Fokus/Kisha Katolike shpall si emergjencë të ditës marrëdhëniet me myslimanët në Evropë
Të ndihmohen Kishat e fetë për t’u takuar në të përditshmen e tyre: ky është qëllimi për të cilin punoi katër vjet Komiteti për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, i mbledhur këto ditë në Munih të Bavarisë, në Gjermani. Organizmi, i themeluar nga Këshilli i Konferencave episkopale të Evropës dhe nga Konferenca e Kishave evropiane, në këtë seancë përfundon mandatin dhe së shpejti do të bëjë të njohur një dokument, në të cilin do të pasqyrohen rezultatet e punës katërvjeçare. Po cilat argumente u prekën në mbledhjen e Komitetit ekumenik këto ditë? Një nga anëtarët, Atë Klaudio Mongen, epror i bashkësisë domenikane të Stambollit thotë: “Nuk mund të harrojmë se në këtë çast jemi në fazën e një aktualiteti të posaçëm, atij të konfliktit në Lindjen e Mesme, që vijon përsëri. Për fat të keq, një komitet që mblidhet dy herë në vit, nuk mund të ndërhyjë mbi ngjarjet ngushtësisht aktuale; mund të reflektojë për to për të parë ç’mbetet pas këtyre ngjarjeve, në ç’pista duhet të vijojë punën, cilat janë – në rast nevoje – këshillat që mund t’u jepen Kishave të ndryshme, për një punë në vazhdimësi në territor, në vendin ku besimtarët e feve të ndryshme jetojnë ditë për ditë e takohen ditë për ditë. Kjo që po ndodh aktualisht vërteton edhe një herë faktin se, posaçërisht në Evropë – ku ka polarizime të menjëhershme, reagimet janë shpesh tepër ideologjike; vuajtjet – edhe ato të kaluarat – rikujtohen me gjithë dhimbjet e tyre, e atëherë kujtohemi, edhe më shumë, se gjithë kjo nuk është vetëm çështje që lidhet me fetë, por edhe me problemet e pafundme në këndvështrimin shoqëror, ekonomik e politik. Për momentin, po jetojmë një situatë të posaçme, që po jetojmë në këtë çast, tregon se është shumë e vështirë të merremi me Islamin në Evropë e me dialogun islamo- kristian, pa pasur mirë parasysh edhe faktorin hebraik. E duhet të pranojmë se në këtë drejtim nuk kemi qenë të pranishëm aq sa duhej. Është tepër e rëndësishme ta kemi seriozisht parasysh edhe çështjen e ‘trialogut” e jo vetëm të dialogut. Ndërgjegjësimin për faktin se duhet të punojmë gjithnjë më shumë gju më gju me partnerët myslimanë, edhe në punën teorike të reflektimit për problemet e për rrugën që ndiqet në zgjidhjen e tyre, thotë më tej ai. Kemi pasur disa faza, disa çaste – posaçërisht në pjesën e dytë të mandatit tonë - në të cilat takimet janë organizuar nga partnerët myslimanë, nga bashkëbiseduesit; të punosh në këtë fushë, do të thotë të ‘punosh me’. Mund të arrihet një farë suksesi, në atë masë në të cilën punohet vërtetë gju më gju, gjë që pastaj ndikon edhe mbi bashkësitë tona, mbi atë që bëjnë; e kjo, për të shmangur rrezikun që të mbetet dialog elite, dialog dijetarësh, t’i quajmë kështu, ose zyrtarësh, por të jetohet vërtetë në të përditshmen e njerëzve tanë.
Letër e ipeshkvijve katolikë për Obamën. Në qendër, aborti dhe përdorimi i qelizave staminale embrionale/Ipeshkvijtë katolikë të SHBA-ve i dërgojnë një letër të dytë presidentit të ri, Barak Obama, pas asaj të 13 janarit. Temat kryesore të së dytës, që mban datën 16 janar, kanë të bëjnë me abortin e me ligjet që garantojnë lirinë e ndërgjegjes. Aktualisht, ligjet amerikane parashikojnë që mjekët të veprojnë si ua thotë ndërgjegjia, në rastet kur u kërkohet të shkaktojnë aborte. Po ashtu, politika mbi qelizat staminale u siguron amerikanëve mundësinë të mos i shkatërrojnë qelizat staminale embrionale. Kardinali Frensis Xhorxh, president i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, si nënshkrues i letrës në emër të ipeshkvijve katolikë, kërkon që këto ligje të mos ndryshohen. Ai vë në dukje se shkenca gjithnjë e më shumë po shkon drejt qëndrimeve të Kishës, pasi përdorimi i qelizave të tipeve të tjera, po jep shumë më tepër rezultate, se sa përdorimi i qelizave embrionale. Nëse këto ligje do të ndryshojnë, përfundon kardinali Xhorxh, kjo do të ishte një fitore e trishtuar e politikës mbi shkencën.
