E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton në tërësi buxhetin e shtetit për vitin 2013-ë. Opozita kundër rritjes së pagave dhe pensioneve

17-12-2012 / Gazeta 55

Ligjvënësit, 72 vota “pro” projektbuxhetit të vitit të ardhshëm

Tiranë- Kuvendi miratoi sot në seancë plenare, buxhetin e vitit 2013 me 72 vota “pro” dhe 60 kundër. Siç dhe kishte paralajmëruar opozita parlamentare e kundërshtoi atë si në shqyrtimin nen për nen ashtu dhe në tërësi. Ligjvënësit shqyrtuan sot në seancë parlamentare nen për nen dhe në tërësi projektligjin për “Për buxhetin e vitit 2013”. 

Me nisjen e seancës mazhoranca ka rrëzuar me 72 vota kundër, propozimet e Partisë Socialiste për projektbuxhetin e vitit 2013.

Forcat  parlamentare e kanë deklaruar tashmë qëndrimin e tyre pro dhe kundër këtij buxheti, ndaj dhe kjo seancë u përcoll me debat. Kjo për vetë faktin se opozita që me nisjen e diskutimeve e ka kundërshtuar me forcë atë duke u deklaruar se buxheti do ta zhysë vendin në krizën e borxheve. Ndërsa mazhoranca e ka cilësuar këtë buxhet si më të madhin në historinë e vendit. 

Nuk kanë munguar debatet gjatë  kalimit të çdo neni të projektbuxhetit. Deputetët e opozitës propozuan amendamente për disa prej neneve. Kryesisht për menaxhimin e të ardhurave nga privatizimi i Albpetrolit, për shpërndarjen jo të qartë të shpenzimeve të çdo ministrie, për mënyrën e shpërndarjes së fondeve ndaj pushtetit vendor ku penalizohen të majtët, për fondet jo të qarta për ndërtimin e rrugëve si dhe me administrimin e dështuar të borxhit publik. 

Të gjitha këto propozime janë rrëzuar me votim nga mazhoranca. Përsa i përket nenit 18 për heqjen e kufirit të borxhit ministri i Financave Bode  ka sqaruar edhe njëherë socialistët se borxhi nuk mund të lidhet asnjëherë me Bankën Qendrore të vendit. Këto lloj reformash sipas tij i përkasin vetëm regjimit totalitar dhe jo ekonomive të zhvilluara.

Seancën e kaluar ky buxhet u votua në parim duke marrë 74  vota pro nga mazhoranca dhe 56 vota kundër nga opozita.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›