha të territorit - Aleppo, Damasku dhe territori i cili njihej atëherë si shteti Alevit. Dinastia e Assad-ëve, të cilët janë alevitë, kanë besuar gjatë në mbështetjen e elitave sunite të biznesit.  Si pasojë, ajo çka do të sjellë lufta civile në Alepo, do të ndikojë në të ardhmen e Sirisë dhe të Lindjes së Mesme si një e tërë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›