Parlamenti njeh reformat e Berishës, konsensus për aplikimin në BE
Parlamenti shqiptar ka arritur një konsensus paraprak për miratimin e një rezolute, e cila do të nxisë aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Përveç mazhorancës, edhe opozita ka pranuar suksesin e reformave të kabinetit “Berisha”, duke i dhënë mbështetjen e duhur politike një aksioni me rëndësi kombëtare
TIRANE - Parlamenti shqiptar do të miratojë një rezolutë që nxit qeverinë shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE brenda një kohe të shkurtër. Nisma në fjalë ka dhe mbështetjen e opozitës dhe pritet të miratohet sot në komisionin parlamentar të integrimit.
Rezoluta në fjalë informon Bashkimin Evropian rreth angazhimeve, që Kuvendi i Shqipërisë do të ndërmarrë në vijim, për integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike. Për kryetarin e komisionit të jashtëm Preç Zogaj kjo projekt-rezolutë do të shërbejë dhe si shtysë për Këshillin e Ministrave që brenda këtij muaji të bëjë kërkesë për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE.
“Në thelb kjo rezolutë nxit qeverinë shqiptare që të aplikojë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Është një etapë në rrugën e gjatë të integrimit, është një akt që duhet bërë, edhe vetë opozita është shprehur në favor të kësaj nisme në kohë dhe ka ardhur tamam çasti që Kuvendi solemnisht të nxisë qeverinë që të japë dhe një mesazh për partnerët tanë evropianë për këtë dëshirë”, u shpreh Preç Zogaj, deputet i PD-së.
Kryeministri Berisha ka bërë me dije se ka në plan që të aplikojë së shpejti për statusin e vendit kandidat brenda presidencës së radhës së BE-së që mbahet nga çekët.
Pas miratimit nga parlamenti, të rezolutës së anëtarësimit, pritet që kryeministri Berisha t’i dorëzojë në mënyrë zyrtare kërkesën për statusin e vendit kandidat në familjen evropiane, homologut të tij çek, vend i të cilit prej janarit drejton Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.