“Luzha dhe luzhjanët gjatë shek. XVI-XXI
09/02/2010 Atdhetarizmi shekullor
Në këto njëzet vjetët e fundit po lind e formohet një letërsi e re, e cila mund të quhet letërsi historike. Kjo po i kundërvihet politikës së mbrapshtë të ditës, që përpiqet të mohojë vlerat e qytetërimit shqiptar që është formuar gjatë shekujve dhe që bën identitetin tonë kombëtar. Shumë njerëz me kulturë dhe me përkushtim atdhetar po shkruajnë libra me krijime të mirëfillta artistike, shkencore dhe historike të bazuara në dokumente arkivore dhe të dhëna gojore të disa brezave. Këto i ballafaqojnë me të kundërtat e tyre dhe nxjerrin përfundime me vlera jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen e vendit tonë. Ata evidentojnë prejardhjen e hershme, ngulimet në vende e kohë të ndryshme, shkaqet e lëvizjeve, urbanizimin e vendbanimeve, zgjerimin e fiseve, zhvillimet e tyre dhe shtrirjet, degëzimet në hapësirat mbarëshqiptare; po kështu evidentohen luftërat dhe përpjekjet që kanë bërë dhe bëjnë shqiptarët si kundër forcave të natyrës, po ashtu edhe kundër synimeve grabitqare të shteteve fqinje, me qëllim që të mbrojnë jetën e njerëzve, gjuhën, zakonet e traditat, tokën dhe pasurinë e tyre, për të mbijetuar në dheun e të parëve tanë të lashtë.
Këto krijime për vetë përmbajtjen, nivelin kulturor, artistik, shkencor dhe historik kanë gjetur mbështetje morale dhe material të shqiptarëve në tërësi kudo që jetojnë e punojnë. Për një pasqyrim më të plotë të këtyre dukurive në letërsinë e re, po veçojmë librin: “Luzha dhe luzhjanët gjatë shek XVI-XXI” i vëllezërve Balaj. Ky është një libër i mirështjelluar në formë, kompozim, ndërtim dhe në përmbajtje. Aty gjen atdheun tënd të hershëm me histori të mbushur me ngjarje e figura të shquara, të argumentuar bindshëm, të djeshmen me arritjet e dështimet dhe me shkaqet, me pësime dhe mësime për të ardhmen, të sotmen me problemet e shumta, të mprehta e të ndërlikuara nga vetë politikanët, që në kacafytjet e tyre nuk lënë gjë pa bërë për ta mbajtur ose për ta marrë pushtetin, se prej tij shohin se mund të nxjerrin fitime të majme. Njëkohësisht prej faqes së parë e deri tek e gjashtëqinda përshkohet nga dashuria për atdheun dhe mbrojtjen e vlerave më të mira të tij para synimeve të atyre që përpiqen t`i nënçmojnë e për rrjedhim t`i mohojnë.
Një ndër këta libra, që ruan të shenjtë historinë, traditat dhe kulturën e së kaluarës është edhe “Luzha dhe luzhjanët gjatë shekujve XVI-XX-1” I lexova me vëmendje të veçantë 614 faqe të këtij libri. Nuk u zhgënjeva aspak, përkundrazi, në 13 kapitujt e tij dhe në çdo fragment gjeta të vërteta historike, përshkrime të sakta zakonesh e traditash që e kanë mbajtur shqiptarin të dallueshëm prej të tjerëve, arsyet se pse nuk është tjetërsuar, por ka qëndruar vital, shndërrimet qytetare prej lashtësisë e gjer më sot; më në detaje dhe shumë konkret janë dhënë sidomos dy shekujt(XIX-XX); shndërrimet e mëdha, zigzaget e zhvillimeve gjer në ditët e sotme.
