E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit do parandalojë pasurimin e paligjshëm

01-08-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha kthen vëmendjen tek qëllimet e miratimit të nismës për heqjen e imunitetit, duke kujtuar se ndërkombëtarët kërkojnë që të bëhet gjithçka për rritjen e transparencës. Ekspertët ndërkombëtarë kanë identifikuar se “kufizimi dhe heqja e imunitetit synon parandalimin e pasurimit të paligjshëm”

Kufizimi dhe heqja e imunitetit, synon parandalimin e pasurimit të paligjshëm.
Këtë ka shprehur dje Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ishte në Ministrinë e Drejtësisë, në inaugurimin e portalit më të ri të Shqipërisë dixhitale, portalin e sistemit gjyqësor shqiptar.
Duke e vlerësuar këtë portal si një hap shumë i madh në drejtim të transparencës, Kryeministri Sali Berisha, ndërsa bëri të ditur se vendime të tjera të rëndësishme priten në kuadër të transparencës, u ndal te heqja apo kufizimi i imunitetit. “Ne duhet të ndihemi  krenarë  me kërkesën tonë për të kufizuar apo hequr imunitetin, sepse kjo do të na bëjë ne më transparentë, kjo do të na bëjë ne më të barabartë para ligjit me qytetarët tanë. Në mënyrë të padiskutueshme funksioni i çdo zyrtari në këtë vend është mbrojtur dhe do të mbrohet, por fatkeqësi e madhe është në rast se pushteti përdoret për pasurime të paligjshme dhe imuniteti, kufizimi dhe heqja e tij, nuk synon asgjë tjetër veçse parandalimin, veçse qëndrimin ligjor ndaj të gjitha rasteve që pushteti përdoret për favore për  pasurim të paligjshme”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha.
Për Kryeministrin kufizimi apo heqja e imunitetit është një zhvillim pozitiv jo vetëm për legjislacionin shqiptar dhe drejtuesit e lartë shtetëror, por edhe për çdo gjykatës e gjykatëse. “Jam i bindur se kjo do të përbëjë një zhvillim shumë pozitiv për legjislacionin shqiptar, për drejtuesit e institucioneve shqiptare, por jam i bindur se kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv për çdo gjykatës dhe gjykatëse të këtij vendi dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme përgjegjshmërinë e tij, respektin e qytetarëve ndaj tij”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha duke ripërsëritur gatishmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka, për çdo hap modernizimi të mëtejshëm të veprimtarisë së gjyqtarëve e gjyqtareve.
Kryeministri Berisha pret ministren e Jashtme të Qipros, Erato Kozakou – Marcoullis - “Reformat e integrimit, bëmë të gjitha lëshimet për imunitetin - opozita të votojë më 6 gusht”/Përmbushja e rekomandimeve të Brukselit lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë, ishte tematika e trajtuar dje nga kryeministri Sali Berisha në takimin e zhvilluar me ministren e Jashtme të Qipros, Erato Kozakou – Marcoullis, vendi i së cilës kryeson presidencën e radhës të BE. Ministrja Kozakou - Marcoullis shprehu vlerësimet për reformat e arritjet e mëdha të Shqipërisë.
Ajo u shpreh e inkurajuar nga progresi i bërë, veçanërisht realizimin, në sajë të dialogut politik, të reformës zgjedhore dhe miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar.
“Ne presim, tha ministrja Kozakou - Marcoullis, që para tetorit, në frymën e dialogut e bashkëpunimit, të jenë bërë hapa substancialë në drejtim të 12 prioriteteve të Bashkimit Evropian dhe e rëndësishme në këtë drejtim është vazhdimi i dialogut dhe konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës”, deklaroi ministrja Kozakou - Marcoullis.
