Forcat madhore që siguruan mbijetesën shqiptare
Ne e dimë se historia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë është histori mbijetese. Gjeopolitika na vendosi në buzë të briskut pothuaj në të gjitha kohërat. Por ne e dimë gjithashtu se më të fortët mbijetojnë. Ky është ligji themelor i evolucionit. Po kush e rrezikoi dhe e kërcënoi mbijetesën Shqiptare? Ç’forcë madhore e siguroi këtë mbijetesë? Kujt duhet t’i jemi mirënjohës?
Zanafilla
Etërit e kombit tonë e shkruajtën qartazi zanafillën në këngën për kombin: “Zoti vetë e tha me gojë që kombe shuhen përmbi dhé, por Shqipëria do të rrojë” Shqiptarët, pra, kur i bëri Zoti, i vendosi njëherë e mirë në trojet e tyre të përjetshme. Qyshse nisën shkrimet, të gjithë njerzit e shkrimeve, të të gjitha vendeve, edhe ata të kombeve të tjerë të ardhur në këto anë, pohuan vetëm atë çka pat thënë Zoti. Nuk mund të pohonin ndryshe, edhe pse mund të dëshironin të ishte ndryshe.
Identiteti Shqiptar - palca e mbijetesës
Kombe të tjerë erdhën e ikën nga këto anë. Disa prej tyre mbetën, të tjerë u tretën. Shqiptarët mbetën po ata. Të ardhurit në këto anë ëndërruan dhe punuan shumë për të tjetërsuar Shqiptarët, duke sjellë me vete fuqitë e tyre me emra zotash, germash, racash, besimesh, kultesh: me zotat e tyre, për të t’iu ngatërruar Zotin vendasve; me artet e tyre për t’u dukur ndryshe nga ç’ishin; me shkrimet e tyre për t’iu humbur kujtesën vendasve.
Shqiptarët, përkundrazi, jetuan me Zotin dhe besimin e tyre të parë dhe të fundit: se ishin njësh me këto anë, në një marrëdhënie të përjetshme, të patundshme, të pashqitshme; se kushdo që do të vinte, do të duhej të ishte vënë në dijeni se këto troje e kishin tashmë të zotin e tyre, të bekuar madje për ta gëzuar atë përjetësisht. Kjo ishte bindja, besimi dhe siguria e Shqiptarëve të parë, perëndia e tyre, njëjtësia e tyre, pandryshueshmëria e tyre, fuqia e tyre, kulti i tyre.
Shqiptarë dhe Europianë
Shqiptarët janë në rrënjë të Europës. Të gjithë njerëzit e shkencës botërore, edhe ata të kombeve të tjerë të ardhur në këto anë, gjejnë vetëm një pemë racash e gjuhësh Europiane: atë ku shqipja është në rrënjë. E gjithë kujtesa dhe të tëra ëndrrat e Shqiptarëve dhe e Shqipërisë janë historia e një race Europiane.
Por ka një epokë mjaftueshmërisht sublime në jetën e Shqiptarëve për ta shfaqur këtë: Qëndresa kundër Otomanëve thuajse të vetëm, madje tepër, tepër gjatë në kohë, krahasimisht me thellësinë e tyre të pakët strategjike dhe me burimet shumë të kufizuara njerëzore e materiale. Europa ishte aq mirënjohëse dhe ua njeh këtë borxh Shqiptarëve përderisa pati mirësinë t’a çmojë Gjergj Kastriotin - Prijësin e Madh Europian të Shqiptarëve - me titullin më të lartë të nderit: “Kalorës i Krishterimit”.
Pushtimi Otoman që zgjati disa shekuj, synoi dy nga qendrat më jetësore të Europës: Vienën dhe Romën. Synimi për të marrë Vjenën mbeti një ëndërr. Synimi për të marrë Romën dështoi plotësisht. Shqiptarët vuajtën pjesën e vet, madje shumë të dhimbshme në këtë qëndresë. Kundërqëndruan. Qëndresa ushtarake Shqiptare, krahas faktorëve të tjerë, pati rol vendimtar për sigurimin e hapësirës Juglindore të civilizimit Perëndimor.
Çka është më e rëndësishme vjen pikërisht pas kësaj qëndrese: Përballja Otomane në trojet Shqiptare iu kostoi aq shumë Shqiptarëve sa iu përgjysmoi burimet njerëzore. Në këto kushte, për të mbijetuar, Shqiptarët toleruan fenë për të mbetur Shqiptarë, për të mbetur vetja e tyre, domethënë Europianë. Kjo është aq shumë e rëndësishme sa meriton të përsëritet: Shqiptarët toleruan fenë për të mbetur Shqiptarë, domethënë Europianë.