Libri ka vlera të veçanta shkencore, historike, artistike dhe atdhetare. I ngjanë një supermarketi gjigant në natyrë, ku thuhet se gjen gjithçka, veç nënë e baba jo, por në fakt, në këtë libër i gjen edhe nënë dhe baba, që jetojnë sot e qindra vjet të shkuara. Kjo edhe nëpërmjet gjashtëmbëdhjetë brezave histori, pra mbi pesëqind vjet…
Libri hapet me fjalën e urtë: “Atdheu dhe nëna nuk harrohen”. Gjithë libri është ndërtuar mbi themelin e kësaj fjalë të urtë. Në 13 kapitujt që ka libri shtjellohet si të themi fjali pas fjalie historia e atdheut tonë të lashtë dhe të ri, me të parët katragjysha 16 breza më parë e gjer te fëmija i sotëm, histori e lavdishme dhe tragjike njëkohësisht, por askund nuk ka vend pesimizmi, por optimizmi për ditë më të mira është fjala kryesore.
Është historia e një fisi, e një krahine, e gjithë trojeve shqiptare me uljet e ngritjet, me luftërat, përpjekjet, sakrificat e panumërta kundër lakmive të fqinjëve tanë grabitqarë, të pangopur. Për të përballuar këto të papritura të fqinjëve, edhe fëmijët, sapo mbushnin 16 vjet jetë, e kishin mësuar përdorimin e armës dhe ishin të gatshëm për luftë ku u printe i pari i tyre me thirrjen: “Kushtrim, në 7 e në 70…!” Djemtë burrëroheshin para kohe. Këtë pjekje ua diktonte koha e rrethanat e vështira, se jetonin komshi me të pabesët; gjuha, zakonet, atdheu, mbijetesa i bënte ata të aftë për mbrojtje të jetës, nderit, tokës.
Autorët, për të mësuar se në ç’terren kanë jetuar e luftuar lezhjanët, përshkruajnë me hollësi dhe bukuri të rrallë pamjen fiziko-gjeografike të fshatit. Malet dhe fushat, toka pjellore pothuaj e rrafshët, me ujë të bollshëm, me pyje e kullota të shumta, me bjeshkën për verim, me pasuritë nëntokësore, si: krom, gëlqere, gurë ndërtimi etj., ku nuk mungon asgjë për një jetesë normale, janë si gjithë Shqipëria lakmi e të huajve, ndaj edhe gjithnjë duhet ruajtur edhe me armë. Këtu shpaloset edhe lashtësia shqiptare e këtij vendi me emra vendesh që i përkasin kohës latine, prej dy mijë e sa vjetësh e këndej. Mund të themi se është Shqipëria mijëravjeçare, me terren dhe me njerëzit e saj të ngulur në këto troje po prej mijëra vjetësh. Këto argumentohen edhe me vazhdimësinë e emrave të vendeve që i ruajnë edhe banorët e sotëm që prej lashtësisë; në tërësi është pra edhe historia edhe kultura e mbarë popullit tonë.
Si në një pikturë murale të përmasave vigane e shohim luzhjanin e bashkë me të të gjitha bashkësitë shqiptare me mënyrën e jetesës, doke e zakone që e kanë udhëhequr dhe administruar jetën e tyre nga lindja deri në vdekje, por edhe pas saj, se edhe vdekja administrohet nëpërmjet nekrologjisë dhe letërsisë e na vjen e freskët edhe sot.Kanuni i Lekë Dukagjinit, si kodi i të gjitha kodeve që rregullonte jetën brenda familjes, fisit, fshatit, krahinës, midis krahinave, është zbatuar nga luzhjani me përpikëri, si të themi “pa pushkë të keqe”, por edhe në mënyrë krijuese, sipas situatave, ndodhive e pjesëmarrjes në to, çka flet për shpirtin human, por herë-herë edhe me rreptësi për të ruajtur pastërtinë e tipareve themelore të virtytshme, duke ndëshkuar veset e liga që e përçudnojnë njeriun e shoqërinë. Në këto zbatime kanunore spikat edhe zgjuarsia e pleqve të Luzhës, të cilët përbënin qeverisjen më demokratike se parlamenti i sotëm i intrigave dhe i pabesisë ndaj njëri-tjetrit.
