E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondacioni "Friedrich Ebert", takim për perspektivat në vend

Fondacioni "Friedrich Ebert" organizoi sot takimin “Perspektivat e Shqipërisë për 10-vjeçarin e ardhshëm”. Ish-ministri gjerman Zopel u ndal edhe në rëndësine e zgjedhjeve, të cilat sipas tij duhet të jenë të ndershme e demokratike. 

TIRANE- “Perspektivat e Shqipërisë për Dhjetëvjeçarin e ardhshëm” ka qënë tema e një takimi të organizuar nga Fondacioni "Friedrich Ebert". Në takim ka marrë pjesë edhe Christoph Zopel, ish-Ministër Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Zopel ka vizituar disa herë vendin tonë që prej vitit 2000 dhe ai shprehet se i kanë bërë përshtypje ndryshimet dhe zhvillimet. Duke u ndalur në disa nga sfidat me të cilat Shqipëria do të duhet të përballet në dekadën e ardhshme, ish ministri gjerman sqaroi se kriza ekonomike globale ka patur ndikimin e vet edhe në Shqipëri.

Kjo mund të sjellë një rënie të investimeve të huaja dhe eksporteve ndaj dhe politika ekonomike në Shqipëri në këtë situatë duhet të fokusohet në mbështetjen e sektorit të prodhimit të brendshëm.

Ndër të tjera, Zopel u ndal edhe në rëndësine e zgjedhjeve të qershorit, të cilat sipas tij është e domosdoshme të jenë të ndershme e demokratike, ndërsa theksoi se partitë duhet të mirëpresin monitorimin e OSBE-së.
Përsa i përket lëvizjes së lirë në Europë, ai vlerësoi se BE duhet tua japi këtë të drejtë qytetarëve shqiptarë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›