Europianëve, mund t’iu duket disi i çuditshëm ky pohim dhe mund të pyesin: Po popujt e tjerë Ballkanikë që nuk toleruan në fe, nuk mbetën vetja e tyre?
Sigurisht që kanë të drejtë të habiten dhe kanë po aq të drejtë të pohojnë se popujt e tjerë Ballkanikë që nuk e ndërruan fenë, mbetën vetja e tyre. Atëherë cili është ndryshimi? Ç’bënë apo ç’nuk bënë Shqiptarët që, edhe pse ndërruan fenë, mbetën vetja e tyre?
Ndryshimi qëndron pikërisht këtu: Të tjerë popuj Ballkanikë që nuk toleruan në fe, me të vërtetë mbetën vetja e tyre, por ata as nuk mund të bëheshin, as të mbeteshin Europianë, sepse ishin vetëm gjysmë-Europianë. Në të kundërtën, Shqiptarët, nuk mund të bëheshin ndryshe, as nuk mund të mbeteshin ndryshe, përveçse Europianë. Sepse ishin vetëm Europianë.
Shqiptarët toleruan myslimanizimin pikërisht për të mbetur Shqiptarë dhe mbetën Shqiptarë pikërisht për të mbajtur Europën në Ballkan. Ajo që ka ndërruar kombi Shqiptar është thjeshtë emri i fesë dhe jo feja vetë. Popuj Ballkanikë që nuk e ndërruan fenë, me të vërtetë mbetën vetja e tyre, por mbetën brenda përzierjes ideologjike të Pan-Sllavizmit, Ortodoksisë Politike dhe Komunizmit, saqë u bënë luftëtarë për të fshirë nga Ballkani edhe atë pak Europë që kishte mbetur.
Gjeopolitika e Europës
E qarkuar në Veri, në Perëndim dhe në Jugë vetëm me dete e oqeane, gjeografia i fali Europës burime të begata dhe ritme krahasimisht shumë të larta zhvillimi. Siguria e Europës ishte siguria e detrave dhe e oqeaneve. E gjithë Europa, veçanërisht ajo Perëndimore, ka qenë gjithnjë e kushtëzuar nga liria e veprimit në detëra e oqeane. Çfarëdo kombinacioni fuqish të mëdha që do të prekte këtë status të saj, do të ishte i patolerueshëm. Ishujt, kalimet, ngushticat, rrugët detare, etj, kanë qenë dhe mbeten jetësore për Europën. Cilado fuqi që do të kërcënonte këtë interes jetësor të saj, pavarësisht nga përkatësia gjeopolitike, gjeostrategjike, shtetërore, kombëtare, fetare, apo kulturore, do të përballej ushtarakisht me Europën. Këtu është edhe baza e konfliktit shumëshekullor që edhe vetë Europa pati me vetveten.
Vetëm në Lindje, gjeografia i ka rezervuar Europës një fat të ndryshëm: vetëm në Lindje Europa merr e jep me tokë, jo me det. Vetëm në Lindje, Europa ëshë e lidhur me “ingranazhe” apo “kthetra” të tjera që quhen “kufij politikë”. Aty fillon ndeshja për thellësi ekonomike, tregtare, etnike, të mbrojtjes e të sigurisë. Aty konflikti për hapësirë është i përjetshëm.
Kërcënimi Otoman dhe Shqipëria
Turqia synoi dy nga qendrat më jetësore të Europës: Vjenën dhe Romën. Synimi për të marrë Vjenën mbeti një ëndërr. Synimi për të marrë Romën dështoi plotësisht: përpjekja otomane për të pushtuar Otranton rezultoi në një inkursion të mallkuar. Në të dyja rastet, gjeografia Shqiptare rezultoi të ishte vendimtare për aq sa populli shqiptar pati fuqi të ushtrojë qëndresën. Qëndresa ushtarake Shqiptare, edhe pse heroike, nuk mund të zgjaste pa fund. Thellësia strategjike dhe burimet njerëzore e materiale Shqiptare nuk premtonin më shumë. Mbështetja financiare nga Europianët pati gjithashtu një fund. Për më tej, populli shqiptar do të detyrohej të përdorte një instrument unik qëndrese: ruajtjen e identitetit të vet, identitetit Europian, të kombit, të gjuhës, të zakoneve dhe kulturës Shqiptare. Në këto kushte, Roma dhe Vjena, më të rrezikuarat nga pushtuesi Otoman, mbetën të interesuara dhe të përkushtuara për të stimuluar këtë qëndresë të gjatë anti-Osmane të shfaqur tanimë si një hapësirë identiteti Europian në Gadishullin Ballkanik.
