Vietnami në shahun botëror – përballë Kinës ndjell një bazë detare ruse
Vietnami, i cili aktualisht po përballet me presionin e pamëshirshëm kinez në ujërat e kontestuara të Detit të Kinës Jugore, sipas raporteve që vijnë nga Moska, tanimë është i gatshëm të mirëpresë ushtrinë ruse në bazën e tij në gjirin Cam Ranh. Raportet mediatike vijnë teksa Presidenti vietnamez, Truong Tan Sang, takoi Presidentit rus, Vladimir Putin, në fund të javës së kaluar në Moskë. Fakti që Vietnami po kërkon mbështetje ushtarake nga partnerët e rinj dhe të vjetër në mënyrë që të balancojë komshiun e saj gjigant në veri nuk përbën lajm. Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, vizitoi një Vietnam shumë mikpritës mes raporteve se dy palët po intensifikojnë angazhimet e përbashkëta ushtarake. Vietnamezët tashmë kanë rëndë dakord për t’u shërbyer me lehtësira në bazën ushtarake në gjirin Cam Ranh anijeve jo ushtarake amerikane. Hanoi, gjithashtu ka treguar etje për të rritur bashkëpunimin ushtarak me Indinë. Por, perspektiva e një kthimi të marinës ruse në Vietnam, prapëseprapë, është qartësisht lajm. Pasi Vietnami dëboi forcat ushtarake amerikane në Indo-Kinë në vitin 1975, marina sovjetike lëvizi me shpejtësi për të marrë përsipër bazën në gjirin Cam Ranh, një bazë e madhe detare për forcat amerikane deri në mesin e viteve 1970. Pavarësisht shembjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia e ruajti prezencën e saj ushtarake në Vietnam derisa Putin vendosi të tërhiqej në vitin 2001. Por, Rusia së fundi ka dhënë sinjale të vendosmërisë së saj për të rivendosur praninë ushtarake në rang global. Javën e kaluar, komandanti suprem i marinës ruse, zv-Admirali Viktor Chirkov tha për agjencinë shtetërore “Novosti” se Moska është në bisedime me Kubën, Sejshelet dhe Vietnamin për krijimin e lehtësirave për ri-furnizimin dhe mirëmbajtjen e anijeve ushtarake. Kjo është pjesë e përpjekjeve të Moskës për të nxitur aftësitë e marinës ruse për të projektuar fuqinë ushtarake dhe për të ndërmarrë operacione ushtarake përtej brigjeve të saj. Teksa nuk të habit interesi i Rusisë për të rritur profilin e saj detar, negociatat e raportuara për një strukturë detare në Vietnam vijnë në një kohë që tensionet kino-vietnameze po shënojnë rritje ndërsa lidhjet e Moskës me Pekinin thellohen gjithnjë e më shumë. A mund ta marrë parasysh Rusia bezdisjen e Kinës në kurriz të forcimit të bashkëpunimit ushtarak me Vietnamin? Jo-çuditërisht Moska u tregua e shpejtë në mohimin e raporteve mediatike. Ministria ruse e Mbrojtjes fajësoi keqkuptimin e deklaratave të Admiral Chirkovit. Edhe Presidenti Truong gjithashtu hodhi poshtë raportet se Vietnami i ka ofruar bazën detare në Gjirin Cam Ranh marinës ruse. Ai tha për “Zërin e Rusisë” se lehtësimet për riparimin e anijeve dhe mirëmbajtjen e tyre në bazën detare të gjirit Cam Ranh do të krijohen për të gjitha marinat mike dhe mund të përdoren për të thelluar bashkëpunimin ushtarak mes Hanoit dhe Moskës. Duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme të këtij subjekti dhe marrëdhëniet komplekse që Rusia dhe Vietnami kanë me Kinën, të dyja palët duan të ecin ngadalë. Por, nuk mohohet konvergjenca e fortë e interesave detare ushtarake të Moskës dhe Hanoit. Të dyja palët do të kërkojnë të kalibrojnë me kujdes konvergjencën e tyre pa provokuar një reagim të fortë të Pekinit zyrtar. Por, me të vërtetë Putin e ka në dorë të vendosë nëse Rusia dëshiron të luajë një violinë të dytë pas Kinës në Azi, apo të ndërtojë një rol të pavarur në Paqësor dhe Oqeanin Indian.
...