E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni Vodafone Albania, në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar shikimi

10/02/2010  Projekti
Fondacioni Vodafone Albania bën të mundur që edhe komuniteti i personave të verbër të mësojnë përdorimin e kompjuterit. Me anë të projektit “Hap një dritare”, Fondacioni Vodafone Albania në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë bëri të mundur që edhe ky komunitet të mësojë përdorimin e kompjuterit dhe si pasojë të mund të integrohet në tregun e punës. Nëpërmjet programit Xhaus (JAWS), ky komunitet arriti të përqafojë me sukses përfitime nëpërmjet përdorimit të të rejave të teknologjisë. Transkriptimi i shkrimit në audio si dhe përdorimi i kompjuterit në mënyrë të pavarur për funksione edukative dhe studimore, motivuan kursantët të avanconin dijet e tyre me shpejtësi. Para se të arrihej këtu, sigurisht është bërë një punë e madhe. Një ekip prej 5 instruktorësh të përgatitur nga institucione të specializuara, ndihmuan dhe dhanë kontributin e tyre për të gjetur mënyrat e përshtatshme dhe për të përcjellë sa më mirë dijet e tyre tek kursantët. Aktualisht në botë, personat me aftësi të kufizuar në shikim, përdorin shumë produkte, të cilat funksionojnë me programe në audio. Nisur nga njohja e nevojave të komunitetit si dhe kushteve të vështira financiare të të verbërve, Fondacioni Vodafone Albania si një dëshmi e kontributit të një biznesi të përgjegjshëm, mbështeti financiarisht nisjen e zhvillimin e këtij projekti, ku përfshihet blerja e pajisjeve dhe programeve kompjuterike, si dhe ngritja e qendrave të trajnimit në 9 rrethe. Qytetit të Tiranës, që tashmë ka dhe qendrën më të madhe, i shtohen edhe qendrat në Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë dhe Tepelenë. Sipas përfaqësuesve të Fondacionit Vodafone Albania, përfitimi më i madh në këtë iniciativë është pikërisht fakti se këto qendra janë të qëndrueshme në kohë dhe do tu shërbejnë edhe qindra dhe mijëra përfituesve të tjerë të verbër në vitet që do vijnë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›