George Fred Uilliams, Ish Ministër-Ambasador i Amerikës në Greqi e Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës në fillimshekullin e ’20, do ta përcaktonte në mënyrë të përkryer këtë “kimi” europiane ndaj Shqipërisë: “Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këto dy shtete kanë pritur me padurim vite me radhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do të varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikëpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shume e paarsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km larg bregut Italian në mes të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë ‘il mare nostra’, sikurse italianëve u pëlqen t’a thonë. Në anën tjeter, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë”.
Gjeopolitika e Rusisë dhe Shqipëria
Përndryshe nga Europa, Rusinë e ka “burgosur” gjeografia: Në veri-detet e ngrira të Polit të Veriut; në lindje-Siberia - e shkretë dhe e ftohtë; në perëndim dhe në jug-barriera të panumërta popujsh, racash dhe fesh, të angazhuara në një konflikt të përjetshëm për hapësira e thellësi. Në këto kushte, Rusia e stërmadhe, është thjeshtë një fuqi tokësore. Nga ku rrjedh edhe ankthi e halli i saj i përjetshëm: dalja në ujëra të ngrohta. Për të arritur këtë qëllim, Rusia ka vetëm dy mundësi, dy drejtime strategjike daljeje: Balltikun dhe Mesdheun. Këto drejtime dallohen thelbësisht në pikëpamje të perspektivës së thellësisë strategjike: Drejtimi strategjik për Detin Balltik nuk siguron perspektivë strategjike për dalje në Atlantik. Sapo të tentosh të shkosh më tutje nga Deti Balltik, do të ndeshësh përpara “mure” të njëpasnjëshme shtetesh tradicionalisht të fuqishme, fortesa natyrore e njerëzore, të cilat nuk do t’i lëshonin kurrë hapësirat që iu ka falur gjeografia: “Muri” i parë: Suedi-Danimarkë-Gjermani dhe muri i dytë: Angli-Norvegji. Pikërisht për këtë arësye, synimet strategjike të Rusisë në këtë krah janë kufizuar në kapjen dhe mbajtjen e hapësirave të mjaftueshme për të siguruar vetëm mbrojtje strategjike, jo për të ndërmarrë operacione mësymëse strategjike. Në këtë kuadër, zgjidhja më e mrekullueshme dhe më e guximshme strategjike, ka qenë çvendosja e kryeqytetit Rus nga Moska në Petërburg. (Sipas postulateve tashmë të njohura, për kryeqytet përzgjidhet apo krijohet ajo qendër strategjike nga ku garantohet në radhë të parë siguria dhe mbijetesa e tërë vendit).
Përndryshe nga drejtimi i daljes për në Detin Balltik, drejtimi strategjik për dalje në Detin Mesdhe, siguron perspektivë strategjike, sepse përpjekjet e mundshme për daljen në Mesdhe nuk zhvillohen në terren Rus; “terreni” gjatë përhapjes në këtë drejtim përbëhet nga një mori kombesh, racash njerëzore, pakicash, fesh e orientimesh të shumëllojta, vendesh të varfra ekonomikisht e shtetesh relativisht të dobëta në pikëpamje të traditës dhe qëndrueshmërisë së institucioneve.
Drejtimi për dalje në Detin Mesdhe ofron gjerësi të mjaftueshme për operacione pushtimi apo përhapjeje strategjike. Vija bregdetare nga Vlora deri në Stamboll e siguron këtë gjerësi dhe për më tej, mund të sigurohet sundimi mbi Mesdheun Lindor. Pikërisht për këto arsye, synimet strategjike të Rusisë për dalje në Mesdhe kanë qenë në themel të doktrinave të saj ushtarake, etnike, ideologjike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Prej Mesdheut mund të ndërmerren inkursione për përhapje të mëtejshme të karakterit strategjik. Mbase Testamenti i famshëm i Pjetrit të Madh (Car i Rusisë në shekullin e ’17, që pushtoi me dhunë zotërimet Suedeze në pjesën lindore të Balltikut dhe zhvendosi me dhunë kryeqytetin e Rusisë nga Moska në Shën Petersburg), e shpreh më mirë këtë doktrinë: “Kombi Rus duhet të jetë gjithnjë në luftë…në interes të zmadhimit dhe rritjes së prosperitetit të Rusisë…Asnjë rast nuk duhet humbur për të marrë pjesë në punët e Europës, sidomos ato të Gjermanisë…Polonia duhet ndarë…Ne duhet të marrim