E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fondet për kërkimin shkencor, Rama-studentëve: Aplikoni për fondet e BE dhe qeverisë, me projekte të argumentuara

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot laboratorin e medieve digjitale të ngritur në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

I pyetur një një podkast të zhvilluar me dy studente të Gazetarisë në këtë laborator nëse do të ketë investime të ngjashme, Rama u shpreh se, “ky laborator, për hir të së vërtetës, është financuar nga qeveria shqiptare, por nuk është meritë e qeverisë shqiptare. Është praktikisht një projekt i kërkuar nga Departamenti. Por kur them projekt i kërkuar jo një kërkesë e bërë, ne na duhet kjo, por një projekt i argumentuar”.

Dhe, shtoi Rama, “fondet për kërkimin shkencor bazohen pikërisht tek kjo. Kush është në gjendje të bëjë projekte, t’i argumentojë dhe të provojë që janë të dobishme për atë investim që kërkon”.

Ndërkohë, theksoi kreu i qeverisë, “Universiteti i Tiranës po tregon që kapacitetet për të rritur të ardhurat për pedagogët dhe për të rritur investimet në universitet, jashtë buxhetit të shtetit, janë të pafundme nëse arrijmë të thithim edhe nga fondet evropiane. Dhe duke pasur fondet evropiane nga njëra anë, duke pasur edhe fondin modest, por gjithsesi në rritje të përvitshme të kërkimit shkencor në Shqipëri, mundësitë janë”.

“Po pyetja nuk është se cili do ishte investimi për mua? Pyetja cili do ishte investimi tjetër, është një pyetje që duhet t’ia bëni ju vetes tuaj dhe pastaj të diskutoni se çfarë na duhet dhe pastaj në momentin që do të bini dakord që na duhet dhe kjo gjë, që mund të mos jetë pjesë e laboratorit, mund të jetë diçka tjetër, atëherë duhet të uleni ta shkruani dhe të thoni kjo gjë na duhet për 1, 2, 3, 4 arsye. Nëse qeveria shqiptare do të financojë për këtë gjë, të mirat që do të sjellë kjo gjë do jenë 1, 2, 3. Dhe duhet të aplikoni dhe pastaj mes shumë projekteve keni gjasë të fitoni. Nëse nuk fitoni, duhet të aplikoni përsëri. Duhet të provoni dhe me BE-në, dhe kjo është një betejë e vazhdueshme”, u shpreh Rama.

“Nëse presim vetëm që buxheti i qeverisë do t’i bëjë të gjitha, e para, nuk i bën, e dyta, i heqim vetes mundësi të tjera që janë aty, por janë aty për të shkuar për t’i marrë, jo janë aty duke i pritur që të vijnë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›