E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Koncili i Ilirikut në vitin 415: ndeshja mes Bonifaci I dhe Perandorit Teodosi II

03-08-2012 / Gazeta 55

Në Koncilin e Ilirikut, mbledhur në vitin 415, çështja e emërimit të ipeshkvit Perigjeni, u bë shkas për lindjen e një konflikti të ashpër ndërmjet Papës Bonifaci I dhe Perandorit bizantin Teodosi II. Pasi ipeshkvijtë, që kundërshtuan zgjedhjen e Perigjenit i shkruan një letër ipeshkvit të Kostandinopojës, Atikut e, përmes tij, perandorit të Lindjes, Teodosit II, ky i fundit, që kishte nën pushtetin e tij administrativ Perandorinë e Lindjes, më 14 korrik të vitit 421 shpalli një dekret, drejtuar pretorit të Ilirikut. Përmes tij urdhëronte që të gjitha problemet e Kishës në këtë zonë, të zgjidhen vetëm pas marrëveshjes me ipeshkvin e Kostandinopojës i cili, sipas dekretit, gëzonte privilegjin e Romës së lashtë (Codex Thodosianus XVI, 2,45; cfr ep. 9 në letërkëmbimin e Bonifacit, në P. L. XX, col 670). Në se ky dekret do të vihej në jetë, kjo do të thoshte të anulohej gjithë veprimtaria e papëve paraardhës (Anastasit, Inoçencit e Zosimos) të cilët kishin bërë përpjekje të pareshtura për bashkimin e Kishave të Ilirikut në një vikariatit papnor, të shkëputur Kostandinopoja, që synonte të ruante gjithnjë epërsinë e shtetit mbi Kishën. Papa e kundërshtoi haptazi ediktin perandorak. Ai i kërkoi perandorit Onori të ndërhynte pranë Teodosit II, duke ia mbushur mendjen t’ia rikthente Selisë romake të drejtat e lashta mbi Ilirikun. Onori iu bind Papës, e shkroi dhe e nisi letrën në Kostandinopojë. Përgjigjja e kolegut lindor qe e menjëhershme: perandori deklaroi se u kishte dhënë urdhër prefektëve të Ilirikum të respektonin disiplinën apostolike të kanuneve të lashta. Qëndrimi i Teodosit II ndryshoi edhe për shkak të ngjarjeve të reja politike. Kundërshtitë, që kishte shkaktuar emërimi i një ipeshvki, i zgjidhi vdekja e një pretetendenti për fronin perandorak lindor, patricit Kostanci, që ëndërronte të ulej në fronin e Lindjes e të Perëndimit, duke i shqetësuar jo pak të dyja palët. Dalja e tij nga skena i sheshoi mosmarrëveshjet ndërmjet Perëndimit e Lindjes dhe vikariati i Selanikut rifilloi veprimtarinë, nën vartësinë e Selisë Apostolike Romake. Papa nisi menjëherë në Ilirikum legatin e vet, Severin, “notarius” i Selisë Apostolike, me tri letra. Njëra i drejtohej Rufos së Selanikut, i cili porositej të vijonte luftën me kundështarët dhe të fuqizonte lidhjen me Kishën e Romës e me pasardhësin e Shën Pjetrit. Në këtë letër, Papa nënvizonte se i kishte dërguar Sinodit të mbledhur në Thesali për diskutimin e çështjes së Perigjenit, letra të tjera, me qortime, porosi e këshilla, duke theksuar se nuk mund të organizoheshin takime ipeshkvnore, pa miratimin e Rufos. Shtonte, sidomos, se gjykimi papnor ishte i padiskutueshëm, prej këndej, nuk mund të prapsohej vendimi, që ishte marrë një herë nga Selia Apostolike. Papa e porosiste Rufon të merrte masa për disa anëtarë të klerit. Letra mbante datën 3 mars 422, ashtu si dhe letrat e tjera, drejtuar të gjithë ipeshkvijve të Thesalisë dhe atyre të Ilirikut. Në letrat, drejtuar ipeshkvijve të Thesalisë, pohohen me forcë privilegjet e Selisë Apostolike, që nisin nga Shën Pjetri, dhe bëhet thirrje për rishikimin e kanuneve të Koncilit të Nikesë. Letra drejtuar Rufos prekte sërisht çështjen e Perigenit e edhe atë të thirrjes së sinodit në Korint, për të shqyrtuar situatën e një ipeshkvi, që Selia Apostolike e kishte miratuar tashmë për banorët e këtij qyteti, duke e shikuar si shprehje të vullnetit hyjnor, faktin që Perigjeni qe bërë ipeshkëv i qytetit, ku qe rritur. Në letër Bonifaci theksonte edhe një herë autoritetin e Shën Pjetrit Apostull, prej nga buronte edhe misioni i tij, i caktuar nga vetë Krishti, sipas Mateut (Mt 16, 18-19), për ta përforcuar në fe Kishën universale e, prej këndej, edhe Kishat lindore, ndërmjet të cilave, ato të Ilirikut. Mendohet të jetë e Bonifacit I edhe një letër, drejtuar nëntë ipeshkvijve të Ilirikut, përfshirë gabimisht ndërmjet letrave të Çelestinit I. Përmes saj, Papa mbron çështjen e Feliksit, ipeshkëv i Durrësit, kundra një fraksioni, që e akuzonte dhe ripohonte privilegjet e Rufos së Selanikut lidhur me shugurimet, mbledhjet e ipeshkvijve dhe zgjidhjen e çdo problemi, që mund të krijohej në jetën e provincës. Rufo, që do të vepronte si mëkëmbës papnor, do ta njoftonte Papën për çdo ngatërresë e kush do nuk do ta pranonte autoritetin e tij, do të përjashtohej nga bashkësia e vëllezërve.
Marrë nga “Radio Vatikani”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›