sa më shumë territore të jetë e mundur nga Suedia…Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë aleancën tregtare me Anglinë…Ne duhet të avancojmë sa më shumë të jetë e mundur në drejtim të Konstandinopojës (Stambollit)…Ne duhet të grumbullojmë përreth shtëpisë sonë si në një qendër të gjitha seksionet e shkëputura të grekëve…dhe t’i bëjmë ata të vështrojnë nga ne për ndihmë, duke krijuar kështu me kohë një lloj supremacie fetare ortodokse me qëllim që të shtrojmë rrugën për sovranitet universal. Kur Suedia të jetë e jona, ….Polonia të nënshtrohet, Turqia të pushtohet…Përthithni Mesdheun…Rusia do të jetë atëherë në zotërim absolut të … pjesës më të mirë të Europës…”
Tre shekuj më vonë, të njëjtën doktrinë ruse, Europa do ta mësonte nga Çu En-lai (Ish Kryeministër i Kinës në vitet ’60), i cili, do t’i deklaronte një delegacioni të nivelit të lartë të NATO-s: "Sovjetikët nuk do t’ju sulmojnë në fushat e Gjermanisë. Ata fillimisht do t’ju hipnotizojnë mendjen dhe shpirtin tuaj me këtë kërcënim. Pastaj ata do të jenë të lirë të zbatojnë një strategji të rrethimeve të gjera dhe njëpasnjëshme të Europës. Rrethimi i pare … do t’ju kërcënojë rrugët tuaja të furnizimeve me Hemisferën Lindore. Një unazë e dytë do të krijohet për të parambyllur Perëndimin nga pllajat e larta të Etiopisë, Adenit dhe Afganistanit e, ndoshta, Iranit dhe Gjirit Persik. Influenca juaj në Indi do të pakësohet aq shumë sa do të bëhet thuajse zero; Pakistani do ta gjejë veten në një situatë të vështirë. Ndërsa do t’a kenë përfunduar të gjithë këtë, udhëheqësit sovjetikë do të fillojnë të ndërtojnë një unazë të tretë rrethimi. Këtë herë, ata do të synojnë të futin nën kontrollin e tyre Gadishullin Ballkanik dhe Mesdheun Lindor. Nëqoftëse ndodh kjo, atëherë Perëndimi, sikurse e dimë, mbaron në këtë pike”.
Rusia Perandorake e Carëve do mund të dilte në Mesdhe vetëm përmes kapjes së vijës bregdetare Vlorë-Stamboll. (Rusia e Perandorisë Sovjetike komuniste, do të përdorte edhe një skemë tjetër shtesë: blerjen e influencës dhe të bazave ushtarake në shtetet që shtrihen në vijën bregdetare Egjipt-Siri. Baza Ruse në Tartus, Siri, është vetëm një prej tyre, por e mjaftë për të kalcifikuar praninë dhe influencën Ruse në Mesdheun Lindor, për të orientuar zhvillimet në këtë rajon sipas skenarëve të paracaktuar në Moskë.)
Për të kapur vijën bregdetare Vlorë-Stamboll, ka tre korridore të mundshme:
Korridori i parë për nga rëndësia është ai që kalon përmes Ngushticave të Bosforit e Dardaneleve. Prandaj energjitë më të mëdha ushtarake të Rusisë Perandorake u përdorën në radhë të parë kundër otomanëve. Në rreth 4 shekuj Rusia ka zhvilluar plot 13 luftëra të mëdha me Perandorinë Otomane – një konflikt shumë i gjatë në kohë dhe tepër i ashpër në dhunë, ndoshta unik në historinë e vet.
Rënia e Perandorisë Otomane në fillimshekullin e ’20, e vuri në alarm Europën, kryesisht Anglinë. Rënia e Perandorisë Otomane, do të thoshte rënie e Stambollit në duart e Rusisë. Këtë nuk mund ta toleronte kurrë Anglia, sepse kjo humbje do mund të vinte në pikëpyetje të gjithë Perandorinë Britanike. Prandaj Europa vrapoi shpejt për të shpëtuar korridorin e Ngushticave, duke e “konservuar” Turqinë nga hiri i Perandorisë Otomane. Më tej, për një shekull të tërë, ishte Turqia që punoi për Europën. Turqia mbase nuk ishte Europë, por plotësonte Europën në kundërshtinë e saj të përjetshme me Rusinë.
Korridori i dytë që mund të sigurojë dalje ruse në Mesdhe është ai që kalon nëpër Selanik, domethënë përmes Greqisë. Kjo është arsyeja që krijimi i Greqisë moderne ishte frymëzim, organizim, mbështetje dhe financim i drejtpërdrejtë i Rusisë. Prandaj Europa, kryesisht Anglia, u vunë në alarm qyshse po krijohej Greqia për të asnjanësuar praninë ruse. Një Greqi si bazë ruse ishte po aq humbje e Mesdheut Lindor sa edhe humbja e Ngushticave Turke. Prandaj Europa vrapoi shpejt që të mos ia lejonte iniciativën Rusisë në Greqi.