Pas këtyre ekspozeve vjen luzhjani me ngulimin e hershëm, me lëvizjet e detyruara nga rrethanat e kohës, nga grabitqarët shovinistë fqinjë; ringulimet pothuaj në të gjitha kontinentet pa e humbur dinjitetin dhe origjinën e duke ruajtur gjuhën, zakonet e traditat, por edhe duke u strehuar edhe në malet e egra, duke mos e lëshuar kurrë krejt territorin e vet. Edit Durhami vëren se shqiptarët, edhe pas shekuj largimesh të detyruara, nuk kanë harruar vendin e të parëve të tyre të lashtë, dhe kur janë forcuar dhe organizuar, përsëri janë rikthyer në vendet e etërve të tyre. Ndaj “asnjë popull dhe asnjë vend në botë nuk është përballë 2000 vjet pushtime perandorish të ndryshme e të ketë dalë gjallë me gjuhë, doke, zakone dhe gjak të njëjtë, pa u tjetërsuar si populli shqiptar”.
Tablo të këtyre qëndresave në mbrojtje të njerëzve, të tokës, gjuhës dhe të traditave, sa tragjike dhe heroike, në faqet e librit janë të shumta dhe të paraqitura si tablo të gjalla dhe secili i lexon dhe i përjeton ato, duke ndier edhe krenari për të qenit shqiptar. Edhe pse 34% e luzhjanëve për arsye luftërash apo edhe të natyrave të tjera nuk kanë lënë trashëgimtarë meshkuj, Luzha u shtua e u shumua dhe sot ka mbi 360 kurorë (familje), nga 57 që kishte në fillim të shekullit XX.
Ky libër voluminoz ka vlera historike, shkencore, artistike dhe sociale. Ngjarjet historike dhe figurat që shquhen në to bazohen në burime arkivore të shumta, në të dhënat gojore, deri edhe të njerëzve që i kanë jetuar që të fillimit të shekullit XX e këndej sidomos. Është bërë një ballafaqim i tyre me të kundërtat dhe janë qartësuar me kujdes e seriozitet shkencor, pa bërë mbivlerësime e zbukurime romantike, por thellësisht të bazuara në fakte. Në mënyrë të veçantë është mbajtur një qëndrim i drejtë për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke studiuar si vlerësimet e të huajve, edhe të vendasve, duke i ballafaquar me realitetin dhe arritur në përfundime të besueshme. Lexoj dhe besoj shtresëzimet shoqërore politike të kohës dhe kujtoj se i njoh ata njerëz, ato forca të ndryshme që debatojnë për politikën e ditës shpesh më qartë se politikanët e sotëm; dallohen qartë luftëtarët, pritmëtarët, sehirxhinjtë, indiferentët, të mashtruarit dhe shërbëtorët e pushtuesve, frikacakët etj.
Paraqitja e jashtme dhe ndërtimi i krerëve dhe i gjithë paragrafëve parashtrojnë për bukuri edhe përmbajtjen e librit. Me ngjyra tërheqëse dhe me ide e simbole të lirisë e dinjitetit njerëzor është ballina e librit: ngjyrat e flamurit kuqezi, lapidari, monumente kulture, peizazhe pranverore, gjallëri e jetës që nuk dimërohet kurrë, brezare që dëshmojnë luzhjanin punëtor, që e mban tokën dhe ajo (toka) e mban atë me pjellorinë e saj nga puna e djersa e derdhur mbi të etj. dëshmojnë për kujdesin që autorët i kanë kushtuar përçimit të ideve që përmban libri. Kjo të nxit të shfletosh dhe sheh se fjalët shoqërohen me më se 250 fotografi: pamje natyre, bjeshke, të katër stinët e vitit, vende romantike që të tërheqin. Brenda këtyre fotografive janë mbi 130 prej tyre portrete luftëtarësh, patriotësh, që kanë lënë emër të mirë pas; të tjerë punonjës me shkollë, me kulturë, të specializuar në fusha të ndryshme të dijes, që kanë jetuar pothuaj në çdo cep të Shqipërisë, duke dhënë edhe Luzha kontribut modest në ndërtimin dhe përparimin e gjithë vendit tonë. Të gjitha këto portrete luzhjanësh, burra dhe gra të burrëruar, janë përshkruar me dashuri njerëzore fizikisht dhe moralisht e të mbeten në kujtesë si burim frymëzimi e përkushtimi atdhetar e njerëzor. Klerik atdhetar i kthyer në shenjtor, gra që për shkaqe të detyruara janë edhe burra të zotë, të rinj e të moshuar, të gjithë i kanë dalë për zot Luzhës, por njëkohësisht edhe atdheut e janë model për t`u ndjekur nga të gjithë.
