E Diel, 1 Nëntor 2026

Forca Ajrore e angazhuar në shuarjen e zjarreve me 3 helikopterë, një dron UAV– si dhe 2 avionë Air Tractor

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ “Sfida jonë është ta çojmë çdo mision deri në fund”, u shpreh Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Edmond Voci, nga Baza Ajrore e Farkës.

Gjatë vizitës së tij në këtë bazë, Voci u njoh nga afër me situatën e zjarreve, dinamikën e operacioneve dhe sfidat me të cilat përballen pilotët dhe ekuipazhet.

Gjeneral Brigade Voci ndoqi nga afër përgatitjen e mjeteve për mision dhe iu bashkua një prej ekuipazheve në një fluturim inspektues, për të vlerësuar nga ajri zhvillimin e operacioneve dhe situatën në terren.

Forca Ajrore vijon angazhimin e saj operacional me 3 helikopterë, 2 Cougar dhe 1 Black Hawk, një dron UAV– si dhe 2 avionë Air Tractor, në mbështetje të operacioneve në Dajt, Fier, Mat, Lezhë, Zall-Herr, Tiranë dhe, së fundmi, në Himarë.

Misionet ajrore fokusohen në shuarjen e vatrave të zjarrit, monitorimin e tyre pas ndërhyrjes dhe parandalimin e riaktivizimit, në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e angazhuara në terren.

“Gatishmëri, përkushtim dhe vendosmëri për çdo mision, deri në fund”, ka theksuar kreu i Forcës Ajrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›