Por, ndërsa për të ruajtur Ngushticat, Anglia llogariste disponimin anti-rus të Turqisë, për të ruajtur Selanikun, Greqia nuk mund të llogaritej si e tillë. Greqia, në atë masë sa është Perëndim, është edhe Lindje, domethënë e dyzuar. Prandaj Europa nuk kishte rrugë tjetër veçse ta blinte me pará besnikërinë europiane të Greqisë dhe rrjedhimisht largimin e pranisë ruse nga Greqia. Kësti prej disa qindramiliardë dollarë që i detyrohet sot Greqia Europës është disa herë më i vogël në krahasim me këstet në pará që Greqia ka marrë në dy shekujt që kaluan.
Korridori i tretë që mund të sigurojë dalje në Mesdhe është ai që kalon përmes Adriatikut dhe Ngushticës së Otrantos. Në pikëpamje strategjike, ky kalim sundohet nga hapësirat gjeografike shqiptare, përkatësisht nga trekëndëshi Sazan-Karaburun-Vlorë. Rënia e Shqipërisë nën influencën ruse do mund të rrezikonte drejtpërdrejtë kontrollin e brigjeve lindore të Adriatikut dhe rrjedhimisht, dalje të sigurtë të Rusisë në Mesdhe. Efektet do të ishin të njëllojta me marrjen nën kontroll të Selanikut apo të Ngushticave.
Këtu fillon raporti i Britanisë së Madhe me Shqipërinë. Mbretëresha e detrave nuk do të toleronte kurrë që “Gjibraltari” i Adriatikut të binte nën ndikimin apo zotërimin e ndonjë fuqie armiqësore. Prandaj ajo, ashtu siç u kujdes në mënyrë të posaçme për konservimin e Turqisë, si dhe për të blerë besnikërinë greke, ashtu u kujdes edhe për ruajtjen e kontrollit mbi hapësirat Shqiptare. Prandaj Mbretëria e Bashkuar do të ishte jo vetëm pjesë e procesit diplomatik të formimit të Shtetit Shqiptar, por edhe në krye këtij procesi.
Rreziku ndaj identitetit shqiptar nga Pan-Sllavizmi, Ortodoksia Politike dhe Komunizmi
Dalja përmes Selanikut dhe dalja tjetër përmes Adriatikut në Ngushticën e Otrantos, janë shumë larg gjeografikisht nga kufijtë dhe bazat Ruse. Si Rusia Cariste, ashtu edhe ajo komuniste, nuk kanë patur kontakt të drejtpërdrejtë kufitar me këto dalje, sepse do t’u duhej të kalonin mbi shumë entitete të tjera shtetërore, kombëtare, racash, popujsh e pakicash, shpesh të ndryshëm me njeri tjetrin. Terreni në zonat e Ballkanit nga ku kalohet për në këto dalje, është malor dhe tepër i thyer. Dalja në këto dy korridore e largonte shumë Rusinë nga bazat dhe burimet njerëzore e logjistike. Për më tepër, zonat nga ku do të duhesh kaluar për të dalë në këto korridore, ishin nën zotërimin turk. Në këto kushte, përdorimi i forcës ushtarake do të ishte një aventurë që mund t’i shkurtonte jetën Perandorisë së Carit apo asaj Komuniste. Nëse Rusia Perandorake hapte një konflikt ushtarak në hapësirën Ballkanike, atëherë do të hynte në lojë domosdoshmërisht edhe Perandoria Austro-Hungareze, interesi gjeopolitik i së cilës në këtë rast do ta bashkonte me Perandorinë Otomane. Këto janë arsyet pse Rusia nuk përdori asnjëherë forcën e hapur ushtarake për të dalë në Mesdhe përmes Selanikut apo Adriatikut, por vetëm forcën “e mbuluar”, të mbështetur nga ideologjia pansllaviste, ortodoksia politike dhe ideologjia komuniste. Qyshse raca sllave filloi përhapjen në shekullin e 7-të, ajo nuk do të gjente dot hapësira në Perëndim, sepse do ndeshej me racat e njohura luftarake Gjermanike, me konstitucionin mendor e psikologjik, identitetin, qëndrueshmërinë, karakterin, artet, institucionet dhe besimet e racave gjermanike. Në këto kushte, mundësia më e mirë për Sllavët ishte përhapja në drejtimin e Ballkanit. Europa nuk pat qenë aq e interesuar për gjeografinë malore të Ballkanit, sepse ka patur hapësira dhe drejtime të tjera më të lehta e më të frytshme për të eksploruar. Entitetet e shumta kombëtare e shtetërore, të racave, popujve e pakicave, shpesh të ndryshëm me njeri tjetrin që e karakterizojnë Ballkanin, përbënin një pre më të lehtë për depërtimin e racës së disiplinuar e luftarake Sllave.