Dervish Luzha jepet me të gjitha detajet artistike njerëzore si fizik, si mendim, si luftëtar antifashist i pamposhtur, që frymëzon edhe të tjerë për vepra heroike. Edhe si fetar ai është i pamposhtur. Fenë e vë në shërbim të çështjes kombëtare dhe të njerëzve në nevojë shëndetësore, por kurdoherë pa asnjë kërkesë për fitim. Bamirësia e tij është e njohur në një hapësirë të gjerë, që përfshin pothuaj tërë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën. Me gjithë vështirësitë dhe të papriturat e jetës, ai nuk mposhtet, as ligështohet. Me këtë portret të skalitur me dashuri dhe mjeshtri artistike del në pah njeriu i papërkulur, që u përkushton njerëzve gjithë jetën e vet, ndaj edhe pas vdekjes jo vetëm nuk është harruar, por është kthyer në legjendë si bamirës gjithandej.
Portreti i nënë Sosës është nga më të realizuarit. Është paraqitur me vërtetësi jeta e saj e dhimbshme plot dramë, sikur vetëm te kjo kanë rënë të gjitha hallet e jetës. Të krijohet përshtypje se është një personazh i një vepre artistike. Në fakt është reale tërë ajo që paraqitet. Atë nuk e mposhtën dhimbjet e njëpasnjëshme për humbjen e njerëzve më të dashur, as vetmia e përjetshme, por kreu me kurajë e ndershmëri detyrat si familjare e zonja, si burrneshë në fis, fshat e krahinë. Është model i qëndresës ndaj të papriturave që mund të vinë nga fenomene shoqërore a natyrore.
Sa tragjike, aq dhe heroike na paraqitet portreti i Shkurtës. Është një aktakuzë ndaj shovinistëve serbë, të cilët kurrë nuk kanë pushuar së luftuari kundër popullit shqiptar. Djalin e saj, që niset nga Luzha për në Bytyç për të marrë drithë për fëmijët e pangrënë, e vrasin bandat diversioniste të përgatitura nga titizmi dhe të hedhura në vendin tonë për të përmbysur pushtetin popullor. Edhe ky shembull është një shuplakë ndaj atyre politikanëve të sotëm serbë, që përpiqen me një mijë mënyra të mohojnë gjenocidin e pandalshëm prej më se një shekulli ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Në këtë linjë janë të gjithë portretet e dhëna në libër: tragjikë, heroikë, atdhetarë deri në flijim.
Figura e luzhjanëve në shekuj del e ndriçuar e bindëse, pa teprime, por modeste, e nderuar në punë dhe e përkushtuar si qytetar ndaj detyrimeve shoqërore dhe atdheut. Luzhjanët kanë milituar denjësisht në jetën ekonomike, politike, ushtarake, shkencore e artistike kudo ku kanë jetuar e punuar, ndaj mbahen në kujtesën e shqiptarëve për vlerat e tyre njerëzore. Janë më se 100 kuadro me arsim të lartë nga ky fshat i vogël, që u shkolluan në vitet e monizmit dhe plotësuan nevojat jo vetëm të fshatit, por punuan edhe në sektorë ekonomikë, socialë, ushtarakë në mbarë vendin, duke dhënë kontribut modest në përparimin e vendit.
Ky libër është edhe një model, të cilin mund ta përdorin në mënyrë krijuese të gjithë ata të cilët duan të shkruajnë libra që pasqyrojnë në tërësi jetën e një fshati, krahine e më gjerë.
Vëllezërit Balaj kanë kryer më së miri një mision të tyre nisur në moshën e rinisë, por që e realizuan për mrekulli tani në pleqëri. Edhe studimi shumëvjeçar i tyre për të gjetur edhe detajet më të imta e më të hershme të fshatit të tyre është një model për studiuesit e kësaj fushe.