Fokus/Një aventurier politik rrezikon të ardhmen e vendit

Pa frikë mund të thuhet se Shqipëria do ishte sot vend kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, nëse klasa politike, mazhoranca dhe opozita do kishin përmbushur 3 kushtet e fundit të KE. Por ndodhemi përballë një realiteti tjetër, të zymtë nga pikëpamja e seriozitetit më të cilin synohet të realizohen reformat dhe rekomandimet e Brukselit. Nga muaji shtator dhe deri në dhjetor ka pasur zero përpjekje në drejtim të miratimit të “masës kritike”, 3 ligjeve që mbajnë peng statusin e kandidatit: Gjykata e Lartë, Reforma Parlamentare dhe Nëpunësi Civil. Të tre këto nisma janë shqyrtuar dhe miratuar në komisionet parlamentare të Kuvendit dhe mbetet veç fjala e fundit e ligjvënësve.
Partia Socialiste, në inkoherencë me zhvillimet e vendit në raport me aspiratën për integrim, gjithnjë është orientuar drejt ngritjes së barrierave ndaj çdo segmenti që përqaset me perspektivën evropiane. Kjo jo pa qëllim, por përmes aksioneve të koordinuara me feedback bllokimin e statusit dhe krijimin e vonesave të integrimit të Shqipërisë. Edhe sot e kësaj dite, kur janë djegur afatet e miratimit të 3 kushteve, PS s’ka dhënë asnjë shpjegim të qëndrueshëm mbi arsyet dhe motivet që e shtyjnë atë në ngritjen e ‘bllokut’ anti-BE.
Vendimi përfundimtar nga Brukseli ende nuk është bërë zyrtar, por do të gënjenim veten nëse do rreshtoheshim në pozita optimizmi, kur të gjithë e dimë se “dëmi është bërë”; Shqipëria mbeti pa status për të tretin vit radhazi.
Dy vitet e mëparshme u shkuan dëm po nga faktorët bllokues të Partisë Socialiste me bojkotimin e parlamentit, organizimi i protestave të dhunshme me bllokime rrugës, djegie gomash e duke kulmuar në 21 janarin e tmerrit antishtetëror. Të gjitha këto, për hir të prirjes karrieriste të një aventurieri politik që është krejt rastësisht aty, por kërkon të fuqizohet dhe të rreshtohet në pozita “pushtetari pa vota”.
E njëjta situatë u përsërit vit pas viti, teksa barrikada e bllokimit ngrihej ditë pas dite me kushte absurde, ultimatume, shantazhe dhe oferta për pazare në kurriz të vendit dhe qytetarëve të tij. Fatmirësisht, gjithçka mbeti në letër.
Asnjë prej planeve ogurzeza për rrënimin e rendit kushtetues, sistemit politik dhe social-shoqëror s’gjeti terren, pasi politika e shantazhit, dhunës, frikës dhe pazareve të rëndomta janë të pahijshme për një vend që ndodhet vetëm një hap larg familjes së madhe evropiane. Bllokimet artificiale me tendencë dhe të orientuara drejt interesave politike, që në thelb përbëjnë klikën anti-BE, s’do e kenë të gjatë. Duhen argumente të forta dhe një logjikë e ftohtë, që të justifikosh para qytetarëve bllokimin e statusit të kandidatit për 3 ligje, miratimi të cilëve kërkon vetëm 3 minuta kohë.
Gjithsesi, sot, kur puna e statusit është e mbyllur dhe për këtë vit, vlen shprehja, siç thotë populli, “mend për herë tjetër”. Dhe pse, “herë tjetër” s’do ketë për Edi Ramën. Pasi, “herë tjetër” nënkupton vitin e ardhshëm (2013-ën), atëherë kur PS, sërish në opozitë, do ketë një lidership konstruktiv dhe një prezencë parlamentare pro-evropiane.
Fakti/Edi Rama synon rikthimin e ansamblit “Babëzia” në PS
Partia Socialiste ka një problem të madh artikulimi publik. Një gjë duhet kuptuar risia nuk është në artikulimin e fjalëve “rilindje”, por dhe tek fytyra që mishëron fjalën. Sigurisht me fjalët e Gramoz Ruçit çdo pritshmëri rrezikon të dështojë dhe jo të rilindë. Efekti i rilindjes së opozitës është parë dhe ditën e djeshme me rikthimin mamutëve të korrupsionit në vizionin ekonomik të Partisë Socialiste.
Takimet e fundit të kreut të PS, Edi Rama me figura politike jashtë grupit parlamentar të sotëm janë sinjalizuese për afrimin e një grupi politikanësh të KPD së famshme. Kjo parti pritet të rikthejë në listën e kandidatëve për deputet ish-ministra të korruptuar të qeverisë “Nano” për të bërë kësisoj “rilindjen” e riciklueshme.
Kuptohet vetiu, partia Socialiste po merr çdo ditë që kalon profilin “frankeshtajnit” të përçudnuar që brenda gjirit të saj ka deputetë miliarderë, eunukë pa fjalë, ish-ministra të korruptuar, komunistë fanatikë dhe neokomunistë të orës së fundit, pinjollë të ish-Bllokut shokë të Ramës. Janë një aglomerat interesash të kundërta që përkojnë vetëm në dëshirën për të sunduar pushtetin, duke zbatuar agjendën e korrupsionin që është specialitet i mirëfilltë i qeverive socialiste.
Me këto personazhe të ricikluara në zgjedhjet e ardhshme opozita ka rilindur e vdekur.
Të kuptohemi. Retorika politike e opozitës është e njëjta e para shtatë viteve.
Nuk ka ndryshuar asnjë presje. “Saliu nuk bie vetë. Saliun duhet ta rrëzojë fryma elektorale që duhet të ngrejë opozita shqiptare nën udhëheqjen e Partisë Socialiste e të Edi Ramës. Të gjithë ju jeni angazhuar në censusin për regjistrimin e votuesve në qendrat tuaja të votimit. Duhet të trokisni në çdo derë shqiptari e të thoni: ‘Në 2005-ën, Saliu kur erdhi e gjeti kilen e bukës me 500 lek, sot Saliu që do ikë e lë bukën me 1000 lek’”, u shpreh dje Gramoz Ruçi në Asamblenë e PS së Tiranës.
Numri dy i PS, ish-ministri i fundit i Sigurimit famëkeq Gramoz Ruçi fajësoi kryeministrin Berisha për mos marrjen e Statusit të vendit Kandidat duke harruar se opozita socialiste refuzoi të votonte tre ligjet e kërkuara nga BE-ja, çka u reflektua në kushtëzimin “Statusi, pas miratimit të tre reformave”.
Megjithatë gjatë mandatit të parë të qeverisë “Berisha”, Shqipëria u anëtarësuar në aleancën më të madhe ushtarake që kanë njohur historia, në NATO, që siguroi më një herë e mirë lirinë dhe demokracinë e qytetarëve; gjatë mandatit të dytë të qeverisë “Berisha II”, qytetarët shqiptarë me liberalizimin e vizave lëvizin të lirë në zonën “Shengen”.
Po gjatë këtij mandati gjasat për të marrë Statusin kandidat ishin të shumta pas marrëveshjes konsensuale të nëntorit të palëve politike që për ligjet e integrimit do të kishte një shumicë të cilësuar në parlament.
Por në momentin më deciziv për të shprehur vullnetin “pro” europian të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama ngriti krye duke bllokuar me këmbëngulje tre ligjet e kërkuara nga Brukseli me alibinë e çështjes së qarkut të Fierit.
...