Janë pikërisht ngulmimet sllave në Ballkan që shërbyen si shtysë qendrore për lindjen e Pan-Sllavizmit si ideologji. Tepër interesante është se kjo ideologji e mori formën doktrinore menjëherë pas pavarësimit të Serbisë dhe u zhvillua më së shumti ndër Sllavët e Ballkanit (të ashtuquajturit Sllavë të Jugut), si një instrument politik si për Rusinë Cariste, ashtu edhe për atë Komuniste. Synimi ishte që, përmes këtij instrumenti, Rusia të kontrollonte tërë Ballkanin, të bashkonte tërë popujt e këtij rajoni nën këtë ideologji duke krijuar kësisoj kushte e lehtësira për dalje në Mesdhe. Kjo skemë mori fillimisht formën e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe pastaj atë të Jugosllavisë.
Shtylla tjetër e ekspansionit Rus është Ortodoksia Politike. Hierarkia Ortodokse, në dallim nga hierarkia gjithëpërfshirëse Katolike, është e fragmentarizuar sipas shteteve. Duke qenë fe shtetërore, Ortodoksia është ortake me shtetin në orientimet politike, madje në atë shkallë sa e kontrollon shtetin, veçanërisht politikën e jashtme të tij. Shtrirja e ortodoksisë përputhet saktësisht me thellësinë strategjike të interesave të shteteve përkatës. Ortodoksia Politike nuk do mund të arrinte të pushtonte shpirtin Polak e Bohem, edhe pse këto vende janë aq afër me Moskën – kryembrojtësen e Ortodoksisë. Ortodoksia Politike ka synuar e synon kryesisht Ballkanin, sepse, vetëm përmes Ballkanit mund të sigurohet dimensioni shpirtëror i ekspansionit të kombeve gjysmë-Europiane në Mesdhe. Kontrolli Rus mbi Ortodoksinë do t’i jepte asaj një instrument tepër domethënës për të krijuar dhe ushtruar avantazhe dhe influencë deri në Mesdhe, domethënë, duke e kthyer atë në Ortodoksi Politike. Ideologët Rusë janë të bindur si trashëgimtarë të Bizantit Ortodoks dhe si shteti më i madh Sllav, se fati i Rusisë shtrihet pa asnjë mëdyshje në Ballkan.
Gjeografia e përhapjes së ideologjisë dhe institucioneve komuniste jo rastësisht shtrihet në të gjithë boshtin dhe periferinë e shtrirjes së Sllavizmit dhe Ortodoksisë. Një projekt djallëzor duket se i pat krijuar dhe i pat prurë në një “hinkë” Pan-Sllavizmin, Ortodoksinë dhe Komunizmin. Një nga modelet politike të kësaj “hinke” është shprehur në parullën “Ballkani për Ballkanasit”. Pavarësisht nga maskat, një Ballkan për Ballkanasit do të thotë një Ballkan ortodoks, sllav, Rus dhe komunist. Është fakt tanimë se, pas çdo Lidhjeje Ballkanike ka qenë Rusia, me synim të parë të mos lejonte terren për Austrinë, Gjermaninë dhe Italinë në këtë gadishull dhe me synim të pastajmë, ta shfrytëzonte këtë instrument për të siguruar akses dhe përhapje në Mesdhe.
Europa, Ballkani, Shqipëria
Europa, e dehur me lirinë që i fali gjeografia për të sunduar në Atlantik, në Afrikë e në Mesdhe, gjithnjë e ka përjetuar me frikë Ballkanin. Falë lirisë në Atlantik, në Afrikë e në Mesdhe, Europa e shtriu praninë, kulturën dhe civilizimin e saj deri në Argjentinën e largët, por jo në Ballkan.
Ballkani, është i frikshëm për vetë pozicionin gjeografik ku janë kryqëzuar e kryqëzohen perandoritë, tri bashkësi kulturore, tri qytetërime të gjalla e të stërmëdha, tri mënyra themelore të menduari, të besuari e të jetuari. Në të vërtetë, sikurse e shpreh aq bukur Braudel, “janë tre përbindësha gjithmonë të gatshëm për të treguar dhëmbët”.