Ipeshkvijtë kaldenj dhe sirio-katolikë kërkojnë një sinod për Lindjen e Mesme/Është urgjente që Papa të thërrasë sa më shpejt një sinod të përgjithshëm të të gjitha kishave të krishtera të Lindjes së Mesme, simbas shembullit të atyre të Amerikës Latine, Afrikës e Azisë. Këtë thirrje i bëri Papës Benediktit XVI një delegacion i ipeshkëvinjëve kaldenj dhe sirio-katolikë që vizituan Romën gjatë këtyre ditëve. Në fakt është e nevojshme që Selia Shenjte në bashkëpunim me të gjitha kishat lokale të ndjekë një strategji për të gjithë rajonin. Kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur zhdukjen përfundimtare të krishterëve nga Iraku, Libani, Palestina dhe nga Jordania. Nga ana tjetër Kisha e Romës duket sikur nuk ka një plan të hollësishëm se si të ndërhyjë në të gjithë rajonin ndërsa kleri dhe besimtarët e ndjejnë veten të braktisur dhe të izoluar. Gjatë një takimi me shtypin, arqipeshkëvi kalde i Kirkukut, Imzot Luis Sako kërkoi që “Selia Shenjte të mendojë për një Sinod të përgjithshëm të Lindjes së Mesme për këta të krishterë”. Aktualisht nënvizoi Imzot Sako “prania e kishës pothuejse mungon në rajon. Duhet të kujtohemi që Kisha nuk është vetëm lutje dhe liturgji. Edhe vëllezërit tanë myslimanë presin diçka prej nesh dhe ne jemi aty për t’i ndihmuar, për ta kuptuar pluralizmin përkrah njëri-tjetrit”. Në takim ishin të pranishëm edhe ipeshkëvi ndihmës kaldè i Bagdadit, Imzot Zhorzh Kasmusa, kryeipeshkëv i Mosulit dhe Imzot Màti Matoka, kryeipeshkëv siro-katolik i Bagdadit. Duke motivuar kërkesën për një Sinod të përgjithshëm të Lindjes së Mesme, Imzot Sako në emër të të gjithëve shpjegoi se “problemet e të krishterëve janë të njëjta në Liban e në Palestinë, kështu që është e rëndësishne që të gjithë ipeshkëvinjtë e rajonit së bashku me ekspertë të Selisë Shenjte, të shqyrtojnë një varg çështjesh”. Në këtë kuptim është urgjente, vijoi Imzot Sako “që të kemi një pozicion të qartë si Kishë në lidhje me problemet e hapura, përndryshe të krishterët do ta braktisin këtë tokë”. Është pra e rëndësishme që të gjitha kishat e lindjes, bashkë me Selinë Shenjte të studiojnë disa tema si marrdhëniet me islamin, rolin e të krishterëve në politikë, vlerën e dëshmisë së krishterë”. “Kemi nevojë pë afrimin e Kishës – shtoi Imzot Sako. Kemi një lloj prandjenjeje se jemi të harruar dhe të izoluar, kështu që kur Papa na thotë një fjalë që na jep zemër kjo për ne është shumë e rëndësishme”. Gjithashtu Imzot Sako përmendi faktin se në vitet e fundit në Irak ka pasur 500 martirë të krishterë për të cilët ai si kryeipeshkëv ruan listën e emrave. Më tej Imzot Sako vuri në dukje se koncepti i demokracisë nuk është i njëjti në perëndim dhe në lindje dhe që Iraku pas 35 viteve diktaturë dhe 5 viteve luftë ka nevojë në rradhë të parë për liri.
Ipeshkvijtë irakianë nisën dje vizitën e tyre ad limina në Vatikan/Disa nga prelatët irakianë që dje nisën vizitën e tyre ad limina në Vatikan u pritën paradite në audiencë nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI. Ata i sollën Mbasardhësit të Pjetrit shpresat dhe vuajtjet e një bashkësie të vogël e të vënë në sprovë të rëndë nga pasojat e luftës. Para vitit 2003, kur anglo-amerikanët ndërhynë ushtarakisht në Irak, në vend kishte 800 mijë të krishterë në një popull me 27 milionë banorë, ku 95 përqind e tyre janë myslimanë. Emigracioni, për shkak të kushteve të këqia të jetesës dhe të dhunës, vrasjet, pengmarrjet, kërcënimet dhe sulmet kundër kishave, e kanë përgjysmuar numrin e të krishterëve në vend. Historia e të krishterëve në Irak është një tragjedi brenda tragjedisë. Përveç atentateve dhe dhunës që godasin çdo ditë krejt popullatën është edhe problemi i kësaj bashkësie të vogël që po dëbohet me dhunë dhe me kërcënime, nëmose edhe me vrasje, nga shtëpitë e veta dhe shtrëngohet të shkojë në Siri ose në Jordani, ku mban frymën gjallë vetëm falë ndihmave të organizatave humanitare. Shpresa e tyre është se një ditë do të arrijnë të shkojnë në SHBA, në Australi apo në Evropë ku do të nisin një jetë të re. Të krishterët irakianë kanë frikë se bota do t’i harrojë. Pikërisht këtë vuri në dukje në mikrofonin e Radio Vatikanit, Imzot Luis Sako, kryeipeshkëv kaldè i Kirkukut thotë: “Fatkeqësisht e ndjejmë veten pak si të izoluar, të harruar. Të krishterët që e kanë braktisur vendin dhe të tjerët që kanë mbetur, janë në pritje, por pa shumë shpresë tek e ardhmja. Jetojnë të shqetësuar për fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre, për shtëpitë e tyre, për punën e tyre. Besoj se i përket edhe Perëndimit, Kishave që të na ndihmojnë. Ne jemi një Kishë e vogël. Jemi aty tash dymijë vjet dhe kemi pasur probleme edhe më të vështira se këto. Pra, tani nuk mund të largohemi e të braktisim Irakun. Gjysma e të krishterëve është larguar nga vendi dhe tashti, mbase duhen ndihmuar që të kthehen në Irak”. Pyetjes nëse presidenti i ri amerikan Barak Obama është një shpresë, ai i përgjigjet: “Nuk dihet. Politika nuk varet nga një njeri. Po vendosi të tërheqë ushtarët, atëherë për ne hapen telashe. Ndoshta mund të ketë luftë civile. Nuk kemi ushtarë dhe policë të mjaftueshëm për të kontrolluar një vend 25 milionësh”.
Marrë nga Radio Vatikani