Kryeministri Berisha tha se, “duke e përcaktuar integrimin në BE projektin e saj më madhor, Shqipëria po punon fort për këtë projekt. Ndonëse kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë, pasi ne e nisëm atë si vendi i tretë më i varfër në botë, me 204 dollarë për frymë, sot - theksoi Kryeministri, - jemi vend me të ardhura mesatare të larta dhe kemi arritur disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara. Arritje të mëdha janë shënuar gjithashtu në ndërtimin e një rrjeti rrugor tërësisht të ri e modern, në krijimin e një klime gjithnjë e më të favorshme për biznes e investime, në ruajtjen e rritjes ekonomike, ndonëse në një periudhë të vështirë të krizës financiare e ekonomike evropiane e botërore, në fushën e turizmit dhe veçanërisht në fushën e ICT-së. Domethënës është niveli i investimeve të huaja në vend, ndër të më lartat për frymë në rajon. Por të gjitha këto, - theksoi Kryeministri, - ne i konsiderojmë vetëm si stacione në projektin tonë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, për të cilën ne jemi angazhuar ta përmbushim dhe shqiptarët e meritojnë”.
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e plotë të mazhorancës qeverisëse për vazhdimin në frymën e dialogut e të bashkëpunimit me opozitën, të përmbushjes së 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
“Në këtë frymë, tha Kryeministri, u arrit edhe drafti i përbashkët për kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, për të cilin mazhoranca bëri të gjitha lëshimet dhe pranoi kërkesat e Partisë Socialiste. Pas kësaj, mbetem me shpresën se opozita do të pranojë miratimin e kufizimit të imunitetit më 6 gusht, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin edhe për ligjet e tjera me shumicë të cilësuar”.
Ministrja Kozakou - Marcoullis tha se në takimet e saj do të inkurajojë opozitën për të vazhduar në frymën e dialogut politik, bashkëpunimin për arritjen e rezultateve të tjera të pritshme edhe në kuadër të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Panariti-Kozakou-Marcoullis: “Shqipëria në rrugë të mbarë për Statusin”/Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me homologen e tij qipriote, Dr. Erato Kozakou-Marcoullis, e cila viziton Tiranën në cilësinë e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian. Ministri Panariti vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë vizitë të Ministres Marcoullis, si tregues i drejtpërdrejtë i vëmendjes dhe angazhimit të vendeve anëtare të BE për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe rajonit. Ministri falënderoi për mbështetjen që Qipro në vijimësi u ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë, si dhe informoi Ministren Marcoullis mbi ecurinë e reformave kyçe, sipas Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve të Bashkimit Evropian. Zoti Panariti e siguroi homologen për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të vazhduar zbatimin e reformave, sipas masave dhe afateve kohore të parashikuara në Planin e Veprimit, duke shprehur bindjen se deri në vlerësimin e tetorit, Shqipëria do të ketë arritur masën bindëse të progresit për t’u kualifikuar si vend kandidat i Bashkimit Evropian. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformës në gjyqësor dhe administratën publike, do të vazhdojnë të mbeten prioritare në agjendën e qeverisë, theksoi Ministri Panariti.
Nga ana e saj, ministrja Marcoullis shprehu kënaqësinë për zhvillimin e kësaj vizite në Tiranë gjatë ushtrimit të presidencës së BE dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të vendit të saj, por edhe të Komisionit Evropian e vendeve anëtare, për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Marcoullis theksoi se është shumë e rëndësishme që klima pozitive politike të konsolidohet më tej, çka do të nxisë vazhdimin e reformave të rëndësishme për vendin të lidhura me perspektivën evropiane të Shqipërisë. Ajo siguroi se zgjerimi mbetet në krye të agjendës evropiane, ndaj dhe, në këtë drejtim, vëmendja kryesore është e përqendruar drejt Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, ajo vuri në dukje se perspektiva evropiane e rajonit është e lidhur ngushtësisht me procesin e paqëtimit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe se Presidenca qipriote do të mbështesë linjën e BE në raport me të gjithë vendet e rajonit, pavarësisht qëndrimit kombëtar të ndryshëm që ka në lidhje me Kosovën.
Marcoullis e ftoi ministrin Panariti të zhvillojë një vizitë zyrtare në Qipro brenda kohës së ushtrimit të Presidencës qipriote, gjatë së cilës pritet të merret vendimi për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, me bindjen se ajo do të ndikojë në një vendim pozitiv.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›