Por, në krahasim me qendrat Islame e Ortodokse të qytetërimeve, Ballkani është shumë shumë më afër me Romën, domethënë me kryeqendrën e qytetërimit Perëndimor. Atëherë pse dhe nga kush ka patur frikë Europa që, proporcionalisht, të influenconte më shumë Ballkan? Mos vallë ka një pakt për ndarje misterioze zonash influence midis Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit) dhe asaj të Perëndimit që mund të jetë akoma në fuqi?! Nga ndonjë marrëveshje misterioze për ndarje po aq misterioze zonash influence midis Katolicizmit e Ortodoksisë?! Nga frika se mos prekej Rusia e Madhe?! Apo nga halli se mund të vijë koha (siç po duket) që Europa t’i falet Rusisë?!
Këto janë pyetje por, ca më pak e ca më shumë, janë edhe arsye pse Europa është gjetur pothuajse gjithnjë e papërgatitur për të përballuar ngjarjet në Ballkan dhe, në rastin më të mirë, është përfshirë pikërisht në çastin e fundit, duke mos arritur të parandalojë traumat e përmasave botërore që e patën zanafillën pikërisht në atë Ballkan të mallkuar të shekullit të ’20!
A e ka bërë detyrën Roma, Italia si mëkëmbësja e Europës, posaçërisht e Anglisë, në Shqipëri? Disfata e pakthyeshme që pësoi Italia pas aventurës ushtarake për të pushtuar Greqinë gjatë Luftës së Dytë Botërore rezultoi “çuditërisht” në një tërheqje strategjike të turpshme, gjë që ndikoi ta faktorizonte edhe më shumë Ortodokësinë Politike, Pan-Sllavizmin dhe Komunizmin në Shqipëri.
Kombi Europian i Ballkanit
Shqiptarët, ashtu siç janë, me të mirat dhe mangësitë e tyre, me arritjet dhe mosarritjet e tyre, janë këmba e Europës në Ballkan, duan apo nuk duan Europianët ta shprehin zyrtarisht këtë fakt. Pozicioni i lakmuar gjeostrategjik i territoreve Shqiptare veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, nga ku mbahen nën kontroll si hyrja për në Detin Adriatik, ashtu edhe bregdeti lindor i Detit Jon, raca dhe gjuha Europiane e Shqiptarëve, përkatësia e natyrshme Europiane e tyre, etj, ishin dhe janë pasuria e Europës në Ballkan. Popujt e tjerë gjysmë-Europianë në Ballkan e më tej kanë qenë e janë të aspiruar, të indoktrinuar, të organizuar dhe të vendosur për ta tjetërsuar këtë identitet Europian në Ballkan.
Shqiptarët, në kohë të ndryshme, kanë mbetur edhe të izoluar nga Europa, por nuk janë tjetërsuar. Thjeshtë kanë mbetur Shqiptarë. Jo rrallë të lënë mënjanë nga Europa, Shqiptarët kanë pritur edhe Rusinë, kanë pranuar edhe Kinën kundër Rusisë, por asnjëherë nuk janë vënë kundër Europës. Me të drejtë Gellner thotë se “Banditët rebelë të maleve Ballkanike, duke e njohur veten si kulturalisht të ndryshëm nga ata kundër të cilëve luftonin, dhe për më tepër të lidhur nga besimi apo humbja e besimit me një qytetërim të ri tejet të fuqishëm, u bënë kësodore banditë ideologjikë: me fjalë të tjera, nacionalistë”.
Pas 15 shekujsh nën Bizantinët e pas 4 shekujsh nën Otomanët, Shqiptarët fare mirë mund të përzgjidhnin alfabetin cirilik apo Arab për të shkruar gjuhën shqipe, por ata përzgjodhën alfabetin latin pikërisht për të shprehur latinizmin e tyre, Europianizmin e tyre. Shqipëria dhe Shqiptarët nuk janë aq të mëdhenj sa për të tregtuar mall. Më së shumti ata kanë tregtuar shërbime. Dhe shërbimi më i madh i Shqiptarëve është që konservuan Evropën në Ballkan. Pa shqiptarë, Europa do kish mbetur gjysmë-Europë. Gjysma tjetër do të mbahej nga gjysmë-Europianët. Objektivi i gjysmë-Europianëve ka qenë dhe është Stambolli, por Stambolli nuk pushtohet ndryshe përveçse duke u krahëmarrë nga Selaniku apo nga Vlora, përgjithësisht nga Ballkani. Europa e di se këto strategji nuk mund të zbatohen në trojet shqiptare. Thjeshtë sepse Shqiptarët janë vetëm Europianë. Shqipëria, përpara se të jetë Europiane në gjeografi, është Europiane në shpirt, në racë, në gjuhë, në alfabet. Për Shqipërinë varkë shpëtimi është vetëm Europa. Prandaj Shqipëria e ka bërë vetë detyrën e vet Europiane edhe pa Europën e cila, natyrshëm ka interesin por edhe përgjegjësinë e detyrimin për të ruajtur praninë, identitetin e nderin e saj në Ballkan.
