Ilir Meta: “Politika, detyrim t’u përgjigjet interesave të qytetarëve”

LSI, takim festiv në qytetin e Pogradecit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh dje në një takim me anëtarët e kësaj partie në Pogradec se LSI kërkon integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, “politikanët shqiptarë kanë detyrim për t’iu përgjigjur interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të ngushta partiake. Kjo është ajo që do rinia e Pogradecit dhe rinia shqiptare në këtë 100 vjetor të Pavarësisë. Ky është nderimi i atyre që shpallën pavarësinë dhe i atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë. Përmes bashkëpunimit dhe jo konfliktit dhe ndarjes. Kjo është LSI, forca që do të punojë për të bashkuar të gjithë për integrimin në Bashkimin Europian”.
Meta theksoi se në 100 vjetorin e Pavarësisë, nderohen figura të këtij qyteti që aq shumë kanë kontribuar për Shqipërinë. “Duam të ecim më shpejt për zhvillimin e Pogradecit dhe Shqipërisë. Për integrimin evropian. Do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të jetë akoma më e bukur, e mirë, e sigurt, e lulëzuar, në vitet në vijim”, tha Meta. “Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe të gjithë patriotët që shpallën Pavarësinë. Kujtojmë rilindësit për të cilët Pogradeci ka kontribut të jashtëzakonshëm”, theksoi kreu i LSI.