Fondi i rigjenerimit urban, Gonxhja dhe Beci në zonën e Fermentimit: Përfitojnë një mijë banorë

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci inspektuan sot punimet në zonën e Fermentimit, aty ku një mijë banorë të kësaj lagjeje kanë përfituar nga Fondi i Rigjenerimit Urban.
“Ne duam ta promovojnë këtë projekt sepse të gjitha bashkitë, komunitetet, falë njësive administrative mund të aplikojnë për ta përfituar, përpos projekteve që ka Fondi i Zhvillimit, donacionet e huaja etj. Fondi i Rigjenerimit Urban përmes përmirësimit të kushteve të jetesës të familjeve që janë më në nevojë, që përfshin edhe rrugët u ndryshon jetën shumë banorëve”, tha Gonxhja.
Ministri i MEKI-t tha se Shkodra po bëhet pioniere përmes këtij projekti, duke bashkuar në një të vetëm gjashtë rrugë dhe duke u punuar në një komunitet që ka problematika sociale, familje me probleme etj.
“Mënyra si po ndërhyhet këtu e bën shumë të kompletuar këtë projekt. Po ndërhyhet në ujërat e zeza, të bardha, ujësjellësi, asfaltimi, ndriçimi që shkon në çdo shtëpi dhe rrugë”, tha Beci.
Në zonën e Fermentimit në Shkodër, në kuadër të strehimit social jetojnë 115 familje, ndërsa përfitues direkt të projektit janë një mijë banorë. Ky projekt lehtëson përditshmërinë e familjeve dhe fëmijëve të tyre, që nga të shkuarit në kopsht, shkollë etj.
Ministri Gonxhja dhe kryebashkiaku Beci inspektojnë punimet në lagjen Fermentim, Shkodër 1 nga 18/j.p/