Europa indiferente e la të lirë bashkimin e Sllavëve të Jugut nën emrin Jugosllavi, edhe pse kishin ndryshime të mëdha e madje edhe urrejtje për njeri tjetrin sikurse ishin Kroatët katolikë me Serbët e Sllovenët Ortodoksë. Ishte pikërisht ajo Jugosllavi ku u prodhuan doktrina, platforma dhe praktika genocidiste nga më të urryerat e më masivet që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit. Pse, pra, kjo Europë nuk i la të lirë, madje i ndau Shqiptarët që ishin vëllezër të një gjaku? Jugosllavia u bë shteti më i madh në Ballkan në territor e popullsi për 100 vjet. Pse Europa e la e, madje, e stimuloi një disekuilibër të tillë fuqie, ku një Jugosllavi të ishte superfuqi Ballkanike dhe të tjerët të shpresonin për aleanca tej Ballkanike nga frika e saj? Pse u desh ndërhyrja përtej Europiane që ky shtet mostër dhe feja e ideologjia mostër që e ushqeu, të shpërbëhej vetëm në fillimshekullin e ’21?
Borxhi i Europës
Europa ndoshta ua njeh edhe një tjetër borxh shqiptarëve: atë të faturuar në ato ditë të ftohta shkurtit të vitit ’45, në Krimea, në Detin e Zi, kur Europianët, bashkë me gjysmë-Europianët u pajtuan në heshtje që influenca e tyre mbi Shqipërinë e Shqiptarët të ndahej 50 me 50! Europa ecte kësodore në shinën e një krimi që e kishte shtruar me kohë: Aty nga viti 1913 nuk pat ndarë thjeshtë influencën mbi Shqiptarët, por tërë ekzistencën e tyre: tokën dhe gjakun. Ndarja kishte pasë qenë saktëisht e njëjta: 50 përqind e tokës dhe e gjakut tej kufijve kombëtarë dhe 50 përqind përkëtej tyre. Të njëjta shifra makabre, terri e makthi!
Sidoqoftë, Europa e pati mirësinë ta njohë këtë faj të saj dhe ua ktheu pjesërisht borxhin Shqiptarëve: Shqiptarët në Kosovë e Maqedoni i bëri qytetarë. Këto janë shumëçka. Por jo gjithçka. Europa iu ka ende një borxh kolosal Shqiptarëve: Europa i detyrohet mbijetesës shqiptare! Një borxh që nuk mund të shpërblehet as me gjak e as me tokë, por vetëm me mirënjohje! Një mirënjohje që deri tani ka munguar. Një mirënjohje që duhet të burojë nga njohja, nga arsyeja. Nuk do duhet shumë guxim intelektual për ta thënë më shkoqur: Europa pa Shqiptarët do kishte mbetur gjysëm-Europë, thuajse 50 me 50, po aq sa po kjo Europë pat rezervuar dikur për Shqiptarët!
Përfundim
Një nga etërit e kombit shqiptar, Pashko Vasa, Europian sa vetë Europianët, është lutur që të ruhet “populli më i vjetër i Europës, raca më e papërzier... që, falë një fenomeni të mrekullueshëm dhe që nuk mund ta shpjegojmë, ka ditur t’i rezistojë kohës që shkatërron dhe transformon, ka mundur të ruajë gjuhën pa pasur as letërsi as qytetërim të përparuar dhe për më tepër, ia ka dalë të ruajë pa u treguar e mbyllur dhe përjashtuese në shfaqjet e veta të jashtme ndaj besimit dhe riteve të feve që ajo ka përqafuar gjatë përhapjes së tyre fitimtare përmes evoluimit në shekuj”. Pa Europën Shqipëria nuk do të ishte Shqipëri. Por pa Shqiptarët, Europa do të kishte mbetur vetëm gjysmë-Europë. Pa shqiptarë, Europa politike do të ndahej me gjysëm Europën në meridianin që kalon nëpër Detin Adriatik.
Kombi Shqiptar është relika më e vjetër europiane dhe Europa ka detyrimin por edhe nderin t’a ruajë atë. Shqiptarët e dijnë përgjegjësinë e tyre. I kanë rrënjët e degët për projekte më të përparuara: Bashkim kombëtar përmes propsperitetit apo prosperitet përmes bashkimit kombëtar. E rëndësishme është të shpresojnë dhe të investojnë, jo vetëm me ndjenja e dije, por në radhë të parë me projekte kombëtare. Pa projekte kombëtare do të mbeten gjithnjë në nivelin e mbijetesës.